Dikur me 320 familje, sot i banuar kryesisht nga të moshuar që jetojnë në heshtje, pa shërbime e në vetmi. Kjo është jeta në fshatin Sopot të Tropojës.

Bashkim Musta është ndër të paktët fermerë që ende jeton në fshat edhe pse shpesh punon në punë sezonale në Itali si murator. Ai ka një fermë me rreth 30 krerë gjedhë, prej të cilave siguron të ardhura për familjen.

Shpëtim Halilaj është një tjetër blegtor. Të imtat që mban prej 30 vitesh e mbajnë ende në fshatin që po shkon drejt braktisjes së plotë.

Mungesa e mbështetjes nga shteti, subvencionet e pakta dhe emigrimi i fëmijëve kanë bërë që shumë banorë të humbin interesin për bujqësinë dhe blegtorinë, duke lënë tokat bujqësore djerrë.

Në Sopot, si në shumë zona të tjera rurale të Tropojës, blegtoria po shuhet bashkë me fshatin. Ata pak që kanë mbetur janë fermerët e një tradite që po lufton për të mbijetuar.