Në Shqipërinë e këtyre viteve, disa individë që të gjithë i njohim, me peshë në politikë, ekonomi etj, kanë bërë një dëm të jashtëzakonshëm: Kanë zhvleftësuar peshën e fjalës. E kanë bërë atë si një leckë që nuk merret vesh nëse duhet besuar apo jo, duhet marrë seriozisht apo jo. Por fjala, është ajo që na dallon më shumë nga krijesat e tjera, është një nga pasuritë më të shtrenjta të njerëzimit njësoj si toka, ajri e uji, dhe ne shqiptarët, nëse nuk do ta pastrojmë e t'i japim dinjitetin e munguar, mbetemi të ndotur më keq se plehrat që vazhdojmë të hedhim në natyrën tonë të bukur.
Fjala e keqe dhe e keqpërdorur në Shqipërinë e tranzicionit e ka pasur dhe e ka një qëllim: Të njësojë e të bëjë të barabartë në punë të pisëta të gjithë njerëzit, ose shumicën e tyre; Të krijojë mjegullën e përhershme që askush të mos kuptojë e të shohë qartë mbi individët e ngjarjet. Për shembull: Nëse thuhet: hajdut, i korruptuar, vrasës, mashtrues, spiun i Sigurimit, kontrabandist, gjakpirës, për të gjithë njësoj pa u bazuar në fakte, vendime e qartësime shumëdimensionale, atëherë, për publikun e gjërë krijohet një kurth nga i cili është vështirë të dilet: Në marrëdhëniet ndërpesonale ose do të bësohet që përballë është krimineli i radhës, ose do të mendohet që përballë është një "viktimë", pasi në Shqipëri flitet kot për këdo. E në të gjitha rastet, i fituar del ai që bën keq me të vërtetë. I keqi fshihet mes mjegullës së krijuar e mbijeton i qetë.
Në eksperiencën 16 vjeçare me median online, ku u krijua mundësia që njerëzit të shpreheshin e të komentonin direkt poshtë shkrimeve, analizave dhe ngjarjeve, jam dëshmitare e flukseve të ofendimeve, sulmeve raciste, fizike, diskriminuese për këdo. Gjendet gjithmonë dikush që ka gati një sharje e shpifje për Skenderbeun e Nënë Terëzën, për Kadarenë, apo atleten, mjekun, këngëtaren që kishte dhënë intervistën e radhës apo kishte bërë diçka që përbënte Lajm.
Në fillim e mendonim si një mundësi për "lirinë e shprehjes", ndoshta të gjitha mediat botërore e menduan kështu, por jo. Raste të rralla kanë qenë sinjalizimet për të thelluar një lajm, apo për të ofruar detaje të vërtetash. Viktima të një sulmi të ashpër janë sidomos gratë, në politikë apo në vende të tjera drejtuese: Komentet ofenduese kalojnë nga shpifje e sajime për çështje morali, etiketime fizike e të tjera me radhë.
E megjithatë, nuk janë komentet e anonimëve poshtë shkrimeve problemi më i madh në deformimin e fjalës në shoqërinë shqiptare. Kjo është një punë e administrueshme që u lihet redaksive, të cilat me filtrin e tyre nuk i lënë të publikohen delirimet e anonimeve.
Problemi më i madh është deformimi i fjalës dhe përmes saj i të vërtetës nga politikanë, pseudogazetarë, portale online që jetojnë në ilegalitet nga rregullat dhe ligjet e shtetit, jo për të qenë të drejtë e të lirë, por pikërisht me qëllimin e shpifjes dhe krijimit të mjegullës: Këta thashethemexhinj, që dikur, siç shkruante i madhi Umberto Eco, shpifnin e shanin klubeve të lagjeve, por askush nuk ua vinte veshin, sot, janë më afër kujtdo me një mjet të jashtëzakonshëm siç janë rrjetet sociale. Interneti, globalizmi, demokracia në rrjet, ka sjellë gjëra të mrekullueshme: Ka afruar njërëzit nga një cep i globit në tjetrin, afron racat, kulturat, të pasurit, të varfërit, moshat e ndryshme, por të gjithë qëllimmirët janë të kërcënuar e duhet të solidarizohen për të flakur keqbërësit e manipuluesit, për të izoluar e zhdukur deformuesit e zhvlerësuesit e Fjalës.