Kjo do të thotë që fleta e votimit që do të hidhet në kutinë e votimit (vota është vetjake dhe e fshehtë) të llogaritet në favor të subjektit përkatës zgjedhor për të cilin ata kanë votuar. Shprehjet “të mbrojmë votën” tregojnë një farë mosbesimi që deri në një farë mase mbështetet në përvojën negative të së kaluarës, dhe me tentativat që bëhen për korruptimin e personave ose grupeve të veçanta.
Në këtë shkrim, mendova që mbrojtjen e votës, ta trajtoj në aspektin ligjor të problemit duke ju referuar vetëm disa momenteve që kanë të bëjnë me proçesin e votimit dhe atë të numërimit të votave.
DITA E VOTIMIT: 23 QERSHOR 2013
Një rol të rëndësishëm luajnë komisionet e qendrave të votimit (KQV-të). Ato përgjigjen për zhvillimin e votimit. Anëtarët e KQV-ve duhet të zbatojnë detyrat e parashikuara në Kodin Zgjedhor si dhe aktet nënligjore të nxjerra në bazë dhe për zbatimin e tij.
Për këtë është e nevojshme trajnimi i tyre çilësor që duhet të kryhet nga KQZ-ja. KQV-ja, vëmendje duhet të tregojë edhe në momentin (një orë para hapjes së votimit) kur duhet verifikuar saktësia e materialeve zgjedhore që do të përdoren gjatë procesit të votimit.
T’u tregojë p.sh vëzhguesve kutitë e votimit që duhet të jenë të zbrazëta. Në praninë e antarëve të KQV-së dhe vëzhguesve kutia e votimit duhet të mbyllet dhe të vuloset me kodin e sigurisë dhe numrat e vulave të sigurisë. Kontestimet e mundshme duhet të pasqyrohen në proçes-verbal.
Mbas hapjes së votimit(ora 7:00)veç zgjedhësve që presin dhe hyjnë në qendër për të votuar kanë të drejtë të jenë të pranishëm vëzhguesit e akredituar shqiptarë dhe të huaj. Askush nuk lejohet të mbajë armë. Në rast të prishjes së rregullit, KQV-ja mund të thërrasë punonjësin e poliçisë.
Gjatë proçesit të votimit ka disa momente të rëndësishme që kërkojnë vëmendje të veçantë jo vetëm nga KQV-ja, por edhe nga vëzhguesit. Kështu p.sh dokumenti i identifikimit të zgjedhësit duhet të krahasohet me listën e zgjedhësve dhe vetëm pas kësaj sipër emrit të tij të hiqet një vizë.
Të gjithë zgjedhësit duhet të kontrollohen në duar dhe mbasi të timbrosen, tu jepet fleta e votimit e vulosur me vulën e kryetarit dhe anëtarët të KQV-së. Nëse ai është i timbrosur duhet të mbahet proces-verbal dhe të mos i jepet fletë-votimi. Çdo lëshim ngarkon me përgjegjësi KQV-në.
Zgjedhësi duhet të votojë vetëm mbasi hyn në dhomën e fshehtë. Tentativa për të fotografuar fletën e votimit çon në anulimin e saj dhe për këtë mbahet proçes-verbali përkatës. Përdorimi i celularit në qendrën e votimit nga çdo zgjedhës nuk lejohet. Ka zgjedhës që për shkaqe fizike nuk mund të votojnë vetë.
Kodi në këto raste lejon që ai (ajo) të ndihmohet nga një pjestar i familjes ose një person tjetër që ndodhet në qendrën e votimit dhe që figuron në listën e zgjedhësve të po kësaj qendre votimi. Në çdo raport të OSBE/ODIHR-i lidhur me zgjedhjet në Shqipëri është evidentuar më nota kritike fenomeni i “votimit familjar”.
KQV-të, sidomos në zonat rurale, nuk duhet të lejojnë “votimin familjar”. Them në zonat rurale sepse atje është praktikuar më shumë votimi familjar madje në mjaft raste është toleruar nga vetë KQV-të. KQV-ja, nuk duhet të lejojë asnjë presion që zgjedhësi mund t’i bëjë një zgjedhësi tjetër.
Në qendrën e votimit duhet të ketë rregull dhe qetësi. Ai që voton duhet të largohet. Mbas mbylljes së votimit (ora 19:00) KQV-ja është e detyruar të zbatojë një e nga një të gjitha kërkesat e ligjit.
VËZHGUESIT E AKREDITUAR SHQIPTARË: JO PASIVË
Vëzhguesi, sipas Kodit Zgjedhor, duhet të jetë i paanshëm. Por ai, po sipas Kodit, ka të drejtë të paraqesë vërejtje me shkrim para KQV-së për çdo lloj parregullsie që vëren. Vëzhguesi ka gjithashtu të drejtë të shohë apo të kqyrë dokumentacionin ose materialet e proçesit zgjedhor.
Do të ishte mirë që këto të drejta të ishin edhe objekt trajnimi i anëtarëve të KQV-së. E themi këtë, sepse në zgjedhjet e kaluara ndaj disa vëzhguesve shqiptarë nga kjo apo ajo KQV është treguar mospërfillje. Ato kanë refuzuar të dëgjojnë apo të pasqyrojnë në proces-verbal vërejtjet e tyre.
Pretendimet apo vërejtjet e vëzhguesve mund të refuzohen, por detyrimisht ato duhet të pasqyrohen në proces-verbalin përkatës. Vëzhguesi nuk duhet të heshtë kur konstaton raste që zgjedhësit nuk i verifikohet dokumenti, i jepen dy fletë votimi, nuk kontrollohet në duar ose nuk timbroset, kur i njëjti person lejohet të ndihmojë disa persona që nuk mund të votojnë vetë, kur lejohet votimi familjar etj.
Vëzhguesi mund të ketë vërejtje për moszbatimin e ligjit edhe mbas mbylljes së votimit si p.sh pasaktësitë në numrin e zgjedhësve, që kanë votuar lidhur me fletët e dëmtuara ose flet votimeve të papërdoruara etj.
NUMËRIMI I VOTAVE
Ky proçes kryhet mbas marrjes në dorëzim të kutive të votimit dhe të kutive të materialeve zgjedhore (KQV-ja duhet ti dorëzojë ato jo më vonë se 3 orë mbas mbylljes së votimit. Ti transportojë me makinë ku të jenë të pranishëm vetëm anëtarë të KQV-së dhe një punonjës i policisë).
Për marrjen në dorëzim duhet të mbahet proces-verbali përkatës. Fillimisht, do të hapen kutitë me fletët e votimit dhe fill pas kësaj edhe kutitë me materialet e zgjedhjeve. Çdo pasaktësi apo rregullsi duhet të pasqyrohet me proces-verbal. Ashtu siç duhet pasqyruar çdo kontestim i paraqitur nga vetë numëruesit apo vëzhguesit.
Rëndësi ka numërimi i fletave të votimit dhe vlerësimi i tyre, të vlefshme, të pavlefshme (kriteret janë parashikuar në Kodin Zgjedhor). Mund të ketë edhe fletë votimi të kontestuara për të cilat do të vendosë KZAZ-ja.
Në zgjedhjet e kaluara disa subjekte zgjedhore janë ankuar se votat e tyre i kanë kaluar dy partive (subjekteve) më të mëdha. Në fakt diçka e tillë ka ndodhur, pavarësisht masës dhe ndëshkimit.
Kjo mendoj se duhet patur parasysh. Asnjë fletëvotimi nuk duhet të kalojë padrejtësisht në favor të një subjekti që nuk i takon. Veprime të tilla do të ishin të pamoralshme dhe të ndëshkueshme.
KZAZ-të që janë vendimarrëse, duhet të tregohen të vëmendshme, të pavarura dhe trasparente. Kontestimeve të mundshme t’u jepen përgjigje të motivuara dhe me vendim. Vendimet ndryshe duhet të pasqyrohen në procesverbalin e mbledhjeve të KZAZ-ve.
Në zgjedhjet e mëparshme janë vërtetuar ndërhyrje apo presione mbi numëruesit dhe vetë anëtarët e KZAZ-ve. Persona të paautorizuar dhe miliyantë të partive (siç përmendet edhe në raportin e OSBE/ODIHR-it lidhur me zgjedhjet e vitit 2009) me raste të veçanta kanë arritur deri atje sa të drejtojnë dhe të diktojnë proçesin e numërimit të votave. KZAZ-të kanë përgjegjësi të veçantë nëse edhe me këto zgjedhje do të kontestohen të tilla.
KZAZ-të duhet të zbatojnë nenin 121 të kodit zgjedhor ku thuhet se të pranishëm gjatë proçesit të numërimit të votave janë vetëm: antarët dhe sekretari i KZAZ-ve, antarët e grupeve të numërimit, kandidatët, vëzhguesit e subjekteve zgjedhore, vëzhgues të tjerë të akredituar, perfaqësues të akredituar të medias si edhe personeli teknik për mbarëvajtjen e sistemit të kamerave i autorizuar nga KQZ-ja.
(Në këtë vlerësim nuk trajtohet proçedura e verifikimit të dokumentit të identifikimeve dhe të numërimit të votave që sipas kodit zgjedhor do të zbatohet përkatësisht në Qarkun e Tiranës dhe të Fierit). Kam bindjen se mbrojtja e votës mund të realizohet nëse për procesin e votimit dhe atë të numërimit do të zbatoheshin me rigorozitet dispozitat përkatëse të kodit zgjedhor.
KQV-te dhe KZAZ-të mendoj se duhet të kenë parasysh dhe të zbatojnë në praktikë një nga parimet e përgjithshme të nenit 3 pika 6 të kodit zgjedhor kur thuhet se: “Komisionet zgjedhore të parashikuara në këtë kod përmbushin funksionet e tyre në përputhje me ligjin në mënyrë të pranueshme dhe trasparente”.
Duhen vlerësuar dhe respektuar komisionerët që janë të ndërgjegjshëm se megjithëse të parapaguar nga partitë përkatëse parlamentare, duhet të zbatojnë vetëm ligjin. Nëse dikujt ose disave do t’u mungojë kjo ndërgjegje, ndoshta frika ndaj shkeljes së ligjit do t’i bashkojë me të parët. Kjo do të ishte pozitive sepse do të ishte më interesin e tyre dhe në të njëjtën kohë do t’i shërbente mbarëvajtjes së zgjedhjeve.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 19.06.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)