Pikërisht ditën që Komisioni Evropian rekomandoi dhënien e statusit të vendit kandidat për në BE për Shqipërinë dhe për këtë në Tiranë ishte vetë komisioneri për zgjerimin Stefan Fyle, grevistët morën urdhërin nga PD për ta mbyllur këtë grevë. Kështu, dje grevistët e shkarkuar nga administrata ndërprenë grevën e urisë pikërisht në ditën e 15-të të saj. Kryetarja e Shoqatës së të Larguarve nga Puna, Nertila Qafzezi në një deklaratë për media tha se: “Arritëm të sensibilizojmë opinionin publik dhe institucionet ndërkombëtare për çështjen tonë”. Qafzezi ka ripërmendur 5 kërkesat e grevistëve drejtuar qeverisë, ndërsa ka theksuar se kryeministri Edi Rama nuk ka reaguar ndaj tyre, me gjithë thirrjet e njëpasnjëshme të tyre.
Sipas kryetares së Shoqatës së të Larguarve nga Administrata ndërprerja e grevës ka ardhur për arsye të gjendjes shëndetësore të grevistëve të cilët u përballen me probleme shëndetësore përgjatë 5 ditëve të grevës së urisë. Ndërsa Qafzezi tha se një tjetër arsye që solli në ndërprerjen e grevës së të larguarve nga administrata ka qenë mbështetja e marrë nga komisionieri për Zgjerimin në BE, Stefan Fyle. “I paraqitëm qeverisë 5 kërkesat tona, ndër to kemi kërkuar rikthimin në punë të të larguarve pa të drejtë.
Por nuk pari asnjë reagim nga Rama dhe qeveria e tij për grevën tonë. Morëm mbështetjen e komisionarit Fyle, i cili na tha se kjo çështje jonë do të ndiqet nga BE. Do të kërkojmë azil nëse nuk përmbushen kërkesat tona. Greva jonë do të ndërpritet nisur nga gjendja grevistëve. Falënderojmë opozitën si avokate të çështjes sonë, institucionet ndërkombëtare dhe opinionin publik”, tha Qafzezi, e cila e ka deklaruar grevën e urisë zyrtarisht të mbyllur, duke ngritur çadrat e vendosura në anë të selisë së kryeministrisë të cilës i bënë karshillëk plot dy javë.
Reagimi i Fyle
Eurokomisioneri për zgjerim, Stefan Fyle nuk ka qëndruar indiferen ndaj ngujimit të ish-punonjësve të administratës të pushuar nga puna të cilët ishin ngujuar në një grevë 15-ditore urie. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, pas takimit me kryeministrin Edi Rama në Tiranë, e vuri theksin dhe tek çështja e grevës së urisë dhe thirrjes që grevistët i kanë bërë për ndihmë.
Komisioneri Fyle, teksa shprehu shqetësim për zhvillimin e grevës së ish-nëpunësve të shkarkuar nga administrata, u përgjigj dje në mënyrë konkrtete dhe të qartë, duke u rekomanduar personave të Shoqatës së të Larguarve nga Puna që të mos vënë jetën në rrezik sepse personalisht po e shikon me përparësi dhe çështjen e tyre. “Sa i përket grevës së urisë, kam njohuri, e di dhe jam njohur rreth tyre. Dhe e shoh me shqetësim, dhe u bëj thirrje grevistëve që mos të venë jetën e tyre në rrezik dhe i siguroj se ne flasim në mënyrë të rregullt me qeverinë dhe do vijojmë ta bëjmë këtë”, ka deklaruar komisioneri Fyle.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 5 qershor 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)