Mbi heqjen e mbikëqyrjes

Mbi heqjen e mbikëqyrjes
Micheal Foucault nuk jeton më. Vështirë e mundur që ky teoricien erudit i pushtetit të ketë ditur për Kosovën. E si për inat të atyre që na thonë se Kosova është përjashtim aksidental i logjikës normale të kapitalizmit global, tezat e tij të formuluara teksa po kundronte format e dhunës gjithandej në perëndimin modern, shihen aq mirë të jetësuara në Kosovën tonë aspak sui generis.

Peter Feith, shef i Zyrës Civile Ndërkombëtare i ka të gjitha fuqitë ekzekutive që e bëjnë atë të krahasueshëm me mbretin në monarkinë absolute të mesjetës. Ai mund të përjashtoj çdo zyrtar e mund të shfuqizoj çdo ligj nëse ky ligj apo ai zyrtar bien ndesh me Planin e Ahtisaarit.

Ndërkohë që Plani i Ahtisaarit po zbatohet edhe Peter Feith po bëhet gati të largohet. Siç shpjegonte Foucault, tranzicioni i kalimit nga faza e sundimit feudal tek disiplinat moderne të nënshtrimit, shoqërohej nga teoria e sovranitetit, përkatësisht afirmimi i të drejtave për qytetarët pjesëmarrës në kolektivin që përbën sovranitetin. Procedurat disiplinore nuk ishin as tek Foucault krejt në kontradiktë dhe as nuk zhvilloheshin kur dhuna hierarkike formale të kish përfunduar, ato zhvilloheshin bashkë dhe anash saj. Retorika që afirmon këto të drejta siguron tranzicionin, për shtrirjen e pavërejtur të disiplinave. Ligjërimi i përcjellur në kor ka kohë që ka filluar.

Zhurma festive për suksesin e kryerjes së detyrave që na i kishin dhënë pastorët ndërkombëtarë nuk ndalon: “ne i kryem detyrat me sukses, zbatuam Planin e Ahtisaarit, tash do të jemi plotësisht të pavarur”. Asnjë problem nuk ndeshet këtu, kurrfarë anakronizmi nuk vërehet midis të qenit nxënës dhe procesit të subjektivimit. I kryem detyrat, sigurisht! Përbrendësimi i dhunës e ka zhdukur shfaqjen e jashtme të saj. Normalizimi e ka zhdukur dhunën.

Heqja e mbikëqyrësit e ka bërë mbikëqyrjen gjendje. Shënjuesi dhe i shënjuari janë unifikuar; në fakt, shënjuesi është trupëzuar tek i shënjuari. Peter Feith nuk do të jetë këtu për ta mbikëqyrur zbatimin e Planit të Ahtisaarit sepse Plani i Ahtisaarit është realiteti kosovar. Nxënësit po i hiqet mbikëqyrja sepse procesi i mbikëqyrjes ka siguruar që nxënësi është i aftë ta riprodhojë shtypjen në mënyrë të pavarur. Kosovës po i hiqet mbikëqyrja jo si rezultat i rezistencës nga subjekti i shtypur që nuk e duron dot mbikëqyrjen dhe merr mbi vete guximin e flakjes së mbikëqyrësit bashkë me mbikëqyrje. Përkundrazi, suksesi i heqjes së pavarësisë së mbikëqyrur është kurorëzim i pamundësisë për të këputur prangat e mbikëqyrjes së pavarësisë

Me gjithë makinerinë e pandalshme përpunuese, krejt ky proces nuk po ia del pa mbetje. Si për ta prishur spektaklin idilik të heqjes së mbikëqyrjes, EULEX-it po i zgjatet mandati së paku edhe për dy vite vetëm dy ditë para përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur. Kontradikta midis EULEX-it që po rikonfirmohet dhe Republikës që po bëhet “sovrane”, është indikacioni së përfundimi i pavarësisë së mbikëqyrur nuk është fundi i tregimit. Fundi i Planit të Ahtisaarit si dokument i ngurtë juridik nuk është edhe fundi i shkaqeve që kishin kushtëzuar këtë plan; nëse dikur, elita politike e zhytur në korrupsion bënte lëshime Serbisë në shkëmbim të moshapjes së dosjeve nga regjimi ndërkombëtar i interesuar veç për stabilitet, tash që u implementuan këto koncesione, nyja e këtyre marrëdhënieve veç sa është rritur.

Për të vazhduar me korrupsion vendorët duhej zbatuar Planin e Ahtisaarit, për t’u zbatuar Plani i Ahtisaarit, ndërkombëtarët duhet toleruar korrupsionin e vendorëve. Nëse plani ka përfunduar, marrëdhënia e dhunshme ka mbetur; ajo është premisa e një plani të ri. Përfundimi i zbatimit të planit nga negociatat e vjetra është fillimi i negociatave të reja, përfundimi i zbatimit të planit të vjetër shënon fillimin e negociatave për planin e ri. Veçse mos të harrojmë, kjo lëvizje nuk është vicioze, qarku është i hapur, asgjë nuk mbetet si më parë. Sa më shumë zbatime planesh, aq më konformistë. Sa më shumë negociata të reja aq më shumë plane të dëmshme. Dikur kishim negociatat për komunat me shumicë serbe, tash kemi negociatat për statusin politik të veriut të vendit.

E kori vazhdon, përsëritja trulluese e propagandës, shpejtësia që imponon realiteti pamundëson subjektin të shoh kahun e lëvizjes. Vallja festive është stacioni i radhës.

Kosova, ky vend shumetnik, ku dikur nuk pajtoheshin dot shqiptarë, serbë e të tjerë, po lulëzon. Instinktet janë zbutur, gjendja natyrore është tejkaluar. Ua kemi marrë armët, ata nuk i kanë instrumentet e nevojshme mendore për to. Tash jemi të sigurt, mund të llogarisim në arsyen tyre të paarmatosur. Qengji i zbutur, pa ushtri e fuqi ekonomike, por i rryer në diplomaci e i pajisur fort me vlerat evropiane të dialogut do të jetë një bashkëbisedues “konstruktiv”. Gëzuar heqja e mbikëqyrjes së pavarësisë.

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Lufta/ Blinken në Izrael: Moment vendimtar për armëpushimin

Lufta/ Blinken në Izrael: Moment vendimtar për armëpushimin