Zbardhen dokumentet e deklasifikuara të CIA-s të vitit 1951: Roli i Mehmet shehut në vdekjen e ministrit të Transporteve!

Zbardhen dokumentet e deklasifikuara të CIA-s të vitit 1951: Roli i Mehmet shehut në vdekjen e ministrit të Transporteve!

CIA ka zbardhur detajet e kongresit të Sigurimit të Shtetit të mbajtur më 1952. Përmes një artikulli të deklasifikuar, tregohen fjalimet e Mehmet Shehut dhe Kadri Hazbiut. Një pikë e rëndësishme në diskutime ka qenë dhe për moralin e pjesëtarëve të Sigurimit të Shtetit. Nga ana tjetër, aty deklarohet se gjatë kohës që diskutohej për Sigurimin, Mehmet Shehu, u njoftua për vdekjen e ministrit Niazi Islami.

E përditshmja greke “Messager d’Athenes”

Refugjatët shqiptarë përshkruajnë gjendjen e vështirë

Sipas refugjatëve të ardhur kohët e fundit në Greqi, 90 për qind e popullsisë është fuqimisht anti-komuniste dhe urrejtja për regjimin shtohet dita-ditës. Por gjithsesi mundësitë për veprim klandestin, janë shumë të kufizuara. Qeveria komuniste e mban popullatën nën kontroll, me masa mizore shtypëse, por gjithsesi janë dalluar akte rezistence. Në muajin shkurt, tetë antikomunistë të veshur me uniforma policia, hynë në fshatin e Hoçisht pranë Korçës dhe vranë komunistin Festim Kajo.

Ndërsa në Zemblak, persona të paidentifikuar i vunë zjarrin hambarëve dhe kasolleve të veglave të kooperativës vendore. 22 persona u arrestuan më 19 mars 1951, dy prej të cilëve u dënuan me varje dhe dy me burgim të përjetshëm. Prokurori “gjyqit” ishte Loni Dimoshi. Abdul Kalaja, një nga të dënuarit me varje, pranoi se sabotazh ishte kryer me urdhër të grupeve të rezistencës së armatosur të zonës, me të cilët ai kishte qenë në kontakt në Zemblak, Eçmenik dhe Cangonj. Tre oficerë dhe 12 ushtarë të njësisë së Pogradecit u arratisën kohët e fundit drejt Jugosllavisë.

Në fund të janarit 1951, ka pasur një demonstratë para një furre buke në Korçë, ku një civil u rrah për vdekje nga policia, prandaj më vonë njerëzit e quanin vendin; “Furra e vdekjes”. Në fillim të marsit 1951 në Tiranë, grupe anti-komuniste raportohet të kenë sulmuar ambasadën sovjetike me armë automatike dhe me një bombë. Aty u plagosën disa zyrtarë të lartë sovjetikë dhe një zyrtar shqiptar. Thuhet se mes personave të akuzuar për incidentin, ishte ministri Tuk Jakova, gjenerali Beqir Balluku, Myslim Peza, dhe Timo Dimoshi, anëtar i Komiteti të Partisë së Korçës.

Autoritetet komuniste kanë shtuar arrestimet ndaj grupeve të ashtu-quajtura anti-komuniste. Refugjatët që vijnë në Greqi, flasin për kampe përqendrimi dhe pune të detyruar në Tepelenë, në Fermën e Kamzës (e quajtur “Ylli i Kuq”) si dhe në Valias pranë Tiranës. Qeveria shqiptare po kryen një fushatë të gjerë propaganda, për të bindur popullatën se nga çasti në çast, Greqia do të sulmojë Shqipërinë, por këto lajme tashmë priten me indiferencë nga populli.

Fshatarët detyrohen t’i bashkohen kooperativave prej frikës së punës së detyruar. Banka e Shqipërisë, thotë se ofron hua për fshatarët, deri në 10.000 lekë, por asnjë prej tyre nuk interesohet, pasi vetëm një dëm kushton 12.000 lekë. Popullata rurale merr shumë më pak ushqim, se ajo e qytetit. Familjet fshatare marrin çdo muaj një sasi vajguri, por produkte si vaji, orizi, sapuni, etj., nuk jepen për fshataret. Fshatarët duhet të dorëzojnë te shteti 44 kg, grurë për hektarë, 49 kg, misër dhe 35 kg. panxharë dhe përveç kësaj, ata duhet të paguajnë taksa sipas masës së tokës që përdorin.

Rroga e punëtorëve është nga 80 deri në 150 lekë në ditë, ndërsa punonjësit e minierave, marrin 250 lekë në ditë. Çmimet e mallrave janë shumë të shtrenjta; 1 kg. misër kushton 80-100 lekë, kurse një kg. grurë, 120-140 lekë. Një kostum pambuku kushton rreth 10.000 lekë, kurse një palë këpucë, kushtojnë 1500-2000 lekë. Shumica e popullsisë beson se lufta është e paevitueshme dhe do të mirëprisnin një konflikt, për të hequr qafe regjimin komunist.

Kongresi i oficerëve të Sigurimit

Më 25 shkurt 1950, deri më 1 mars, u zhvillua një takim i oficerëve të Sigurimit, në Tiranë, në një ndërtesë rreth 200 metra larg ish-Pallatit të Mbretit Zog. Takimi ishte i pari që prej ekzekutimit të ish-ministrit të Brendshëm, Koçi Xoxe dhe ardhjes në post të Mehmet Shehut. I pari që mori fjalën ishte Mihallaq Zilishti, zëvendësministri i Brendshëm, i cili sapo ishte kthyer nga një turne inspektimi në qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë. Ai numëroi përparimet dhe pengesat e disa organeve dhe shpjegoi se përse mendonte se nuk po funksiononin.

Më 26 shkurt, ministri i Brendshëm Mehmet Shehu, foli gjatë mbi temat e mëposhtme:

Pas Mehmet Shehut, fjalën e mori Kadri Hazbiu, i cili parashtroi funksionet e seksioneve të ndryshme të organizatës, duke bërë krahasimet e rezultateve. Më 27 shkurt 1950, gjatë kohës që Mehmet Shehu ishte në takim, erdhi një oficer dhe i dha një shënim. Pas leximit të shënimit, Shehu u ngrit dhe u kthye vetëm pas një ore. Kur u kthye Shehu, deklaroi se Niazi Islami, ministri i Transporteve, kishte kryer vetëvrasje. Islami u varros më vonë nga familja e tij, pa nderime shtetërore.

Më 1 mars 1950, një grup prej 400 oficerësh (250 agjentë të Sigurimit, dhe rreth 150 krerë të policisë) shkuan në Shkollën e Policisë për të dëgjuar fjalimin mbyllës të Kongresit të Sigurimit, nga udhëheqësi Enver Hoxha. Hoxha ngriti lart punën e Sigurimit dhe i tërhoqi vërejtjen oficerëve që nuk kishin kuptuar frymën e regjimit. Ai ngriti lart gjithashtu Stalinin “e madh” dhe premtoi një të ardhme të shkëlqyer, për Shqipërinë.

Botuar nga “Shqipëria e Lirë”, Romë

Rezistenca masive mes zyrtarëve komunistë

Prej disa kohësh puna e zyrtarëve të vegjël të administratës komuniste, nuk i ka kënaqur rrethet e larta të partisë. Shefat e mëdhenj janë të shqetësuar, se po bie dita ditës numri i zyrtarëve që pranojnë të spiunojnë për anëtarët e partisë. Kjo mund të vijë si rezultat i humbjes së besimit në stabilitetin e regjimit aktual, dhe rrjedhimisht i tremben komprometimin në sytë e popullit, ose të një qeverie pasardhëse. Ata kërkojnë që gabimet e të shkuarës, të harrohen. Organizatat e partisë, veçanërisht në qendra larg Tiranës, nuk kanë kryer detyrat e tyre; ata nuk janë paraqitur rregullisht në takime, dhe kur paraqiten, nuk diskutojnë hapur për problemet.

Zyrtarët e organizatave vendore nuk përdorin kritikën dhe vetë-kritikën, pasi as nuk duan që të vihen në lojë nga shokët e tyre dhe as nuk duan të prishen me ta. Por vetëm i tremben vetëm atyre që japin urdhrat nga Tirana, sipas direktivave të shefave sovjetikë. Instruktorët e partisë, nuk kanë mbajtur lart standardet profesionale, apo ato marksiste-leniniste, dhe drejtuesit e partisë ankohen për mungesë raportimesh të aktiviteteve të komunistëve dhe jo-komunistëve. Shumica e zyrtarëve, nuk dëshirojnë të marrin përgjegjësitë e punës së tyre dhe tregohen tepër tolerantë, me anëtarët e tjerë të partisë. Hierarkia e partisë i akuzon instruktorët për sentimentalizëm dhe mungese të frymës revolucionare, në marrëdhëniet e tyre me vartësit dhe superiorët.

Shumica e zyrtarëve që kanë qenë aktivë në Luftën Nacional-Çlirimtare ishin të rinj dhe pa eksperiencë, ndërsa tani ata po joshen vetëm nga premtimi i karrierës. Këto sjellje që mund të përkufizohen si sabotazh, vijnë gjithashtu nga frika e komprometimit në sytë e masave, dhe i kanë bërë ata eksponentë të rezistencës pasive. Këto faktorë së bashku me përçmimin që populli ka për zyrtarët e partisë, kanë ndihmuar në krijimin e një marrëveshjeje të heshtur bashkëjetese, mes njerëzve dhe zyrtarëve të ulët të organizatave komuniste, në shumë fshatra e lokalitete, kryesisht malore. Qeveria komuniste vazhdon të trumbetojë arritjet e mëdha për mirëqenien e popullit, veçanërisht të punëtorëve.

Ata pretendojnë se kushtet e krijuara nga diktatura e proletariatit, janë më të përshtatshmet për zhvillimin komunist. Javën e kaluar në një fjalim për partinë, Mehmet Shehu theksoi; “rolin udhëheqës të klasës punëtore”, por e vërteta është se kushtet e mjerueshme të punëtorëve, janë akuza më e rëndë e mashtrimit dhe paturpësisë për Partinë Komuniste. Mjafton të vizitosh shtëpitë e punëtorëve të Fabrikës së Orizit në Vlorë, ku dhjetë punëtorë jetojnë në një dhomë, në një shtëpi pranë fabrikës. Aty mungojnë dhe kushtet më minimale, ndërsa gjendja sanitare është e mjerueshme. Në darkë, dhomat ndriçohen me fenerë, ndërsa dhoma e ngrënies, nuk ka dritare.

Çdo mbrëmja pas punës, punëtorët duhet të të presin 45 minuta për të marrë racionin e ushqimit, dhe më pas të kthehen në dhomën e ngrënies, ku shpeshherë derën e gjejnë mbyllur. Deri tani burokracia shtetërore, veçanërisht grup i agjitacion-propagandës, ka bërë çdo lloj premtimi për të qetësuar njerëzit, duke u thënë se kjo fazë do të marrë fund së shpejti dhe se ata duhet të kenë durim, pasi me sakrificat e tyre, po ndërtohet socializmi. Por punëtorët janë të lodhur nga premtimet e kota dhe e kanë shprehur pakënaqësinë e tyre me protesta, që nuk do të guxonin t’i bënin më parë. Ata që nuk i pranojnë urdhrat për sakrifica, nuk e kuptojnë se përse udhëheqësit e lartë jetojnë në luks në kurriz të punëtorëve.

Burimi: Vneshniaia TorgovliaK. ViriasovV. Martinov

Në janar 1952, populli shqiptar shënoi gjashtë vjetorin e shpalljes së Republikës Popullore të Shqipërisë me përmirësime të mëdha politike dhe të forcës së punës. Vitet pas shpalljes së Republikës, ishin një përpjekje e suksesshme e popullit shqiptar, për të forcuar sistemin demokratik dhe për ndërtimin e bazave të socializmit. Republika Popullore e Shqipërisë, me mbështetjen e fuqishme të Kampit Demokratik dhe socializmit të udhëhequr nga Bashkimi Sovjetik, është duke ndjekur me sukses rrugën e ndërtimit të shtetit demokratik të popullit dhe zhvillimit të pavarur të ekonomisë e kulturës. Faktori më i rëndësishëm i përmirësimit të ekonomisë, është zbatimi i planit 2-vjeçar ekonomik 1949-1950.

Me gjithë shkatërrimin e madh të shkaktuar nga lufta, volumi i prodhimit pas planit 2-vjeçar, e kaloi konsiderueshëm prodhimin e para-luftës. Në vitin 1950, prodhimi u rrit me më shumë se 3.7 herë, në industrinë minerare dhe më shumë se tre here, në fabrika. Prodhimi në çerekun e tretë të vitit 1951, u realizua me 105 për qind. Volumi i punës u rrit me 47 për qind, në krahasim me çerekun e tretë, të vitit 1950. Në vitin 1951, ndërmarrjet e rëndësishme për ekonominë kombëtare, si ato të pambukut, Hidrocentrali “Lenin”, Fabrika e Sheqerit me kapacitet 10.000 ton në vit, Kombinati Tekstileve, u vunë në funksion. Fabrika e Sheqerit dhe industria tekstile, plotësuan nevojat e të gjithë vendit me sheqer dhe veshje. Pajisjet për ndërmarrjet u furnizuan nga Bashkimi Sovjetik, i cili ndihmoi Shqipërinë edhe për vënien e tyre në funksion. Republika e re ka bërë progres dhe në bujqësi.

Tokat e kultivuara në vitin 1950, kaluan nivelet e para Luftës dhe sipërfaqja e mbjellë me prodhim industrial, kaloi nivelet e para Luftës, me 11 herë. Prodhimi i grurit kaloi nivelin e paraluftës me 40 për qind dhe gjithashtu u rritën prodhimi i panxhar sheqerit dhe pambukut. Shumë vëmendje i është kushtuar rritjes së gjedhëve. Si rezultat i plotësimit të planit dy-vjeçar, numri i kokëve të gjedhëve e kaloi atë të paraluftës. Qeveria po e ndihmon bujqësinë në shumë drejtime, duke i dhënë farat më të mira të grurit, të pemëve frutore dhe një masë të konsiderueshme fertilizuesish. Më shumë se 672 milionë lekë, u shpenzuan për ujitjen dhe tharjen e tokave, ndërsa rreth 157 milionë lekë, u janë dhënë fermave fshatare, deri në fund të vitit 1950. Ato morën gjithashtu kredi për mbjelljet e pranverës, në vitin 1952.

Një faktor i rëndësishëm i zhvillimit të bujqësisë, është zhvillimi i mekanizmit të punës dhe krijimit të Stacioneve të Makinerive dhe Traktorëve. Numri i traktorëve në vitin 1951, e kaloi me 3.6 herë atë të vitit 1947. Më shumë se 3000 plugje, 900 kultivues, 300 prerësa dhe shumë mjete të tjera, u dërguan në rajonet e rritjes së të mbjellave, duke rritur prodhimin në mënyrë të konsiderueshme. Shqipëria ka pasur gjithashtu sukses në forcimin e sistemit të saj financiar, teksa për vitin 1951, buxheti shtetëror ka sjellë të ardhura prej 9.500.000.000 lekë.

Burimi kryesor i buxhetit, është sektori socialist i ekonomisë. Shpenzimet për ekonominë kombëtare, arritën në 3.607.000.000 lekë, në krahasim me 2.252.000.000 lekë, në vitin 1950. Lidhjet e ngushta ekonomike me Bashkimin Sovjetik dhe demokracitë e tjera të popullit, kanë qenë deçizive për zhvillimin e suksesshëm të Shqipërisë. Sipas një marrëveshjeje të shkurtit të vitit 1951 me Bashkimin Sovjetik, për pajisje industriale, Shqipëria ka forcuar përgatitjen teknike dhe ka rritur kreditimin. Shqipëria gjithashtu ka rritur tregtinë me Poloninë dhe Çekosllovakinë, ashtu si dhe me Gjermaninë Lindore dhe vendet e tjera të Demokracive Popullore, si Bullgaria, Hungaria e Rumania.

Kushtet ekonomike, standardi i jetesës

Burimi: “Flamuri i Lirisë”

Ligji numër 226, i vendos punëtorët në shtatë kategori pagesash, duke nisur nga 202, deri në 800 lekë në ditë. Punonjësit e zyrave, marrin 2.400, deri në 7.000 lekë në muaj, në varësi të vendndodhjes dhe ndërmarrjes. Një punëtor i martuar, merr 3.500 lekë në muaj dhe duhet të paguajë taksat, kontributet shoqërore, anëtarësinë në klubet e sportit, racionet e ushqimit, rinovimet e zyrave, telegrame të herëpashershme për Stalinin, telegrame proteste kundër provokimeve kufitare, abonimin e gazetave dhe ndihma për Korenë. Racionet mujore dhe shpenzimet për mallrat e nevojshme. janë si më poshtë: 2 kg. bukë në ditë, 300 lekë, 1.35 kg. sheqer, 75 lekë, 1 kg. vaj, 65 lekë, 2 kg. fasule në muaj, (vetëm për 3 muajt e parë të vitit), 140 lekë, dru, 550 lekë për metër/kub, qeraja 100 lekë, dritat 100 lekë.

Nëse punëtori pinte një paketë cigare në ditë do të shpenzonte dhe 500 lekë të tjera në muaj, dhe këto linin shumë pak për të blerë mish, i cili kushton 130 lekë/kg., perimet me rreth 40 lekë/kg., veshje apo sende të tjera. Nëse punëtori mbetet pa punë, ai merr 25 për qind të rrogës nga mbështetja sociale. nëse nuk është anëtar i Sindikatës dhe 60 për qind, nëse është anëtar. Ai është i detyruar të marrë pjesë në punë vullnetare pa pagesë, përveç punës së rregullt. Fshatarët janë të detyruar të dorëzojnë në shtet një pjesë të madhe të prodhimit, edhe nëse nuk mund ta përballojnë. Kështu një familje detyrohet të hajë vetëm lakra, gjatë tre muajve të fundit të një viti, me prodhim të dobët. Deri në fund të vitit 1951, një fermer mund të braktiste tokën e tij, nëse nuk përmbushte këto detyrime dhe të shkonte të punonte në minierë, për të fituar 400 gramë bukë në ditë, kështu mund t’i shpëtonte burgut.

Ndërsa tani ai është i detyruar të punojë tokën e tij, para se të lejohet ta braktisë. Pas dorëzimit të prodhimit te shteti, fermeri merr shumat e mëposhtme, për çdo kilogram prodhim: grurë 2.5 lekë, drithëra të tjera, 2 lekë, misër 2.5 lekë, lesh 33 lekë, për çdo vezë, ai merr 1 lek, pambuk 18 lekë, duhan 23 lekë, luledielli 27 lekë. Shpërblimi mund të merret dhe në formë patkonjsh, gozhdë, djep fëmijësh apo, sende të tjera artizanale. Për të marrë produkte industrial, si këpucë apo veshje fshatari, duhet të sillte përveç kuotave të tij edhe; djathë, ullinj, gjalpë apo portokalle. Zakonisht fermerët i presin pemët e bajameve, për të evituar pagesën prej 3000 lekë për pemë. Kushtet e fermave dhe kooperativave, po bëhen gjithnjë e më keq. Ka uri të madhe, pasi çdo person merr vetëm 8 kg misër në muaj dhe nganjëherë edhe kaq mungon. Mishi, shpërndahet vetëm gjatë ditëve të festave.

Shpërndarjet, kushtet e minierave

Hamit Koçi, një ish banor i Okshtun në Peshkopi, tashmë refugjat në Jugosllavi, raportoi mbi kushtet ekonomike të Shqipërisë se shteti e blen mishin nga fshatari, për 9 lekë për kg. Gruri blihet për 2.5 lekë dhe shitet për 150 lekë. Leshi blihet për 30 lekë dhe shitet për rreth 500 lekë. Meqenëse fshatarët janë të detyruar të dorëzojnë te shteti prodhimet e tyre të caktuara dhe meqenëse në shumë raste ata nuk i kanë, ata detyrohen t’i blejnë ato në dyqane, për të plotësuar detyrimet e tyre. Isuf Koçi, vëlla i Hamitit, i cili gjithashtu është arratisur në Jugosllavi, e ka përshkruar si më poshtë kryerjen e punës vullnetare në minierën e Bulqizës: Një ditë kreu i komunës së Okshtun i Vogël, lexoi listën e emrave të sjellë nga Sigurimi i Shtetit. Lista kishte emrat e të gjithë atyre që “kishin kërkuar” të punonin vullnetarisht në minierën e Bulqizës, për plotësimin e planit të prodhimit. Në të ishte emri i Isuf Koçit, i cili atë ditë kishte punuar në fushë dhe thirrja e emrit i erdhi si një surprizë.

Por ai u detyrua të linte fermën dhe të vazhdonte me të tjerët për në minierë. Fillimisht atyre u thanë se do të punonin për një muaj, por siç ndodhi më vonë, ata mbetën aty për një kohë të gjatë. Isuf Koçi, e përshkruante jetën në minierë si të papërballueshme. Ai tha se ushqimi ishte shumë i keq dhe e për mëngjes nuk u jepnin asgjë. Në drekë merrnin gjellë patatesh dhe fasulesh, ndërsa për darkë, u jepnin dy vezë të ziera që shpeshherë kishin zogj. Kishte gjithashtu shumë vullnetarë, që për arsye se konsideroheshin më të pasur, detyroheshin të merrnin ushqimin e tyre me vete. Për punën ata paguheshin 70 lekë në ditë, me të cilat duhet të paguanin më pas “ushqimin dhe fjetjen”.

Në fund të muajit ata nuk kishin asgjë të mbetur. Isuf Koçi vazhdon më tej: “U njoftua se puna ishte 8 orë në ditë, por kjo ishte vetëm në letër, pasi në realitet ata punonin 16 orë ose më shumë: 2 orë shtesë për Komandantin, (Enverin) 2 orë për Stalinin, për realizimin e planit e, kështu me radhë. Nëse dikush largohej nga minierat, dënimi ishte i rëndë. Ai mund të dënohej me 6, deri në 8 muaj punë në minierë, pa pagesë ose, me gjysmë pagese. Gjyqe të tilla kryheshin me ceremoni të madhe për të dhënë shembullin dhe për të ngulitur frikën te punëtorët dhe fshatarët”. Memorie.al

B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar