Ndaj Ervin Mucës, drejtorit të IT-së në Policinë e Shtetit, i cili akuzohet për kopjimin të paautorizuar të të dhënave të sistemit TIMS, vetë policia e shtetit ka kryer një hetim të brendshëm administrativ, ku ka konstatuar një sërë shkeljesh dhe lëvizje të dyshimta të tij.
Në përgjigje të kërkesës për informacion nga Komisioni Hetimor i TIMS, Drejtoria e Përgjithshme e policisë së shtetit thotë se Ervin Muça ka kryer lëvizje të shpeshta, jashtë orarit zyrtar të punës, madje deri në orët e para të mëngjesit së bashku me persona të paautorizuar duke përdorur kodet e hyrjes në institucion të një punonjëseje tjetër, pa dijeninë e saj.
Përgjigjet i bëri publike kryetari i komisionit Ervin Salianji. Por për nënkryetarin e këtij komisioni, socialistin Toni Gogu, leximi që Salianji i bëri përgjigjeve të institucioneve është në shkelje të ligjit, pasi sipas tij të dhënat janë sensitive.
‘Është informacion sensitiv, nuk po them sekret, por sensitiv. Nuk është kjo detyra jote. Nuk është detyra jonë të merremi me individë të caktuar. Ata janë shërbëtorë të këtij shteti dhe ne I nxjerrim këtu dhe ne i themi gjithë botës, çfarë pune bëjnë si janë të pajisur, çfarë veprimtarie kanë bërë, ndërkohë që ajo ka të bëjë me jetën e tyre profesionale. Kanë shkelur ligjin apo jo nuk e cakton ti, e bën prokuroria. Këtu ndahemi ne. Ju doni të bëheni prokurorë dhe gjyqtare, ne duam të rrime parlamentarë.’- tha Gogu.
Nga 8 kërkesat për informacion drejtuar institucioneve shtetërore, Salianji deklaroi se nuk ka marrë përgjigje nga tre prej tyre, Prokuroria e Tiranës, Ministria e Brendshme dhe Kryeministria. Mungesa e një përgjigje nga kjo e fundit, shkaktoi edhe debatin mes palëve.
‘Rama ka një traditë të suksesshme në zbatim të ligjit përkundrejt komisioneve hetimore. Rrini të qetë se kryeministri do u përgjigjet, e di që nuk rrini dot pa marrë një kartolinë nga kryeministri. E doni atë, nuk rrini dot pa e marrë.’- tha Gogu.
‘E vlerësoj që pranoi se kryeministri do vijë. Ne këtë presim që të vijë dhe të japë përgjigje. Nuk ka asnjë problem, do vijë për të zbatuar ligjin. Ligji të detyron që kur kë informacion dhe ta kërkon hetimi parlamentar padyshim që do vijë të japë përgjigje.’- u shpreh Salianji.
Në pritje të përgjigjeve nga institucionet e tjera, mbledhja e radhës e komisionit hetimor do të zhvillohet javën e ardhshme më 7 maj.
Report Tv ka siguruar përgjigjen e Drejtorisë se Përgjithshme të Policisë, drejtuar komisionit hetimor të TIMS pas kërkesës për informacion.
Në përgjigje të Policisë së Shtetit thuhet se janë konstatuar një sërë shkeljesh që bëjnë përgjegjës drejtuesin e departamentit të teknologjisë dhe informacionit.
‘Nga grupi i punës është konstatuar se duke filluar nga orët e pasdites të datës 2.08.2023 dhe deri në orët e para të mëngjesit në godinën e departamentit të teknologjisë së informacionit janë parë lëvizje të shpeshta të Ervin Muçës, një pjesë e punonjësve të stafit dhe personave të tjerë jashtë kësaj strukture.
Janë konstatuar një sërë shkeljesh që bëjnë përgjegjës drejtuesin e departamentit të teknologjisë dhe informacionit.
1. Shkelja e procedurave standarde për hyrjen godinën në Policinë e Shtetit
2. Mos njoftimi I eprorëve për hyrjen e personave të paautorizuar duke u ekspozuar atyre detaje apo infrastrukturën e rrjetit të brendshëm të policisë së shtetit që përbën shkelje.
3.Përdorimi i kodit Check in të punonjëses pa dijeninë e saj për të hyrë në ambientet e godinës në pa ndonjë arsye bindëse me persona të tjerët të paautorizuar dhe në orët e vona të natës
4. Mosrealizimin e detyrimeve nga Ervin Muça për përmirësimin e akteve sipas strukturës së re dhe afateve të caktuara në programin e punës.’- thuhet në përgjigje të policisë së Shtetit.
Kryetari i Komisionit Hetimor për sistemin ‘TIMS’, Ervin Salianji ka komentuar përgjigjet e ardhurave nga SHISH, pas kërkesave për informacion. Sipas Salianjit, SHISH po përdoret dhe ka dorëzuar disa përgjigje si ‘për t’u tallur’
“Ka kthyer përgjigje edhe Shërbimi Informativ. Dokumentet me të cilat do të njihemi janë sekret hetimor ndaj do të plotësojmë formularët për tu pajisur me certifikatë sigurie. I keqardhur që një institucion që duhet të jetë ndër më të rëndësishme, si SHISH, përdoret dhe sjell përgjigje për tu tallur me publikun. Ka qëllime të tjera tani mesa duket. Me nisjen e punës së këtij komisioni një drejtues institucioni është larguar, nuk do të them është bërë dëshmori i parë”, tha ai.
Zv.kryetari i Komisionit hetimor të TIMS, Toni Gogu i ktheu përgjigje me ironi Ervin Salianjit, i cili tha se Kryeministri s’ka kthyer përgjigje për kërkesën për informacion se ka qenë i zënë duke zgjidhur hallet në itali.
Toni Gogu tha se kryeministri Rama do të përgjigjet, ndërsa me ironi i tha Salianjit që nuk rri dot pa marrë një kartolinë nga Rama.
“Ky ankthi ynë nëse ka mbërritur posta kryeministrore apo jo, është edhe i pajustifikueshëm edhe i pashpjegueshëm. Nëse ju doni patjetër që Kryeministri t’iu sjelli një letër që ta lexoni për të bërë lajmin e ditës, nuk është ky qëllimi i komisionit. Rama ka një traditë të suksesshme në zbatim të ligjit përkundrejt komisioneve hetimore, ndryshe nga kryeministrat e forcës tuaj politike që komisioneve hetimore, organeve të drejtësisë që u fshihen tërë jetën e tyre. Rrini të qetë se kryeministri do u përgjigjet, e di që nuk rrini dot pa marrë një kartolinë nga kryeministri. E doni atë, nuk rrini dot pa e marrë. Çështja është a janë ekspertët gati për të propozuar planin e hetimit. Nuk janë gati për dy arsye, se s’kanë grumbulluar akoma informacionin. Nuk mund të shqyrtojnë sot sekretin hetimor, duhet të pajisen me certifikatën e sigurisë. Nëse na mblidhni këtu që të bëjmë batutën dhe lajmin e ditës nuk është kjo puna e komisionit”, tha Gogu.
E vlerësoj që pranoi se kryeministri do vijë. Ne këtë presim që të vijë dhe të japë përgjigje. Nuk ka asnjë problem, do vijë për të zbatuar ligjin. Ligji të detyron që kur kë informacion dhe ta kërkon hetimi parlamentar padyshim që do vijë të japë përgjigje”, i u përgjigj Salianji.