Mbledhja e Byrosë, 10 shtator ‘83/ Ramiz Alia: Shoku Enver, një ditë më erdhi zyrtarisht në zyrë, nëndrejtori i PTT-ve, Sokoli dhe më tregoi se si qëndronte e vërteta e përgjimit të telefonave tanë

Mbledhja e Byrosë, 10 shtator ‘83/ Ramiz Alia: Shoku Enver, një ditë më erdhi zyrtarisht në zyrë, nëndrejtori i PTT-ve, Sokoli dhe më tregoi se si qëndronte e vërteta e përgjimit të telefonave tanë

Pjesa e gjashtëmbëdhjetë

Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (Fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat përmbajnë siglën “Sekret” e “Tepër Sekret” dhe i përkasin një periudhe nga janari i vitit 1982 e deri në shtatorin e vitit 1983, ku ndodhet një dosje voluminoze me, proces-verbale mbledhjesh të Sekretariatit të Komitetit Qendror dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, mbledhje të cilat janë kryesuar nga sekretari i Përgjithshëm i saj, Enver Hoxha, ku kanë asistuar: Ramiz Alia, Adil Çarçani, Manush Myftiu, Hekuran Isai, Rita Marko, Pali Miska, Hajredin Çeliku, Haki Toska, Simon Stefani, Lenka Çuko, Muho Asllani, Vangjel Çerrava, etj., si tema kryesore janë analizat rreth “veprimtarisë armiqësore” të Mehmet Shehut dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, që nga Fadil Paçrami, Todi Lubonja, Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako, Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela, Vasil Kati, Kadri Hazbiu, Fiqret Shehu, Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, etj.

Në dosjen që disponon Memorie.al, përveç analizës së “veprimtarisë armiqësore të poli-agjentit Mehmet Shehu dhe bashkëpunëtorëve të tij Beqir Balluku te Kadri Hazbiu”, në mbledhjet e Byrosë Politike dhe takimet ditore të Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, janë marrë në analizë edhe veprimtaria e Ministrisë së Punëve të Brendshme e Sigurimit të Shtetit, me agjenturën e bashkëpunëtorët e saj, brenda e jashtë vendit, raportet e marrëdhëniet e shtetit shqiptar me vende të ndryshme të botës, si: SHBA-ës, Bashkimi Sovjetik, Gjermania Perëndimore, Anglia, Spanja, Italia, si dhe ato me fqinjët, si Greqia e Jugosllavia e demonstratat në Kosovë, si e paraqiste shtypi botëror Shqipërinë Socialiste, bisedimet me Gjermaninë Perëndimore për pagesat e reparacioneve të Luftës, takimet e bisedat me kryetarët e partive marksiste-leniniste të vendeve të ndryshme të botës, si Ernst Aust, Zhoao Amazonas, Fosko Dinuçi, etj., lidhur me “vetëvrasjen e Mehmet Shehut”, problemet e emigracionit politik shqiptar, në shtete të ndryshme të botës, e ndryshimin e kursit të shkëmbimit të dollarit në dërgesat, që ata bënin për të afërmit e tyre në Shqipëri e deri te probleme të shumta ekonomike, që nga industria e rëndë, hidrocentralet mbi kaskadën e lumit Drin, importi dhe eksporti i energjisë, etj., etj.   

Dokumenti “Tepër sekret” me proces-verbalin e takimit ditor të sekretarëve të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 10 shtator 1983, ku diskutua: “Mbi përfundimin e gjyqit të elementëve armiq të mbetur nga kasta e Beqir Ballukut dhe mbi domosdoshmërinë e përtëritjes së kuadrit në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe të organeve që varen prej saj”.

TAKIM DITOR I SEKRETARËVE TË KOMITETIT QENDROR TË PARTISË MË 10 SHTATOR 1983

Tepër Sekret

Në këtë takim, në të cilin morri pjesë edhe shoku Hekuran Isai, u diskutua fillimisht mbi përfundimin e gjyqit të elementëve armiq të mbetur nga kasta e Beqir Ballukut dhe mbi domosdoshmërinë e përtëritjes së kuadrit në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe të organeve që varen prej saj, për edukimin e tyre me frymë të shëndoshë partie, për nevojën e gjithashtu të gërshetimit me kujdes të kuadrove të vjetra me të reja edhe në organe të tjera, mbi domosdoshmërinë e vendosjes së një pune të partishme në organet e Punëve të Brendshme dhe mbi kujdesin që duhet të bëhet për të dalluar vërejtjet e drejta nga prirjet me qëllime armiqësore, për kujdesin e një pune parandaluese e shëruese me njerëzit në frymë partie, mbi sigurimin e udhëheqjes së Partisë në organet e Punëve të Brendshme, si dhe për strukturën dhe kompetencat në organet e Sigurimit.

SHOKU HEKURAN ISAI: P.sh., i çojmë Ministrisë së Energjetikës sinjalizime për një situatë jo të mirë, në një nga sektorët që mbulon ajo. Përpara paska qenë rregull që në një rast të tillë se ministria që sinjalizohej, ishte e detyruar që ti jepte përgjigje me shkrim Ministrisë së Punëve të Brendshme, për masat që kishte marrë.

Sipas kësaj praktike, dikasteri ynë duhet të presë përgjigjen zyrtare nga të gjitha dikasteret, kur secilit ministër i bëjmë të ditur një situatë jo të kënaqshme, në një nga sektorët e vet. Dhe këtë e bëjmë, që ta shohë e të marri masa që të përmirësojë gjendjen.

Meqë ka qenë një rregull i tillë, edhe Farudin Hoxha, më tha: “Më fal se nuk të kam dërguar dot akoma, përgjigjen e një shkrese”. “Ç’është ajo shkresë që kërkon të më dërgosh” i kërkova sqarim unë. “Unë, të kam ngritur disa probleme që na kanë dalë neve për Komanin, që ti mund dhe duhet t’i zgjidhësh. Nëse pas këtij njoftimi konstatoj, që ti nuk merr masa për të ndrequr gjendjen, po të më dalë dhe njëherë përpara kjo çështje, unë do ta çoj në Komitetin Qendror. Prandaj s’ka ç’më duhet shkresa, pasi rëndësi ka çështja që të merrni masa, për të përmirësuar gjendjen jo të mirë që të kemi vënë në dukje”.

Me këtë dua të them se është praktikuar zhvillimi i njëfarë korrespondence midis dikastereve dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme për çështje të tilla, sikur të gjitha ministritë për sinjalizimet që u japim ne, janë të detyruar të na japin përgjigje. Dhe në fakt me të tilla përgjigje, është krijuar një arkiv i tërë tek ne.

SHOKU RAMIZ ALIA: Dhe krijohet kështu një arkiv jo i drejtë, se në fund të fundit, Ministria e Punëve të Brendshme, si organ i posaçëm ka për detyrë vetëm të sinjalizojë. Sigurimi i Shtetit, natyrisht që disponon të dhëna nga agjentura ku ta zëmë, në hidrocentralin e Komanit vihen re disa shfaqje, që të bëjnë përshtypje prandaj, me shumë të drejtë Ministria e Brendshme, këto ja bën të njohura Ministrisë së Ndërtimit.

Mirëpo kjo minis SHOKU HEKURAN ISAI: Unë po të shoh se çështjes, nuk i jepet rëndësia e duhur nga ministri përkatës, njoftoj Kryeministrinë ashtu si edhe juve këtu, Komitetin Qendror. Për problemin e dhënies së vizës anëtarëve të Partisë, që doli këtu mendoj që të veprojmë ashtu siç thoni ju shoku Enver, t’ju vihet pa vonesë vula në pasaportë dhe këta të nisen atje ku kanë për të shkuar.

E kam fjalën natyrisht për kuadrot, veçse është e domosdoshme që propozimet të bëhen nga dikasteri dhe ato ti shoh Komiteti i Partisë së rrethit, përpara se këto lista të na vijnë neve, në mënyrë që ta dimë se Partia këto kuadro që duan të shkojnë jashtë, i ka parë.

Kështu që, kur të na vijë propozimi për ta, ta dimë nëse pëlqimi nga ana e Komitetit të Partisë, është dhënë. Në këtë rast ne, e kemi detyrën që ta japim menjëherë vizën, dhe s’kemi të drejtë të sjellim asnjë pengesë.

SHOKU ENVER HOXHA: Sigurisht që s’keni të drejtë të bëni asnjë pengesë, në rast se e ka dhënë pëlqimin Komiteti përkatës i Partisë. Ju vijni vulën, dhe personi i caktuar niset menjëherë jashtë shtetit, dhe përgjegjësi mban Komiteti i Partisë.

SHOKU HEKURAN ISAI: Sigurisht që ai mban përgjegjësi. Ne po të kemi ndonjë gjë të jashtëzakonshme për ndonjë komunist, këtë ja bëjmë të njohur menjëherë Sekretarit të Partisë së rrethit, që ta shikojë dhe ta gjykojë vetë, Komiteti i Partisë se, çfarë do të bëhet me të.

SHOKU ENVER HOXHA: Po ashtu duhet të veprohet, drejt e ke.

SHOKU HEKURAN ISAI: Ne pra, nuk na përket që të bëjmë verifikime për komunistët dhe për kuadrot e nomenklaturës së Komitetit Qendror dhe Qeverisë. Për këto zëra, duhet të jepet menjëherë vula nga ana e organeve tona.

SHOQJA LENKA ÇUKO: Ka edhe një gjë që duhet pasur parasysh këtu shoku Enver, Komitetet e Partive në rrethe, nuk pyeten fare për ata komunistë që nga ana e dikastereve ku punojnë, dërgohen jashtë me punë ose me studime.

tri, përse u dashka që ti raportojë Sigurimit të Shtetit që çështja është kështu apo ashtu, dhe se morëm këtë apo atë masë?! Ajo nuk ka punë më me Sigurimin, vetëm e ka për detyrë që të marrë masa vetë, dhe ta pastrojë situatën jo normale që është krijuar. Dhe Ministria e Brendshme, e merr vesh shpejt në rast se ministri përkatës e normalizoi atë situatë, ose jo, dhe nëse mori masat e duhura apo jo.

SHOKU HEKURAN ISAI: Për ata që vendos Komiteti i Partisë, se duhen dërguar jashtë, t’ju jepet vula dhe nuk ka se pse të diskutohet fare nga ana jonë kjo çështje.

SHOKU RAMIZ ALIA: Me këtë sy, duhen parë të tëra këto çështje.

SHOKU ENVER HOXHA: Të gjitha këto kanë rëndësi të madhe, prandaj duhen ri caktuar me kujdes, dhe duhen formuluar qartë këto çështje.

SHOKU HEKURAN ISAI: Si urdhëroni, do t’i normojmë të tëra ne këto.

SHOKU RAMIZ ALIA: Jo, në atë kuadër që ju na folët para disa ditësh, shoku Enver.

SHOKU HEKURAN ISAI: Po, po, ne po vazhdojmë me rishikimin dhe përcaktimin e normave në atë frymë që na porositët ju atë ditë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Edhe biseda e sotme, vazhdim i bisedës së asaj dite është, ku diskutuam që duhen normuar disa nga këto çështje, dhe kështu është e drejtë të bëhet.

SHOKU ENVER HOXHA: More unë i kam anëtarë partie këta, që janë aktivë në drejtim të udhëheqjes së masave, që njohin dhe janë të qartë për të gjitha problemet që shtron Partia, prandaj si të mos ju jepet e drejta për të dalë jashtë shtetit?!

SHOKU RAMIZ ALIA: Si nuk qenkan të besuar, këta që dalin jashtë shtetit?! Kjo nuk shkon fare, shoku Enver.

SHOKU ENVER HOXHA: Përse të pyetet Ministria e Punëve të Brendshme, për anëtarët e Partisë?! Një praktikë e tillë, është mbeturinë e pikëpamjeve armiqësore sipas të cilave Sigurimi i Shtetit, duhet të kontrollojë Partinë, të kontrollojë Komitetin Ekzekutiv, pra pushtetin. Kjo do të thotë se punonjësit e Sigurimit të Shtetit, qenkan të pagabueshëm. Kështu na del kjo çështje.

SHOKU HEKURAN ISAI: Po tha diçka një punonjës i Sigurimit të Shtetit, të tjerët e merrnin apriori.

SHOKU ENVER HOXHA: Merret sikur ishte e prerë dhe shumë e sigurt, çdo gjë që thoshte një punonjës i Sigurimit të Shtetit. Por përderisa tërë koka e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka qenë në pozita armiqësore, pa diskutim që bëheshin dhe veprime të palejueshme ndaj një kuadri të mirë e besnik. Dikasteri përkatës, mund ta dërgonte atë jashtë shtetit, por Kadri Hazbiu kishte mundësi që të informonte UDB-në që, kur ky të shkonte jashtë, UDB-ja të bënte orvatje për ta kompromentuar.

Dhe kur ai të kthehej, t’i thuhej në dikasterin përkatës, se: “në bazë të një informate që kemi, ky person është lidhur me agjentët e UDB-së dhe ti si ministër ose zëvendësministër, që i dhe leje, nuk ke qenë vigjilent”. Të gjitha ligësitë, i bënin armiqtë që kishim në krye të Ministrisë së Brendshme.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po ja dhe ajo që tha tani Hekurani, kërkesa që ju bëhet ministrave për t’i dhënë përgjigje Ministrisë së Punëve të Brendshme, se ç’masa janë marrë nga informacionet që jepte kjo për çdo sektor, i është dashur për interesat e tij Kadri Hazbiut me qëllim që nesër, po të ndodhte diçka në sektorët që ata mbulonin, t’i denigronin duke ju thënë: “ti na ke informuar se çdo gjë atje është në rregull, madje na e ke dhënë dhe me shkrim. Mirëpo shiko pak atje se ç’ndodhi?! Kjo do të thotë se ty të mungon vigjilenca”. Kjo, përdorej si një mjet për të kompromentuar ministrat.

SHOKU HEKURAN ISAI: Për t’i pasur në dorë.

SHOKU ENVER HOXHA: Këta armiq, punonin që neve të tërëve të na kishin në dorë, jo vetëm me ato që thamë, por të na kontrollonin dhe korrespondencën tonë, të na survejonin dhe telefonat. Ju kujtohet “ankesa”, që na thoshte Mehmet Shehu se, dikush po i përgjonte telefonat?! Sigurisht që ajo nuk ishte asgjë, pasi e vërteta ishte se, armiqtë na i përgjonin telefonat, dhe këtë na e bënin kundër të tërë neve.

SHOKU HEKURAN ISAI: Me këtë, ata donin të tërhiqnin vëmendjen sikur gjoja, ishte dikush që po i përgjonte, kur në fakt po na përgjonin ata neve.

SHOKU ENVER HOXHA: Unë kisha pyetur njëherë nëse numrat e telefonave tanë, janë të sigurt dhe më janë përgjigjur që të sigurt janë, se centralet i kishin mbyllur me vula me dyllë, dhe nuk hynte dot njeri tek makineritë. Por këtë, unë nuk e besoj, pasi atje futeshin njerëz të caktuar nga ana e tyre.

SHOKU RAMIZ ALIA: Me që e hapët si diskutim, po ju raportoj se ne e kemi zgjidhur këtë çështje, shoku Enver. Më erdhi një ditë zyrtarisht në Komitetin Qendror Nën-Drejtori i PTT-së, Sokoli dhe më parashtroi se donte të diskutonte një çështje me mua.

Ishte pikërisht problemi i kontrollit të telefonave të brendshëm e të jashtëm. Ai më tregoi historinë se si qëndron kjo çështje. Në bazë të platformës Sigurimi i Shtetit, ka të drejtë që kur ka të dhëna, të ushtrojë kontroll të telefonave ndaj elementit armik.

SHOKU ENVER HOXHA: E ka të drejtë Sigurimi i Shtetit, dhe ne duhet t’ja lëmë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Unë, e kam fjalën për teknikën tani. Në postë, është caktuar një njeri që mban në mbikëqyrje fijet e telefonave (ndërpritet incizimi).

SHOKU ENVER HOXHA: Ne, nuk duhet të lejojmë elementët armiq që të na denigrojnë, organet e Sigurimit të Shtetit.

SHOKU HEKURAN ISAI: Që të përpiqen të hedhin baltë mbi organet e Sigurimit të Shtetit, që janë organe të Partisë.

SHOKU ENVER HOXHA: Duhet të kemi shumë kujdes në këto çështje se armiku, i ka shtuar presionet ndaj Partisë dhe organeve të Diktaturës së Proletariatit.

SHOKU HEKURAN ISAI: Jo vetëm ka shtuar presionet, por dhe ka përsosur cilësinë e punës së vet.

SHOKU ENVER HOXHA: Ka përsosur dhe cilësinë e punës së vet, dhe kërkesat nga agjentura. Prandaj arma e Sigurimit duhet të jetë kurdoherë vigjilente, e fortë, dhe e mprehtë, në luftën kundër armiqve, të ruajë ekuilibrin, dhe të mos bëjë lëshime, të mos priret nga liberalizmi.

SHOKU HEKURAN ISAI: Jo, lëshime nuk bëjmë dhe nuk kemi për të bërë kurrë ne, shoku Enver. Nuk do të biem në ekstremizmit e metodat e punës së armiqve.

SHOKU ENVER HOXHA: Këto që diskutuam, duhet të realizohen mbi baza parimore Partie. Njëri mund të jetë caktuar si punëtor i Sigurimit të Shtetit në një sektor, që është dhe njeri partie. Nëse Sekretari i Organizatës Bazë të Partisë në një qendër pune, i hap mirë sytë, gjithashtu duhet t’i hapë mirë sytë edhe punëtori i Sigurimit të Shtetit, dhe në këtë rast nuk ndodh asgjë e keqe.

Në rast se ata do të flenë, armiku me siguri do të na dëmtojë. Punëtori i Sigurimit, e di përgjegjësinë që ka Sekretari i Partisë, dhe atë që ka ai vetë. Në rast se përgjegjësi i Degës së Punëve të Brendshme shikon, fjala vjen që disa persona në udhëheqje të organizatës së Partisë ose të Pushtetit, priren nga liberalizmi, në bazë të vijës së Partisë së pari, nuk duhet t’i lejojë vetes që të bjeri në pozitat që mund të kenë rënë njerëzit e Partisë e të Pushtetit, dhe ta vejë Degën e Brendshme, në një situatë të vështirë.

Por Kryetari i Degës, ka në dorë ato mundësi që ja ka krijuar Partia, për të kryer detyrën, informatorët, dhe bashkëpunëtorët, e tij. Ai duhet të përpiqet që këta informatorë, të jenë njerëz të mirë dhe të pastër, prandaj duhet të punojë me kujdes për këtë qëllim me ta, të përpiqet gjithashtu që të mos duket se punon posaçërisht me ta, dhe t’i mbajë vazhdimisht veshët të hapur dhe sytë e mprehtë, se për këtë qëllim e ka vënë Partia.

Ai duhet të jetë njëkohësisht gjakftohtë dhe të përpiqet që të gjykojë thellë e me objektivitet, për çdo veprim apo shfaqje të huaj. Edhe po të qëllojë që Sekretari i Partisë, bën lëshime në linjën e tij, ky nuk duhet ti lëshojë, edhe po ta akuzojnë që ecën në linjën e vjetër. Në të kundërtën ai duhet të bëjë përpjekje, që të ecë në rrugën e Partisë.

Nëse shikon që Sekretari i Partisë, në ndërmarrje apo në kooperativë, shoqërohet e shkon nëpër ahengje, dasma, dreka, dhe darka, ha e pi me elementë armiq, të deklasuar, e të degjeneruar, që punëtori i Sigurimit të Shtetit i njeh mirë se ç’janë, të gjitha këto qëndrime që mban ky sekretar partie, ai do ja thotë Partisë që, kështu po ngjet me këtë shok, që po ha e po pi me njerëz jo të mirë, që shkon pas grave, e të tjera si këto.

Punëtori i Sigurimit të Shtetit, si kuadër me përgjegjësi e ka për detyrë t’ja thotë Partisë këto sjellje jo të hijshme të Sekretarit se me to ai diskrediton Partinë. Në të kaluar ai, mund t’ja thotë dhe vetë Sekretarit sjelljet jo korrekte që i ka vënë re, ti tregojë se, te dasma ku ka shkuar, ka mësuar që atje ishin dhe disa njerëz jo të mirë, që ky i ka nën vëzhgim.

Dhe meqenëse Partia më ka mësuar të jem vigjilent, këto po t’i vë në dukje dhe nuk e kuptoj se, si shkon ti e përzihesh me ta! “Hë more shokë, s’ka gjëkafshë kushedi, se mbase mund të ishte dhe ndonjë që nuk është në rregull, po çdo të bëjë mua ai”, mund të thotë sekretari. “Mirë, mirë, t’i thotë punëtori i Sigurimit, unë e kam për detyrë që të ta vë në dukje, dhe do t’ja tregoj edhe Partisë”.

Dhe shkon e informon Sekretarin e Komitetit të Partisë të rrethit që ta ketë parasysh këtë shok në atë sektor, duke sinjalizuar që vërejtjen dhe mendimin që ia tha Sekretarit të Organizatës, ky nuk e mori parasysh, dhe e nënvlerësoi si diçka jo serioze. Pra punëtorët e Sigurimit të Shtetit, duhet të jenë të ekuilibruar, të mos jenë as sektarë, dhe as liberalë.

SHOKU HEKURAN ISAI: Të dyja këto si liberalizmi ashtu dhe sektarizmi, janë të rrezikshme, shoku Enver.

SHOKU ENVER HOXHA: Ashtu janë, të rrezikshme. Mund të ndodhë që ndonjë Sekretar Partie të mos e kuptojë si duhet detyrën dhe rëndësinë e armës së Sigurimit të Shtetit, ashtu si edhe domosdoshmërinë e varësisë së saj nga vija e Partisë, dhe jo nga Sekretari i Partisë si individ. Sekretari i Partisë duhet ta kuptojë që Partia i ka dhënë disa funksione këtij organi, ashtu siç i ka dhënë dhe kompetencat edhe vetë sekretarit në linjën e tij.

Prandaj ky nuk mundet që t’i shpërdorojë ato kompetenca e të sillet në mënyrë arrogante duke qëndruar, sikur ka kaluar mbi to. As punëtori i Sigurimit të Shtetit, nuk duhet ta lejojë atë që të kalojë në mënyrë ilegale jashtë normave të Partisë, pasi edhe ky është një mbrojtës i vijës dhe shikon që, mënyrat e punës së tij, nuk mund të kalojnë, ato nuk janë forma pune partie.

Prandaj këshillohet ekuilibër nga të dy anët. Ka njerëz sidomos në bazë, që mund të hidhen nga ana tjetër, siç vepronte përpara ai i Sigurimit, që ja tani e mori në dorë situatën Partia dhe ky i Sigurimit, të mos e hapi shumë gojën, e të vijë dhe t’ja thotë sekretarit të gjitha çështjet. Është i domosdoshëm një kuptim i thellë i këtyre çështjeve. Memorie.al

U pa nga Haxhi Kroi

Tiranë 10.9.1983

A.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    I kishte mbetur 1 vit e 8 muaj burg, gjykata liron Tahirin. Si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Tensionet në veri, Rama intervistë për BBC: SHBA dhe BE kanë të drejtë, Kurti jo! Kosova dhe Serbia të ulen në tryezën e bisedimeve

Tensionet në veri, Rama intervistë për BBC: SHBA dhe BE kanë të drejtë, Kurti jo! Kosova dhe Serbia të ulen në tryezën e bisedimeve