COVID/ Konfirmohen 2 rastet e para me Omicron në Shqipëri! Nuk ndryshojnë masat, por s'ka orë policore natën e Vitit të Ri! Komiteti i Ekspertëve: Vetëm me vaksinim fitojmë luftën (VIDEO)

Varianti i ri i COVID, Omicron, i cili është përhapur me shpejtësi në shumë vende të botës, ka mbërritur tashmë edhe në Shqipëri. Kështu bëri me dije shefja e Insitutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini, gjatë mbledhjes ditën e sotme të Komitetit Teknik të Ekspertëve, ku tha se janë konfirmuar dy raste, ndërsa shtoi se në vend mbizotëron varianti Delta.

'Janë konfirmuar dy rastet e para e Omicron në vendin tonë. Ndërkohë mbizotëron varianti Delta. Sa i përket incidencës një javore kemi një rënie.'- tha Tomini.

Pavarësisht shfaqjes së variantit të ri të COVID, Komiteti i Ekspertëve njoftoi se nuk do të ketë ashpërsim masash për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, pasi sipas kryetares Mira Rakacollit, masat që janë në fuqi mjaftojnë për të kontrolluar situatën. Madje, Rakacolli njoftoi se në natën e Vitit të Ri, nuk do të ketë orë policore për qytetarët si dhe do të lejohen organizimet në lokale, por më kapacitete 30%. 

Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve rikujtoi po ashtu se të gjithë punonjësit e administratës publike, supermarketeve dhe qendrave tregtare, duhet të paraqesin certifikatën e vaksinimit, kur të paraqiten në punë. Ndërkohë për shefen e spitalit Infektiv, Najada Çomo, është rritur numri i qytetarëve në moshë të re të shtruar në spitale, të cilët janë kryesisht të pavaksinuar.

Njëzëri, anëtarët e Komitetit Teknik të Ekspertëve i bënë apel qytetarëve të vaksinohen, si e vetmja mënyrë për t'u mbrojtur nga COVID he varianti i ri Omicron.

Masat anti-COVID që janë në fuqi:

Masat e tjera vijojnë si më poshtë:

-​Ora policore vijon me orën 23:00 – 06:00. (Përjashtim natën e Vitit të Ri)

-​Vijon që qytetarët që hyjnë në Republikën e Shqipërisë, nga të gjitha pikat kufitare apo ata që kalojnë tranzit, duhet të vijojnë të dorëzojnë një nga dokumentet e mëposhtme:

•​Pasaportë vaksinimi, ku data e vaksinës së fundit të ketë të paktën dy javë e aplikuar nga data e hyrjes në kufi.

•​Test PCR, të kryer brenda 72 orëve ose testin e shpejtë antigenic brenda 48 orëve të hyrjes në kufi.

•​Provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov-2 të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.

•​Përjashtim nga rregullat e përcaktuara në pikën 2, bëhet për fëmijët deri në moshën 6 vjeç.

•​Qytetarët rezidentë të Republikës së Shqipërisë dhe që nuk kanë asnjë nga dokumentet e përmendura në pikën 1, duhet të vetë izolohen për një periudhë 10 ditore dhe të informojnë autoritetet shëndetësore për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit.

-​Vijon që në strukturën e aerorporteve do të lejohen të hyjnë vetëm pasagjerët që udhëtojnë, të cilët duhet të zbatojnë me rigorozitet mbajtjen e maskës ashtu sic është rekomanduar sipas protokollit të ndryshuar.

-​Vijon të mbetet në fuqi që në të gjithë institucionet shëndetësore, moslejimi i hyrjes së familjarëve për personat që janë të shtruar.

-​Vijon të mbetet në fuqi urdhri  për përdorimin e maskave në ambiente të mbyllura, në qendra tregtare, supermarkete, dyqane etj, e në të gjithë ato vende ku nuk sigurohet distancimi fizik.

-​Vijon të mbetet në fuqi urdhri për lejimin e grumbullimeve deri në 50 persona dhe të aktiviteteve kulturore, sportive etj deri në 30% të kapaciteteve të tyre me prezencë të spektatorëve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:43
Rakacolli: Nuk ka ndryshim masash, nata e ndërrimit të viteve, pa orë policore

 

Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli ka bërë me dije se nuk do të ketë ndryshim të masave COVID në vend. Ajo u shpreh se masat që janë në fuqi mjaftojnë për të kontrolluar situatën, ndërsa shtoi se në natën e ndërrimit të viteve nuk do të ketë orë policore, ndërsa do të jenë hapur edhe lokalet, por do të funksionojnë vetëm me 30% të kapacitetit.

"Niveli i masave që janë në fuqi është i përshtatshëm për ta kontrolluar këtë situatë. Do të mbeten në fuqi të njëjtat masa. Por situata epidemiologjike në botë dhe përhapja e Omicron bën të domosdoshëm respektimi e këtyre masave që nuk po zbatohen në nivelin e kërkuar. Studiuesit po bëjnë thirrje për vaksinimin. Infektohen shumë më tepër të pavaksinuarit dhe rastet e rënda dhe humbjet e jetës janë më shumë te të pavaksinuarit. Siç ka thënë dhe Fauci 'Omicron do t'i gjejë të gjithë të pavaksinuarit'. Jemi në prag të festave të fundvitit, mosrespektimi i masave vitin e kaluar solli rritje infektimesh. Të jemi të përgjegjshëm, të respektohen standardet e kërkuara, të përdorim maskat. Ora policore do mbetet e njëjtë, 23:00, me përjashtim të natës së ndërrimit të viteve. Në 4 janar, të gjithë punonjësit e administratës publike, supermarketeve dhe qendrave tregtare, duhet të sjellin certifikatën e vaksinimit", tha Rakacolli.

Ora 10:25
Çomo ngre alarmin: Numri i pacientëve në moshë të re të shtruar në spital është rritur! Çfarë më tha pacienti 30-vjeçar para se të vdiste

Drejtoresha e Spitali Infektiv Najada Çoma ka ngritur alarmin dukë theksuar se numri i personave të shtruar në spital në moshë të re është rritur. Po ashtu mjekja tregoi edhe një rast të një pacienti 30-vjeçar, pak para se të ndërronte jetë kishte shprehur pendesë që nuk ishte vaksinuar.

‘Numri i personave të shtruar në Covid 1 dhe 3 ëhstë në gjendje të qëndrueshme rreth 140 pacientë. Numri i të shtruar në spital për moshën e re është i rritur dhe 30% i takojnë grupmoshës 19-40-45 vjeçare. Kategori e njerëzve që janë të shtruar, pjesën madhore e zënë personat e  pavaksinuar. Gati në 90% të rastve janë individë të pavaksinuar asnjëherë. Rastet e shtruara në spitale, i takojnë qyteteve të mëdhaj siç është Tirana, Fieri, Durrësi.  Do e mbyll diskutimin me fjalën e një 30-vjeçari që ndërroi jetë dhe para se të ndërronte jetë tha sa keq që nuk u vaksinove.’- tha Çomo.

Ora 10:20
Bino: Ka rritje të shifrave të vaksinimit, mbulesa vaksinale në popullatën e përgjithshme, rreth 40%

 

Shefja e Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino tha sot se ka një rritje të personave të cilët kanë kërkuar të vaksinohen ndaj COVID. Në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Bino u shpreh se në popullatën e përgjithshme, mbulesa vaksinale ka shkuar në rreth 40%, ndërsa në popullatën target, rreth 50%.

"Kemi një rritje të shifrave të vaksinimit që ka sjellë një rritje të mbulesës me vaksina në vend që po arrin në rreth 40% në popullatën e përgjithshme dhe rreth 50% në popullatën target. Aktualisht në vend kanë ardhur mbi 2 mln e 700 mijë vaksina, aktualisht mbizotëron vaksina Pfizer. Përqindje të lartë në lidhje me vaksinimin ka pësuar bashkia e Tiranës mbi 57%, kemi bashki mbi 80% si ajo e Himarës dhe Sarandës. Ka një rritje të aplikimit për dozat e treta", tha Bino.

M.Q.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë