Dy zyrtarët e lartë eurpianë, Ursula Von Der Leyen dhe Antonio Costa, pritën në Bruksel liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’i dhënë një tjetër shtysë zgjerimit e një sinjal vendeve të rajonit se BE po punon në këtë drejtim.

Samiti i përvitshëm, BE-Ballkani Perëndimor kishte pikërisht në fokus përparimin e vendeve të rajonit dhe përmbushjen e reformave, progres që Presidentja e Komisionit Evropian e vlerësoi veçanërisht për Shqipërinë e Malin e Zi.

“Po shohim përparim inkurajues. Mali i Zi po i afrohet vijës së finishit të negociatave të anëtarësimit. Shqipëria vijon të ecë drejt këtij objektivi me një ritëm mbresëlënës. Dëshirojmë që edhe vendet e tjera të ndjekin këtë shembull”, tha Ursula von Der Leyen.

BE e vlerëson progresin e vendeve kandidate, duke e përkthyer në mbështetje konkrete tha Von der Leyen, duke parlajmëruar disbursimin e mbi 300 mln eurove për Shqipërinë e dy vende të tjera.

“Një vit më parë, partnerët kishin realizuar 38% të reformave të parashikuara, ndërsa sot kemi arritur në 63%. Këto reforma sjellin ndryshime konkrete dhe mund të zhbllokojnë 338 milionë euro të tjera për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut gjatë javëve të ardhshme”, shtoi ajo.

Ndërsa Presidenti Costa parakusht për anëtarësimin cilësoi edhe fqinjësinë e mirë.

“Bashkëpunimi rajonal, pajtimi dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë parakushte kyçe për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Pres me padurim përparimin e mëtejshëm në zgjidhjen e çështjeve dypalëshe. Sfidat që burojnë nga e kaluara duhet të kapërcehen", tha Costa.

Më herët, në nisje të punimeve kyeminsitri Rama kërkoi nga Bashkimi Europian të ulë në një tryezë të gjitha vendet kandidate, ndërsa tha se Shqipëria duhet parë si kandidatja më serioze për progresin e bërë në luftën kundër korrupsionit.

“Mbetem i bindur se BE-ja duhet të ketë guximin të bëjë një hap të guximshëm përpara, duke sjellë të gjitha vendet kandidate rreth tryezës, pa ndryshuar procesin e bazuar në meritë. Ajo çfarë Shqipëria po bën në luftën kundër korrupsionit është e pashembullt në rajon. Është shumë e qartë që nuk ka më askush që nuk është mbi ligjin në Shqipëri e kjo është saktësisht arsyeja pse Shqipëria duhet parë me një sy mjaft pozitiv", tha Rama.

I pranishëm në punimet e këtij samiti ishte edhe Kryeministri, Albin Kurti i cili e cilësoi të vonuar dhënien e statusit të vendit kandidat për Kosovën. Ai kërkoi që BE-ja t’i japë Kosovës statusin mbi bazën e përparimit të saj në zhvillimin demokratik, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Ndërsa Serbia, mungoi edhe këtë radhë për shkak të periudhës së tranzicionit pas zgjedhjeve. Në dhjetor të vitit të kaluar, presidenti i atëhershëm Aleksandër Vuçiç e bojkotoi samitin pas mos hapjes së grupkapitullit të tretë të negociatave me BE-në.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:26
Samiti BE-Ballkani Perëndimor, Kryeministri Rama ndan foton familjare nga Brukseli

Kryeministri Edi Rama ka ndarë foton familjare nga Samiti Bashkimi Europian – Ballkani Perëndimor i mbajtur në Bruksel.

Në fotografinë e publikuar, Rama shfaqet krah liderëve të vendeve të rajonit, si dhe përfaqësuesve të lartë të institucioneve të Bashkimit Evropian, mes tyre presidentit të Këshillit Evropian, António Costa, dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. 

I pranishëm është edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

Ora 19:42
Von der Leyen: Sa më e fortë dhe e bashkuar të jetë Europa, aq më mirë do të jemi në gjendje të përballojmë sfidat

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, vlerësoi përparimin e Shqipërisë në negociatat e anëtarësimit në BE, duke e cilësuar ritmin e vendit mbresëlënës. Në konferencën për shtyp pas samitit në Bruksel, Von der Leyen tha se unioni po përgatitet edhe vetë për zgjerimin, ndërsa theksoi se reformat mund të zhbllokojnë 338 milionë euro të tjera për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut gjatë javëve të ardhshme.

“Zgjerimi është një domosdoshmëri strategjike për Europën dhe sot kemi një momentum të vërtetë. Nëse shohim të gjitha negociatat që kemi në zhvillim, jemi në rrugën e duhur për të hapur dhe mbyllur mbi 100 kapituj këtë vit, dhe ky është një përparim i jashtëzakonshëm. Ky proces vjen në një moment vendimtar. Bota përreth nesh, siç thatë edhe ju, po ndryshon me shpejtësi. Sa më e fortë dhe më e bashkuar të jetë Europa, aq më mirë do të jemi në gjendje të përballojmë sfidat. Prandaj, duhet ta shfrytëzojmë këtë moment dhe ta kthejmë në përparim drejt anëtarësimit. Dhe kjo kërkon angazhim nga të dyja palët. Po shohim përparim inkurajues. Mali i Zi po i afrohet vijës së finishit të negociatave të anëtarësimit. Shqipëria vijon të ecë drejt këtij objektivi me një ritëm mbresëlënës. Në fillim të këtij muaji prezantuam udhërrëfyesit për të dyja vendet. Këta udhërrëfyes përcaktojnë qartë prioritetet dhe etapat kryesore për punën që na pret, dhe dëshirojmë që edhe vendet e tjera të ndjekin këtë shembull. Në të njëjtën kohë, po përgatisim edhe vetë Bashkimin tonë. Kemi shqyrtuar se çfarë nënkupton zgjerimi për institucionet, politikat dhe buxhetin tonë, sepse zgjerimi duhet të jetë një sukses si për shtetet aktuale anëtare, ashtu edhe për ato që do t’i bashkohen Bashkimit. Por mendoj gjithashtu se nuk duhet të presim anëtarësimin për t’i afruar më shumë qytetarët dhe ekonomitë tona. Pikërisht për këtë bëhet fjalë me integrimin gradual dhe Planin tonë të Rritjes. Ne dëshirojmë t’u ofrojmë vendeve të Ballkanit Perëndimor akses në më shumë përfitime të tregut tonë të vetëm përpara anëtarësimit. Për këtë arsye, po hapim sektorë të caktuar, ndërkohë që vendet e Ballkanit Perëndimor ndërmarrin reformat përkatëse.

Për të garantuar kushte të barabarta konkurrimi, ky proces reformash shoqërohet me financim nga Bashkimi Europian. Dhe tashmë po shohim rezultatet. Katër partnerë të Ballkanit Perëndimor janë bërë pjesë e SEPA-s. SEPA, Zona e Vetme e Pagesave në Euro, mundëson transferimin e parave më shpejt dhe me kosto më të ulët. Po ashtu, po shënojmë përparim edhe në nismën ‘Roaming si në shtëpi’. Muajin e kaluar nisën negociatat për këtë çështje me Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën. Këto janë përfitime konkrete për qytetarët, edhe përpara anëtarësimit. Dhe ne dëshirojmë të shkojmë edhe më tej. Në fillim të vitit të ardhshëm do të nisim dialogët për integrimin gradual me secilin prej partnerëve, në mënyrë të përshtatur për secilin […] Dhe këto janë reforma që sjellin ndryshime konkrete. Ato mund të zhbllokojnë edhe 338 milionë euro të tjera për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut gjatë javëve të ardhshme.

Por ekziston edhe një pjesë tjetër thelbësore e këtij rrugëtimi. Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet gjithashtu të afrohen më shumë me njëri-tjetrin. Edhe në këtë drejtim po shohim përparim. Tregtia brenda rajonit është rritur ndjeshëm, kualifikimet po njihen gjithnjë e më shumë përtej kufijve, ndërsa roaming-u rajonal ua bën më të lehtë njerëzve të qëndrojnë të lidhur me njëri-tjetrin dhe korsitë e gjelbra po e bëjnë tregtinë më të shpejtë. E gjithë kjo tregon se sa i rëndësishëm është bashkëpunimi rajonal. Në fund të fundit, suksesi i zgjerimit do të matet përmes ndryshimeve. Ky është rezultati që duhet të sjellë projekti ynë europian. Kemi një mundësi historike për ta bërë këtë realitet. Bashkimi Europian është i gatshëm të bëjë pjesën e tij dhe jam e bindur se së bashku mund ta kthejmë momentumin e sotëm në përparim të qëndrueshëm. Ju faleminderit shumë”, tha Von der Leyen.

Ora 18:05
Përqafime dhe shtrëngim duarsh, Von der Leyen dhe Costa presin Ramën në samitin e Brukselit (VIDEO)

 

Para nisjes së samitit BE-Ballkani Perëndimor, presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, dhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, pritën një nga një liderët e rajonit. Me buzëqeshje, Von der Leyen e priti kryeministrin Edi Rama me një puthje dhe përqafim. Më pas, të tre liderët pozuan para kamerave, duke bashkuar duart njëri mbi tjetrin.

Ora 18:00
Samiti në Bruksel/ Rama pyetet për ambiciet tregtare të Trump, ja si përgjigjet kryeministri

1795625320_rama.jpg

Mes pyetjeve të gazetarëve për kryeministrin Edi Rama në mbërritje në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel ishte edhe një për ambiciet tregtare të presidentit amerikan Donald Trump. Rama zgjodhi të fliste për synimin e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e tregut të vetëm europian. “Nuk di shumë për këtë çështje. Unë di për tregun e vetëm këtu në Europë dhe kjo është ajo që ne synojmë”, u përgjigj kryeministri.

Ora 17:51
'Balluku', Rama në Bruksel: Askush nuk është mbi ligjin në Shqipëri! Lufta ndaj korrupsionit, e paprecedentë në rajon (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama u pyet edhe për çështjen e Belinda Ballukut në mbërritje në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel. Rama tha se lufta që Shqipëria po bën kundër korrupsionit është një nga arsyet pse vendi duhet të konsiderohet një kandidat serioz për anëtarësim në BE.

“ Ajo që Shqipëria po bën kundër korrupsionit është e paprecedentë në rajon dhe kjo është pikërisht arsyeja përse Shqipëria duhet të konsiderohet një vend kandidat shumë, shumë serioz. Nëse deri jo shumë kohë më parë Shqipëria portretizohej gjithmonë si një vend ku ishte ngulitur kultura e pandëshkueshmërisë dhe ku korrupsioni ishte vetë sistemi, sot Shqipëria është një vend ku sistemi po lufton fuqishëm korrupsionin. Natyrisht, çdo çështje duhet të kalojë përmes procesit të rregullt ligjor, por është shumë e qartë se në Shqipëri nuk ka më askënd mbi ligjin. Dhe pikërisht kjo është arsyeja përse Shqipëria duhet të shihet me një sy shumë pozitiv”, tha Rama.

I pyetur për mbylljen e kapitujve të rradhës, Rama u shpreh:

"Ne po punojmë shumë fort çdo ditë me Komisionin Evropian dhe le të shohim si do të dalin llogaritë. Por, me sa jam në dijeni, jemi në rrugën e duhur dhe sipas planifikimit. Nga ana tjetër, kjo nuk është një punë e njëanshme, por një punë me dy kahe. Për disa prej çështjeve, ne jemi ende në pritje që Komisioni të japë dritën jeshile, sepse, siç e di kushdo që është i përfshirë në këtë proces, Komisioni duhet t’i miratojë paraprakisht tekstet që ne i kemi përgatitur tashmë" tha ai. 

Ora 17:38
Samiti në Bruksel, Rama: BE duhet të ketë guximin të bëjë një hap të madh përpara, të sjellë të gjitha vendet kandidate në tryezë (VIDEO)

 

Kryeministri Edi Rama, në mbërritje në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, kërkoi nga Bashkimi Europian të bëjë një hap të guximshëm drejt integrimit të mëtejshëm të vendeve kandidate, pa ndryshuar procesin e anëtarësimit të bazuar në meritë.

“Sigurisht, ky samit vjetor është ngjarja kryesore e vitit për të gjitha vendet kandidate. Ka rëndësinë e vet edhe për vendet anëtare. Është një moment për një bisedë të hapur dhe shumë konstruktive, për të shkëmbyer përshtypjet e vitit dhe idetë për të ardhmen. Është e rëndësishme të jemi këtu dhe pikërisht në samitin e këtij viti ka një arsye shumë të mirë për të ecur përpara drejt një integrimi më të madh. Mbetem i bindur se BE-ja duhet të ketë guximin të bëjë një hap të guximshëm përpara, duke sjellë të gjitha vendet kandidate rreth tryezës, pa ndryshuar procesin e bazuar në meritë për secilin vend, por duke u dhënë një sinjal të fortë qytetarëve tanë dhe botës”, tha Rama.

Ora 17:31
Samiti në Bruksel, presidenti i Malit të Zi: Shpresojmë të bëhemi vendi i 28-të anëtar i BE-së deri në vitin 2028

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviç, në mbërritje në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, tha se vendi i tij synon të mbyllë të gjithë kapitujt e negociatave brenda këtij viti.

“Shpresojmë të përfundojmë të gjithë kapitujt e negociatave deri në fund të këtij viti. Shpresojmë të bëhemi vendi i 28-të anëtar deri në vitin 2028. Kjo ka të bëjë me besueshmërinë e politikës së zgjerimit të BE-së. Është një sinjal pozitiv për vendet e tjera kandidate”, tha Millatoviç.

Ora 17:20
Samiti në Bruksel, Kurti kërkon statusin e vendit kandidat për Kosovën: Nuk po kërkojmë favore, e meritojmë! Është çështje urgjente

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbërritje në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, kërkoi që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE, duke theksuar se ky proces është vonuar prej kohësh.

“Jam shumë i lumtur që jam në Bruksel. Presim një shkëmbim konstruktiv idesh dhe mendimesh për rrugën përpara. Presim statusin e vendit kandidat për vendin tonë. Është vonuar prej kohësh. Kemi dorëzuar aplikimin për anëtarësim në BE dhe jemi i vetmi vend pa statusin e kandidatit. Nuk po kërkojmë favore, por njohjen e përparimit të Kosovës, të zhvillimit demokratik, sundimit të ligjit, të drejtave politike dhe luftës kundër korrupsionit. Statusi i vendit kandidat jo vetëm që është shumë i rëndësishëm, por është edhe çështje urgjente. Çdo muaj ka zgjedhje në kontinentin tonë dhe çdo gjë ka rëndësi. Duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi për zgjerimin me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për t’i dhënë Kosovës statusin e vendit kandidat mbi bazën e meritës, sepse e meritojmë”, tha Kurti.

Ora 17:18
Samiti në Bruksel, Mickoski: Ballkani Perëndimor është porta e Europës! Qytetarët tanë janë të frustruar, kanë pritur shumë gjatë për zgjerimin në BE

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në mbërritje në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, tha se pret një ndryshim të qasjes ndaj rajonit.

“Do të flasim më shumë për zgjerimin dhe buxhetin për vendet kandidate. Presim një ndryshim të qasjes ndaj Ballkanit Perëndimor. Ne jemi porta e Europës. Ju lutem, mos e nënvlerësoni potencialin e Ballkanit Perëndimor, që është porta e Europës. Vendi ynë është në Europë. Qytetarët tanë janë të frustruar sepse kanë pritur për shumë kohë në oborrin e pasmë. Duam ta meritojmë vendin tonë në tryezë, bazuar në parimin e meritës”, tha Mickoski.