Kush ishte me të vërtetë Leman Ypi? Pse fliste frëngjisht kur ishte rritur si mbesa e një pashai në Selanik? Ç'e shtyu të linte qytetin kaq e re për të nisur jetën e vetëm në Tiranë? Si u dashurua dhe u martua me një socialist simpatizant të Frontit Popullor, ndërkohë që babai i tij bashkëpunonte me fashistët? Dhe mbi të gjitha, çfarë fshihej pas asaj buzëqeshjeje të papritur në dëborën e Cortina-s kur e gjithë Europa po bëhej shkrumb e hi?
Këto janë disa nga pyetjet, të cilat Lea Ypi, mbesa e Leman dhe Asllan Ypit ngre në librin e saj të fundit “Të poshtëruar”, disa përgjigje për të cilin do të mund t’i merrni përmes bisedës që gazetarja Blerina Goce ka zhvilluar me të.
Në libër, Ypi shtron pyetjen themelore të mbijetesës në një epokë ekstremesh, zbërthen brishtësinë e së vërtetës, qoftë ajo personale apo politike, dhe çmimin e vendimeve të marra kundër rrymës së historisë.
Romani sjell momente historike gërshetuar me dialogje të imagjinuara, ndërsa autorja ka eksploruar edhe në dosjet e Sigurimit të Shtetit. Libri është një përzierje mes letërsisë, filozofisë dhe historisë.
Komente








