Burgu nuk është alternative e duhur për të edukuar të miturit. Kështu ëhstë shprehur ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, i pranishëm gjatë prezantimit të dokumentit politik “E ardhmja e sistemit të integruar të mbrojtjes së fëmijëve në Shqipëri” nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

Sipas Manjanit, burgu nuk është një alternativë për të edukuar dhe se të gjithë aktorët së bashku, duhet të përpiqen për të krijuar kushtet që të rinjtë në konflikt me ligjin të mund të ri-integrohen në shoqëri sa më lehtësisht.

 “Nuk është burgu vendi ku trajtohen të miturit sepse në burg nuk mëson asgjë, mëson rrugën e krimit. Shërbimi i Provës ka marrë një mision të ri ligjor, që e largon tërësisht të miturin por edhe të rriturin nga rruga e burgut dhe nga trajtimi me burg. Burgu është për prindërit e tyre, është për të rriturit jo për të miturit. Të rriturit që kanë dështuar të rrisin fëmijët e tyre, të rriturit që kanë dështuar të heqin dorë nga dhuna ndaj fëmijëve. Ne i kemi të gjitha mundësitë që sot t’i akomodojmë në Shërbimin e Provës ata të mitur apo për ata të rinj që janë gjendur në rrethana kriminale, në rrethana të shkeljes së ligjit, në mënyrë që të ritrajtohen në pjesën e mbetur me Shërbimin e Provës,” u shpreh Manjani.

Po ashtu Manjani shtoi se rëndësi të veçantë ka edhe edukimi ligjor.

“Bashkë me Ministrinë e Arsimit ne duhet të jemi edhe më aktiv në drejtim të edukimit ligjor, që në faza të hershme. Ka pasur disa ndërhyrje në kurrikulat e shkollës, ndonëse janë të shprehura me një gjuhë “të drunjtë”, që duhet të jesh jurist që ta kuptosh. Në këtë aspekt duhet të ndalemi më gjatë që të shpjegohen konceptet e para të ligjit, se cfarë është e ndaluar dhe cfarë është e lejuar”, sqaroi ministri i Drejtësisë.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)