Mbrëmë u vra një kamarier!

Mbrëmë u vra një kamarier!

Dom Gjergj Meta dhe Gledio Muka

Mendoj për mëngjesin e asaj dite, kur ai djalë ka dalë nga shtëpia duke e përcjellë zëri i s'ëmës: "Mirë ardhsh, o bir!".

Oh, ç'kob i zi! Djali nuk "erdhi" hiç mirë nga puna atë mbrëmje. Nuk erdhi fare. Ai urim i mëngjesit shkoi kot.

Ç'borxh pati?!

Kujt nuk ia çoi porosinë në kohë?!

Kush u mërzit se i shkoi kafja e keqe?!

Një jetë e re u këput - gjë për të cilën do të flitet disa ditë - si pasojë anësore e një krimi mafioz, siç paraqesin në mënyre konfuze dhe joprofesionale mediumet virtuale. Lajmi ndryshohet çdo minutë, ama kamerieri qëndron ende i shtrirë, pasi ai po çonte porosinë e tij të fundit, kur u përshkua nga plumbat. Për të nuk ndryshon më asgjë. Në histori do të mbeten emra të tjerë, por jo ai kamerier anonim nga Memaliaj.

Çdo herë që shoh kamerierë që shërbejnë nëpër bare e restorante, mendoj për lodhjen dhe guximin që ata kanë, si edhe për familjet e tyre. Ata punojnë për pak qindarka që mund të nxjerrin nga ndonjë bakshish. I përfytyroj duke dëgjuar tekat e klientëve, të cilët sigurisht që paguajnë, por shpesh janë të lodhshëm. Me siguri kanë edhe ata hallet e tyre.

Mbrëmë u vra një kamerier! Na duhen vajtimore. Jo për kamerierin. Atë e qan e ëma. Na duhen vajtimore për mjerimin e një shoqërie që vret bijtë e vet. Hadi i një sistemi kriminal po na e heq dheun nën këmbë. Një popull që edhe kur nuk është nën krismat e kallashit, dergjet nën thundrën e më të fortit - jo gjithmonë nën zhurmën e thatë të armëve, por vazhdimisht nën peshën e pushtetit të parasë dhe të pasurisë - është një popull me blana të hapura që nuk shërohen kurrë.

Një tjetër kamerier, në ekranin e televizorit të lokalit ku punon, i cili sa ndizet çohet gjithmonë te një kanal lajmesh, shikon se një "koleg" i tij është vrarë gjatë orarit të punës, por ishte thjesht viktimë. Nuk ishte shënjestra. Nuk ishte pjesë e sagës. Përhumbet disa çaste, por lajmi kalon shpejt dhe folësja e lajmeve thotë: "Mazhoranca dhe opozita bashkuan votat për krijimin e komisionit antikorrupsion". Kamerieri e ka ditur gjithmonë se diçka i bashkon ata...

Ndërkohë, dëgjon një zë prej tavolinës anash: "Djali, na sill një shishe uji me temperaturë ambienti. Pak shpejt!"

*(bazuar në një histori të vërtetë)

*Marrë nga profli i autorit në Facebook

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Frangu: 23/07/2024 11:19

    Dom Gjergji, përshëndetje. Ju lumtë mendja dhe dora! Shkruani aq bukur, sa do t'iu kishte zili çdo gazetar e publicist. Faleminderit!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Barcelona rrezikon kreun, Flick ngre alarmin: Tani nuk krijojmë raste! Kapiten Raphinha: Niveli po ulet

Barcelona rrezikon kreun, Flick ngre alarmin: Tani nuk krijojmë raste! Kapiten Raphinha: Niveli po ulet