Mblidhet KLD, Nishani:Askush mos
neglizhojë agresivitetin ndaj gruas

TIRANE – Këshilli i Lartë i Drejtësisë, nisi mbledhjen e sotme me një mesazh të fortë të Presidentit të Republikës, kundër dhunës në familje. Në fjalën e tij, ndërsa e konsideroi të papranueshme çdo akt dhune, Bujar Nishani theksoi se askush dhe asnjë institucion nuk mund ta neglizhojë agresivitetin ndaj gruas.
 
Në këtë kontekst, Bujar Nishani i mbështetur në mënyrë unanime nga të gjithë anëtarët e Këshillit, propozoi që Inspektorati i KLD-së, të përgatisë një plan pune për fillimin e një inspektimi tematik me temë dhunën në familje. Gjithashtu, mbështetjen unanime të anëtarëve të KLD-së, gjeti edhe propozimi tjetër i Presidentit Nishani, për trajtimin e çështjes se dhunës ndaj grave, për t`i adresuar si prioritet në trajnimet vjetore të gjyqtarëve.

Pas miratimit në mënyrë unanime të propozimeve të Presidentit të Republikës, sipas përcaktimeve në rendin e ditës, mbledhja nisi me diskutimin dhe miratimin e relacionit për normimin e konceptit të “gjyqtarit që është promovuar së fundmi” referuar materialit të përgatitur nga grupi punës “Për limitimin e afateve kohore për promovimin e gjyqtarëve”.

Shtyhet kërkesa për shkarkimin e gjyqtarit të Kavajës, Osman Aliu
Kërkesa për shkarkimin e gjyqtarit të Kavajës, Osman Aliu, është shtyrë për mbledhjen e radhës pasi burime për A1 Report nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë bënë me dije se shkak është bërë një raport mjekësorë paraqitur nga Aliu.
 
Shkarkimi i gjykatësit Aliu u kërkua nga ministri i drejtësisë Nasip Naço pasi nga kontrolli i ushtruar në Gjykatën e Kavajës inspektorët konstatuan një sërë shkeljesh në veprimtarinë e gjyqtarit.
 
Të njëjta burime sqaruan për A1 Report se në mbledhjen e kësaj të hënë janë bllokuar komandimet në apelin e gjykatës administrative, pasi është vendosur që të shtohet numri i gjyqtarëve dhe të mos bëhen me komandim.
 
Për herë të parë ishte ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri i cili i kërkoi publikisht presidentit Nishani dhe Ministrit Naço marrjen e masave ndaj Aliut, pasi personat e arrestuar nga policia liroheshin nga gjykatësi Aliu.

Në vijim të mbledhjes anëtarët e Këshillit, u njohën me raportin “Mbi inspektimin e veprimtarisë së gjyqtarit Dhimitër Pojanaku në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pogradec” i cili iu adresua Ministrit te Drejtësisë për vijimin e mëtejshëm te procedurave.

Me konsensusin e anëtarëve të Këshillit u caktua. Vangjel Kosta, si anëtar në Komisionin e Posaçëm për Vlerësimin Paraprak të Kandidatëve për Funksionet Drejtuese në Gjykata, dhe znj. Albana Shtylla si  anëtare në Komisionin Shtetëror për Ndihmën Juridike. Këshilli, gjithashtu, miratoi me konsensus z. Artan Broci, z.Tritan Hamitaj, dhe z. Ilir Mustafaj në përbërjen e Grupit të Punës për Sistemin e Pikëzimit për vitin 2015.

KLD miraton vlerësimin për gjyqtarët
Mbledhja vijoi me diskutimin dhe miratimin e vlerësimit profesional dhe etik me procedurë të përshpejtuar për gjyqtarin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Gjirokastër z. Ramiz Lala.
 
Në vijim të rendit të ditës, Këshilli miratoi kalendarin e gjykatave dhe gjyqtarëve që do të vlerësohen nga Inspektorati i KLD gjatë vitit 2015, për periudhën 2007 – 2009, sipas nenit 2 pika 6 të vendimit “Për miratimin e sistemit të vlerësimit”.
 
Këshilli vendosi edhe për çështje të tjera të parashikuara në rendin e ditës si: Miratimi i kërkesave të disa gjyqtarëve për mësimdhënie, delegimi i disa gjyqtarëve në shqyrtimin e çështjeve të caktuara gjyqësore në gjykata të tjera nga ato ku ata janë emëruar për të ushtruar funksionin e gjyqtarit, miratimin e kërkesës për leje për një periudhë 1 vjeçare, për arsye shëndetësore, të Gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, B.K. dhe konstatimin e mbarimit të ushtrimit të detyrës së gjyqtarit, për shkak të mbushjes së moshës së daljes në pension në datën 10.01.2015, të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, Ll.J.
 
 
Për shkak të një angazhimi të Ministrit të Drejtësisë, Këshilli vendosi shtyrjen e procedimeve disiplinore për tre gjyqtarë ne mbledhjen pasardhëse.
 
Gjithashtu, Këshilli, shqyrtoi projekt-aktet përfundimtare të vlerësimit, për vitet 2007-2009, të Kryeinspektorit të Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në zbatim të Vendimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë Nr. 261/2, datë 14.04.2010 "Sistemi i Vlerësimit të Gjyqtarëve". Pasi shqyrtoi ankimet përkatëse, Këshilli miratoi aktet e Vlerësimit për 18 (tetëmbëdhjetë)  gjyqtarët e mëposhtëm:
 
Arben Vrioni, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan;
Stavri Kallço, Gjykata e Apelit Korçë;
Astrit Haxhialushi, Gjykata e Apelit Tiranë;
Etleva Gjamo, Gjykata e Administrative Korçë;
Agim Ferizaj, Gjykata e Apelit Durrës;
Petrit Çeno, Gjykata e Apelit Durrës;
Brunilda Orhani, Gjykata e Apelit Korçë;
Entela Prifti, Gjykata e Apelit Korçë;
Florinda Çela, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë;
Elvana Çiçolli, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë;
Fejzo Hysi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës;
Ervin Metalla, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës;
Markelian Koça, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës;
Lindita Sinanaj, Gjykata Administrative e Apelit;
Ema Gashi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës;
Shkëlqim Miri, Gjykata e Apelit Tiranë;
Isuf Shehu, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kukës;
Shpëtime Pitaku, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës;


Redaksia Online
(Gre.M/a.h/Shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Mali i Zi, kërkohet hetim ndërkombëtar për masakrën Cetinjës

Mali i Zi, kërkohet hetim ndërkombëtar për masakrën Cetinjës