Mbresa/ Zana Lita: Si e njoha
Musine Kokalarin në Rrëshen

Mbresa/ Zana Lita: Si e njoha<br />Musine Kokalarin në Rrëshen
Për Musine Kokalarin kam ndjerë një dhimbje në shpirt, që kur e pashë për herë të parë në Rrëshen. Më erdhi sërish në kujtesë, kohët e fundit, kur po lexova pjesë nga libri i Eglantina Mandisë “Nusja e Panusëruar”, kushtuar figurës së saj. Një kolose si ajo, pati atë fund tragjik nga një regjim monster.

Fytyra e parë që më ka bërë përshtypje në Rrëshen, kur shkova atje me punë si mësuese e anglishtes, në fundin e viteve ‘70, ishte ajo e kësaj gruaje me pamje fisnike dhe ecje krenare. Shpesh e ndeshja në dyqanin e bukës ose pasditeve kur bënte shëtitje përgjatë rrugës së Urës së Fanit.

Vishte një pardesy në ngjyrë gri e të bardhë, me kepucë demodé por të fisme dhe të mbajtura me kujdes, me një çantë, edhe ajo e kohëve të dikurshme dhe ecte me atë hapin e saj të vogël ngadalë. Hidhte një veshtrim ngulitës që mua shpesh më dukej sikur thoshte: “Unë jam ajo”.

Një nga shoqet që e njihte më thotë: “Kjo është socialdemokratja e parë, është grua shumë inteligjente. Këtu është e internuar.” Ato fjalë sikur më shkundën dhe thashë më vete: “Pse kaq e rrezikshme një grua! Ishte Musine Kokalari. Që prej asaj kohe, Musineja u bë një personazh që mua, nuk e di për çfarë arsye, më tërhiqte gjithmonë vëmendjen.

 Më pas mësova shtëpinë ku jetonte Musineja. Ajo ishte në të dalë të Rreshenit, rrugës për në Tarazh e Kurbnesh. Një shtëpi dykatëshe si e lënë pas dore, në mes të një fushe të vogël, që kur binte shi dukej si shtëpia në ishull. Një njeri i atyre përmasave jetonte në atë mizerje! Rrësheni ishte qytet shumë i vogël dhe të binte të shikoje të njëjtët njerëz disa herë gjatë ditës. Një ditë bashkë me një shoqen time shkuam në mini-markatën e qytetit.

Kishte katër dyqane të vendosura në menyrë simetrike. Dy ishin gjerat që gjëje sa herë shkoje në dyqan: njerëz në pritje të furnizimit dhe kavanoza me fërgesë, që ishin aq të lashta sa kishin një pamje të venitur, si vetë jeta në ato kohë.

Atë ditë Musineja ishte e vetme në dyqan dhe po rrinte duke pritur furnizimin. Kur ne pamë dyqanin bosh thirrëm njëherazi: “Bobo, nuk paska asgjë këtu!” Dhe ia dhamë një të qeshure, siç mund të qeshin vajzat e reja që nuk e dinin rrezikun e atyre fjalëve! Ajo na nguli sytë të dyjave, me një buzëqeshje të lehtë. E kam parasysh si tani atë vështrim, disi qortues. M’u duk sikur na mëshiroi e tha me vete – të shkretat vajza!

Një ditë tjetër e pashë Musinenë mu para Pallatit të Kultures, ku ishte biblioteka e qytetit, duke mbajtur me zor një tufë veprash të Enver Hoxhës. Menjëherë m’u kujtuan fjalët e shoqës sime - grua inteligjente - dhe në çast mendova: “Kushedi se ç’thotë kjo me vete për ato vepra…, sepse nën zë njerëzit ku e ku kishin filluar të pëshpërisnin, madje edhe të bënin ndonjë shaka të hidhur me marritë e tij në to, si për shembull kur shkruante për Hysni Kapon: “Sot kisha Besnikun për drekë…”

Unë jepja mesim në shkollën “Bardhok Biba”, në 8-vjeçare. Një prej nxënësve të mi quhej Orest Kalo. Kishte dy sy të mëdhenj në ngjyrë ulliri, dhe dukej sikur do të t’i përpinte të gjitha sa thoje në klasë. Fëmijë i zgjuar dhe me tabiate të mira: i qetë, i sjellshëm, i pastër dhe i rregullt, por çe do, ishte me biografi të keqe.

Kjo ishte gjëja e parë që mesoje kur filloje punën si mësuese në Rrëshen. Oresti ishte nxënës në klasën që kishte në kujdestari Jolanda Bajrami. Ulej në rreshtin e fundit nga muri. Një ditë kishte bërë detyrat e anglishtes, por i kishte tejkaluar kërkesat e detyrës. Unë e pyeta "Kush të ka ndihmuar?" Dhe ai m’u përgjigj "Musineja, mësuese" dhe vazhdonte të m’i ngulte sytë në pritje të reagimit tim. Në atë çast u turbullova dhe munda të artikuloja vetëm fjalet "shumë mirë".

Pas disa kohësh kur arriti në klasën e tetë, vura re që Oresti filloi të binte nga mësimet dhe një ditë tek po kontrolloja detyrat (stili i vjetër i mësuesve) i thashë: "Orest, ti ke qenë nxënës i mirë, ti tani nuk mëson si më parë".

Në këtë kohë, Oresti më drejtohet mua dhe me thotë: "Mësuese, unë në fermë do punoj, nuk më duhet anglishtja". - Jo, - i thashë unë – si për ta kundërshtuar – se gjuha është një armë e fortë … nuk arrita ta mbaroja fjalinë, dhe shkova në krye të klasës. Ishte një ndër ato gjepurat që thonim shpesh ato kohë. Të dëgjoje fjalë të tilla nga një femi ishte vërtet tronditëse. Femijë i pjekur para kohe. Ndoshta kuptonte edhe më shumë se mësuesja e tij!

Kur mbaroi mësimi shkova në dhomë dhe, me mendjelehtësinë time, ua tregova shoqeve të dhomës. Njëra prej tyre më tha: "E mi se këta janë ato që i kundërvihen pushtetit!!!" Në moment e kuptova që i kisha dhëne gojës shumë, prandaj nuk fola fare.

Mirëpo ajo shoqja, kur iu preken interesat nga regjimi komunist ndërroi, na u bë demokrate e madhe kur filluan ndryshimet demokratike në Shqiperi. Ja… kjo është demokracia shqiptare!


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 1 Prill 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Listat e deputetëve të hapura në 2/3 dhe jo plotësisht, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Kroacia e shpalli 'non-grata', zv.kryeministri i Malit të Zi: Vendimi është politik

Kroacia e shpalli 'non-grata', zv.kryeministri i Malit të Zi: Vendimi është politik