Mbrëmë në Përmetin tim dhe Nonda Bulka që qesh e qan si bilbili!

Mbrëmë në Përmetin tim dhe Nonda Bulka që qesh e qan si bilbili!

Përmeti

Pas një takimi të rastësishem, të ngrohte e jo të shkurtër, në një kafene të thjeshtë përkrah ish- kinema ‘Partizani’, me partizanen shekullore Mynever Shuteriqi, u përgatita për të udhëtuar drejt Permetit tim. Ashtu i emocionuar nga ajo bisedë aspak e rëndomtë me një grua të rrallë, të mençur e fisnike, që këmbënguli ta ndanim bashkë një ëmbëlsirë të vogël mbi tavolinë, po meditoja natyrshëm. Është ndoshta e fundit dëshmimtare e gjallë dhe punonjëse veterane e shtypit, që nga koha e ndritur e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Vajzë me rrënjë gjirokastrite. Një ditë të afërt, me siguri do të shkruaj më gjatë… Kisha të drejtë të përfytyroja edhe ato vajza të nënave si yje, tek rendnin me pushkët në krah dhe torbat me fishekë e fletorka ku mësonin shkrim e këndim gjatë pushimit te betejave. Rendnin drejt atij kuvendi historik të paharruar, drejt Kongresit të Përmetit. Si delegate të zgjedhura nga populli, por edhe si partizane të kulluara që ëndërronin dhe luftonin për lirinë e mëmëdheut. Demokrate të vërteta, në shpirt e në mendime, në fjalë e në veprime. Kujtova udhetimin tim të parë, pasi lashë Tiranën e do të filloja korespodent profesionist, me rezidencë në qytetin e luleve të pathara në çdo stinë. Historikisht, 2 përmbytje dhe 3 zhuritje, me urë zjarri në duart e pushtuesve, mbahen mend nga shkretimi dhe përvëlimi i gonxheve të pa çelura. Dhe ‘’ashtu si tërë Arbri , i përngjet atij zogut të Lindjes, që digjet dhe ringjallet prej hirit te vet !’’.U bë më i bukur, më i mirë. Por mbrëmë Vjosa e bekuar, sikur e la mënjanë gumëzhitjen dhe mërmërimën gurgulluese të pranverës. Rreth 80 maje kështu ! Ua la vendin kabave e sazeve të gëzuara…

Ajo mbrëmja dhe nata e pare si gazetar, nuk më shqitet nga mendja. Sidomos data 23 Maj ! Shëmbellente me përgatitjet e një dasme të madhe. Dhe jo vetëm nga këngët e meloditë që zgjeronin kraharorin e njeriut. Era e sokakëve të sapo lyer  me gëlqere, ndiehej në çdo hap. Familjet ndërronin qilimat e rrugicat e shtruara në dimër. Bëheshin gati disa lloje glikosh për të pritur miqtë e mysafiret. Qyteti dyfishohej si papritur . Selvite e famshme rreth banesës së fundit të Dëshmorëve të Atdheut, grumbullonin më tepër se kurrë bilbila e zogj shtegtarë që nuk pushonin së kënduari. Vonë, te lëndina përballë, shikoje mjaft njerez të ulur këmbëkryq sipas fiseve, fshatrave, shoqërive e miqësive. Të veshur me rroba të reja, të pastra si bora mbi Nëmërçkë. Shtroheshin pranë ‘ sofrave’ të mëdha në natyrë, me mish, bulmet, raki e verë. Sikur hidheshin pas kraheve hallet e marazet ! Dhe shpërthenin këngët popullore. Ja thoshte Deshnica e ia priste Malëshova, Dangëllia, Cerja, Rrëza e Shqeria. Një festival i çuditshëm masiv, pa dirigjente e konferencierë, pa skena zyrtare.

 “Shokët” , vepra monumentale e drithëruese e përmetarit të madh, Odhise Paskali, priste e percillte vizitorë të thjeshtë dhe “këmbët” i mbulonte me lule të fresketa.Një natë e pa gjumë që gëzonte edhe gurët e drurët. Dhe i thoshte si pa kuptuar “ Mirëserdhe !”, dates 24. U kthye në traditë të veçantë, që pluralizmi e pakësoi dhe e zbehu shumë. Rrallë mund të ketë munguar i pa përsëritshmi këngëtar, Mentor Xhemali, ish-mitralieri partizan te beteja e njohur e Grykës se Mezhgoranit. Linte pak orë kryeqytetin, Teatrin e Operës e Baletit dhe zbriste në vendlindje më i përtërirë e pa fodullëk. Por lidheshin edhe dashuri e miqësi të reja.

 ‘Përmeti im ! A të kujtohet? Dikur 2 bilbila, kanë kënduar këtyre anëve: njëri majë kodrave të Dangëllisë, tjetri prapa Dhëmbelit, në fushat e Çajupit!. Ja mernin këngës me të qarë. BilbilFrashëri e bilbil Zagorie. Kënduan edhe për të ardhmen, që nuk e panë dot me sy. Ndërsa për braktisjen biblike të sotme të fshatit shqiptar, me siguri do të vajtonin hidhur e plot revoltë. Kohëra të tjera me rropamë kapitaliste po rrokullisen shpejt edhe në psikologjinë kolektive në fshat e qytet. ‘ Modernja’ me petkun e majmunërisë, herë-herë sikur i vë brylin traditës së mirë dhe nxjerr gjuhën e tallet nga istikamet  ‘europiane’. Megjithëse  Sazet e Përmetit vazhdojnë të ngrenë në këmbë e të duartrokasin, edhe vetë Parlamentin Evropian ! Pa harruar zërin e mrekullueshem si burimet rrëzë Dhëmbelit të Tefta Tashko Koços, që shpesh ngre edhe të vdekurin nga varri. Pa harruar akademikë të sotëm në gjuhësi, skulpturë e pikturë, muzikë e teatër, etj. Të gjithë me themele të forta Përmeti ! 24 Maji i ftonte e ofronte secilin pa ftesa në zarfe, pa vula zyrtare e salltanete fanfare. Të vërtetën e atij Kuvendi historik me shumicën e delegateve patriotë e figura popullore të zgjedhura nga populli i krahinave të ndryshme, jo partiakë të thekur. Parti mbi çdo parti kishin Shqipërinë hallemadhe ! Rrezet e atij Kongresi të paharruar e me erë baroti (jo me brilantine nga zyrat nazifashiste) , ‘ia çorën përgjithmonë perden natës shekullore, grisën errësiren e Dimrit dhe  paralajmëruan Pranverën e madhe. Rreze që ngrohen dhe ndezën zemrën e një populli të tërë’ …

Kur po mbaroja vitin e parë të studimeve të larta në gazetari, më ka mbetur në mendje një letër e botuar në gazetën ‘Drita’,  dy javë para 24 majit, e titulluar ‘ Heroizmi u perket trimave’. E shkruar në vigjilje të Çlirimit, në mes të partizanëve në Shkallë të Tiranës. Origjinalin e kishte ruajtur Shefqet Musaraj nga Lumi i Vlorës. Nuk qe shkruar nga një dorë dosido, por nga pena e një përmetari penëmprehte, nga pena e shkrimtarit dhe publicistit te shquar, Nonda Bulka. E kujtova edhe mbrëmë, kur po kaloja pranë shkollës me emrin e tij. ‘ Të paktën, dy librat e tij me redaktore Rozeta Uçin, duhet t’i mbajnë si libra xhepi studentët e sotëm të Degës së Gazetarisë’, më thotë me të drejtë shpesh në Tiranë një kolegu im i vjetër. Shkollë më vete, që thyen erën e ftohtë dhe të akullt në përshkrimet e ditës. Nonda Bulka që gjithë jetën qau e qeshi si bilibli, përmetar 24 karat, profesori ynë i dashur Muzafer Xhaxhiu e gdhendëte me dy fjali: ‘ Idealisti i pastër që nuk diti kurre ç’eshte paraja, nuk vuri kurrë një grosh në xhepin e tij… Erdhi në këtë botë me ironine e mprehtë në majën e gjuhës dhe iku duke marrë me vete gazin e jetës’. Ishte pranë revistës së famshme ‘Hosteni’, qysh në orët e para të lindjes së saj. Në kohën e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, kur propaganda ligërshane e shërbëtorëve faqezinj të pushtuesit, villte vrer e zehër mbi të rejat e të rinjtë partizanë dhe shpifte pacipërisht, 38 vjeçari nga Leusa, e mbyllte letren thjesht e mjaft fshikullues ndaj rrufjanëve të korruptuar. Pa bërtitur e vetëm me një episod të shkurter që flet gjatë:

‘Xha Goxhoja nga Brataj i Vlorës, vullnetar i orës së parë, është 68 vjeç. Ka mësuar Abetaren pune e madhe dhe, aq sa ua kapërceu çunave dhe mori lëvdata. Hyri në Brigadën e Pestë Partizane për të zëvendësuar djalin e tij që ra heroikisht në Brigadën e Parë.

Në këtë minutë që po të shkruaj erdhi lajmi se xha Goxhoja ra edhe ai Dëshmor për Atdhe !..’.

Mbrëmë në Përmetin tim bisedova gjatë me Nondën dhe gjithe përmetarët e mi…

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

2024 viti i ‘superlekut’, BSH bleu 313 mln euro për stabilizimin e monedhës europiane, planifikon më shumë vitin tjetër

2024 viti i ‘superlekut’, BSH bleu 313 mln euro për stabilizimin e monedhës europiane, planifikon më shumë vitin tjetër