Disfata 3-1 me përmbysje në klasiken e Shqipërisë kundër Vllaznisë e ka zhytur akoma më shumë Tiranën. Klubi më i suksesshëm në vend, tani ndan vendin e fundit me Flamurtarin, teksa të dy ekipet kanë nga 21 pikë. Në këto kushte, kur kanë mbetur edhe 10 javë për t’u zhvilluar, 4 ndeshjet e ardhshme për bardheblutë do të jenë vendimtare për të mbijetuar.

Fillimisht Tirana do të luajë të mërkurën ndeshjen e kthimit kundër Dinamos për çerekfinalet e Kupës, ndërsa me 8 mars në program është transferta kundër Elbasanit. Pas ndeshjes me verdheblutë Tirana ka 3 duele me kundërshtarët direkt për mbijetesë. Më 14 mars bardheblutë presin Bylisin në Selman Stërmasi, më pas përballen me Vorën dhe në vijim me Flamurtarin. 4 ndeshje kampionati që mund të konsiderohen ‘jetë a vdekje’.

“Ne jemi në pozicion shumë të keq dhe kërkojmë të dalim nga ky vend. Kemi një përballje kupe ku ndeshjen e parë e kemi humbur 2-0. Tani të kërkosh objektiva sezoni kur vijmë pas një humbje është e tepërt. Objektivi ynë është të përmirësohemi, të rregullojmë disa gjëra që duhen me patjetër dhe më e rëndësishme është të gjejmë lojtarët e duhur brenda kontigjentit. Të gjejmë ata që japin maksimumin,”-u shpreh Orges Shehi, trajner i Tiranës.

Trajneri Orges Shehi, i emëruar 1 javë më parë pas largimit të Ardian Nuhiut, thotë se duhet pak kohë që lojtarët e ardhur në janar të përshtaten me njëri-tjetrin, por edhe me kërkesat e tij. Durrsaku përsëriti gjithashtu se pavarësisht pozicionit beson shumë të mbijetesa.

Tirana dhe Flamurtari në kuotën e 21 pikëve, kanë 3 pikë më pak se Bylisi i vendit të tetë dhe 5 më pak se Vora e vendit të shtatë.