Mbikëqyret pavarësia pa veriun e Kosovës

Mbikëqyret pavarësia pa veriun e Kosovës
Institucionet vendëse dhe ato ndërkombëtare pretendojnë që gjatë shtatorit të sivjetmë ta bëjnë Kosovën shtet plotësisht të pavarur, por pa i dhënë zgjidhje problemit të Mitrovicës dhe tri komunave veriore të banuara me shumicë serbe.

Në asnjërin prej 22 amendamenteve kushtetuese dhe 21 ligjeve që i janë nënshtruar ndryshimit me qëllim të mundësimit të bartjes së kompetencave nga prezenca civile ndërkombëtare tek autoritetet vendëse nuk specifikohet veriu si zonë ku Plani i Ahtisaarit nuk ka gjetur zbatim, nga shpallja e pavarësisë më 2008 e deri më sot.

Në një dokument që “Koha Ditore” e ka siguruar brenda Qeverisë kohë më parë, është konfirmuar se çështja e Mitrovicës do të adresohet ndaras. Me Propozimin gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës ishte paraparë që qyteti i ndarë etnikisht nga lumi Ibër, jugu i banuar nga shqiptarë dhe veriu nga serbë, të ndahej edhe në dy komuna që do të udhëhiqeshin nga një bord i përbashkët, pjesë e të cilit do të ishte edhe një anëtar i përfaqësues ndërkombëtar që do të zgjidhej nga Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar. Tani, kur ZCN-së po i skadon mandati dhe të tilla parashikime në plan nuk janë jetësuar, është vendosur të hiqet dorë nga komuna, por jo edhe nga shtyrja përpara e 21 ligjeve që rregullojnë fusha të caktuara, në të cilat prania ndërkombëtare aktualisht ka një rol kyç.

Qeveria e cila në bashkëpunim me ICO-në gjatë përgatitjes së “pakos së ndryshimeve”, për përfundim të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, është përkujdesur t’i fshijë përgjegjësitë e ICO-s dhe ato t’ia bartë kryeministrit.

Amendamentet e propozuara për ndryshim të 21 ligjeve janë inkorporuar brenda një projektligji të vetëm, i cili tashmë është pranuar në Kuvendin e Kosovës.

Përfundimi i mbikëqyrjes së pavarësisë nuk do ta shënojë fundin e misionit për ata që janë emëruar nga ICO-ja.

Gjykatësit ndërkombëtarë, të emëruar në pajtim me Kushtetutën dhe me Ligjin për Gjykatën Kushtetuese, do të vazhdojnë të marrin pagën e tyre të specifikuar sipas kushteve të emërimit të tyre.

Qeveria e Kosovës do të obligohet që të sigurojë fonde për gjykatësit ndërkombëtarë në vlerë të barabartë me pagën e gjykatësve vendorë.

Njëjtë do të veprohet edhe me auditorin e përgjithshëm.

“Auditori i përgjithshëm i emëruar në përputhje me Kushtetutën dhe me këtë Ligj vazhdon të qëndrojë në post deri në përfundim të mandatit dhe me kompensimin e cekur në kushtet specifike të emërimit të tij. Qeveria e Kosovës siguron fonde në vlerë të barabartë me pagën e një qytetari të Kosovës që mban pozitën e njëjtë”, thuhet në pakon e ligjeve që i janë nënshtruar ndryshimit.

Me projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e 21 ligjeve, Qeveria është përkujdesur t’i avancojë të drejtat e komuniteteve pakicë. Në këtë vazhdë, ajo ka ofruar zgjidhje për statusin e Kishës ortodokse serbe nëpërmjet plotësimit të Ligjit për lirinë fetare.

Me amendamentet e propozuara kjo kishë konsiderohet si pjesë përbërëse e Kishës Ortodokse Serbe (KOS).

“Emri dhe organizimi i brendshëm i Kishës Ortodokse Serbe, duke përfshirë edhe hierarkinë dhe veprimtaritë e saj, do të respektohen”, thuhet në propozimin Qeverisë.

Veç statusit, është garantuar siguri dhe liri e lëvizjes brenda territorit të Kosovës për të gjithë përfaqësuesit e kësaj kishe.

“Pavarësia e plotë”, përveç në veri, nuk do të ndihet as në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Kjo forcë do të vazhdojë të mbetet e dizajnuar dhe e përgatitur për të përmbushur funksionet e sigurisë që nuk i përkasin policisë apo organizatave të tjera për zbatim të ligjit.

“Forca e Sigurisë e Kosovës është e armatosur lehtë dhe nuk do të ketë armë të rënda, siç janë tanket, artileria e rëndë apo kapacitete sulmuese ajrore. Një rishikim i plotë i këtyre kufizimeve, do të bëhet jo më herët se pesë vite nga koha e hyrjes në fuqi e Ligjit Nr.03/L-046 për Forcën e Sigurisë së Kosovës… “, thuhet në amendamentin e propozuar për ndryshim.

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Sekretari Blinken kritikon Kinën gjatë takimit të Azisë Juglindore

Sekretari Blinken kritikon Kinën gjatë takimit të Azisë Juglindore