TIRANË- Sali Berisha i është rikthyer edhe një herë mbylljes së institucioneve arsimore turke në vend. Gjatë një takimi sot me prindërit e fëmijëve të kopshtit Zubeyde Hanim, i cili u mbyll me 23 shtator, ish-kryeministri Sali Berisha tha se ky është një vendim me urdhër të presidentit turk Recep Taiyp Erdogan, ku tha se interesat turke në këtë vend marrin fund, pasi nuk është një provincë e Ankarasë apo Anadollakut. Po ashtu duke ju drejtuar presidentit turk, Berisha u shpreh se ai ka probleme politike të brendshme dhe urdhëron vasalin e tij, duke ju referuar kryeministrit Edi Rama, që të mbyllë kopshtin. Sipas Berishës marrëdhëniet në rangun personal mes Ramës dhe Erdogan janë jashtëzakonisht problematike, pasi presidentit turk po punon për pushtetin e Edi Ramës.

'Mbylljen e kopshtit të fëmijëve, e kam konsideruar dhe konsideroj një nga ngjarjet më të rënda që mund ti ndodhë një vendi të pavarur, sovran. Të vendosësh të mbyllësh një kopsht me 250 fëmijë është pak të thuash se je 250 herë i çmendur, amoral, ia paftyrë, i pakarakter. Këtë e bën vetëm një qeveritar që është i shkëputur tërësisht nga interesat e fëmijëve në radhë të parë, ëndrrat e fëmijëve, nga interesat e prindërve, shoqërisë, që bën gjithçka për karrigen e tij, që nuk jeton në një realitet që nuk ka nocionin më elementar se çfarë do të thotë sovranitet i vendit. Në rastin konkret, për këtë tokë, vend, 500 vjet me radhë vendimet janë marrë në Stamboll, por u shkëputën nga ajo kohë. Vendimet duhet të merren në Tiranë. Kjo e kopshtit të fëmijëve është historia më e turpshme. Dikur perandoria mbyllte shkollat se mësohej shqip në to, por ne nuk jemi këtu për të bërë historinë me perandorinë, sepse ne me Turqinë kemi punuar dhe punojmë për të shkruar faqe bashkëpunimi dhe miqësie. Ka probleme të brendshme ai politike dhe urdhëron vasalin e tij në Tiranë të mbyllë kopshtin. Këtu është shkelur çdo ligj, rregull, parim, njerëzor, kushtetues, ligjor. Por edhe në marrëdhëniet mes dy vendeve. Unë kam punuar për marrëdhënie miqësore mes Shqipërisë së Turqisë, por unë i them presidentit turk, ai e di mirë fjalën e time, se në këtë mënyrë në këtë  vend interesat turke marrin fund. Nuk mund të trajtohen shqiptarët në këtë mënyrë për karrigen e Ramës. Çfarë do të thotë kjo. Çfarë rreziku ka një kopsht shembullor me 250 fëmijë. Çfarë interesash janë këtu. Këtij mund ti thuash çdo fjalë, por nuk ka asnjë gjë shqiptare. Nuk është rruga të trajtohesh sikur je një provincë e Ankarasë, apo Anadollit dhe të të mbyllin kopshtin. Marrëdhëniet në rangun personal Erdogan-Rama janë jashtëzakonisht problematike, ai punon për pushtetin e Edi Ramës, por shkel të gjitha rregullat, sepse Edi Rama pranon që vendi të trajtohet si një vend vasal i Ankarasë, por kështu nuk ndërtohet partneriteti, miqësia. Çdo vend ka interesat e tij ndaj një vendi tjetër, por janë brenda të gjitha akteve.'- tha Berisha.

Në fund të fjalës së tij Sali Berisha u ndal edhe tek ndërtimi xhamisë së ‘Namazgjasë’ ku tha se Erdogan ka ndërtuar një xhami dhe kërkon që të sundojë Shqipërinë.

‘Ka ndërtuar një xhami dhe kërkon të sundojë një Shqipëri. Jo more zotëri, atë xhami do të ja paguajmë një për një. Nuk mund të sundohet Shqipëria se ndërton një xhami.’- u shpreh Berisha.

Në vendimet e qeverisë më 22 shtator, nga Këshilli i Ministrave u vendos mbyllja e kopshtit privat “Zubeyde Hanim”, Tiranë. Kopshti u mbyll me urdhër të ministres së Arsimit dhe Sportit dhe shkak thuhet se ishte bërë konstatimi i shkeljeve të rënda të legjislacionit në fuqi. Kopshtit ju la detyrim të kthejë pagesat e kryera nga prindërit, të bëjnë të mundur transferimin dhe të plotësojë çdo dokumentacion që i kërkohen nga institucionet. Kopshti është hapur në tetor të vitit 1998 dhe ishte pjesë e shoqërisë “Turgut Ozal” që financohet nga kleriku filantrop, Fethullah Gylen, që njihet si kundërshtari më i madh i presidentit turk Erdogan dhe jeton në SHBA.

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:09
Boçi kërcënon Ramën: S’di sa do shtrëngoja grushtet që mos ta godisja nëse do e bënte me fëmijën tim

Deputeti i Partisë Demokratike Luçiano Boçi deklaroi gjatë takimit të thirrur nga Sali Berisha me prindërit e fëmijëve të kopshtit turk të mbyllur nga qeveria, se duhet një koordinim për t’i vënë fre akteve të tilla. Ai u shpreh se nuk duhet protestuar vetëm për vete, por edhe për problemet të të gjithë shoqërisë. 

‘Jemi të lënduar e të revoltuar se jeni prekur në gjënë më të shenjtë e dashur, fëmija, arsyeja pse punojmë, e luftojmë, e në fund çdo investim i yni ka një emër, fëmijë. Goditja e tyre, akt vasaliteti i hapur i pështira ndaj sovranitetit, por kurrë në asnjë rast nuk kanë prekur e arritur tek fëmija si në rastin e këtij kopshtit. Është model sjellje antinjerëzore e një qeverive armike e qytetarit. Rama e bëri, nuk po e shaj por po e denoncoj me ju. E vë veten time në veten tuaj dhe nuk di sa do shtrëngoja grushtet për ta goditur, nëse do ta bënte me fëmijën tim. Nuk po them që duhet ta bëni ju, se ka mekanizma të tjerë. Shqetësimet tuaja kanë qenë dhe tonat. Takimi i sotëm është për çdo bëjmë më tej. Nuk mjaftojnë fjalët duhen akte. Duhet të koordinojmë veprimin tuaj human me tonin politik për ti vënë fre vendimeve të tilla. Tani që veprimi abuziv erdhi tek fëmijët duhet të ulërasim jo vetëm për të protestuar, por edhe për të ndryshuar realitetin politik në vend. Duhet të tejkalojmë veten, me atë që ndodh jashtë nesh. Ne do na keni në krahë për çdo nismë për ti dhënë përgjigjen e duhur Ramës, jo vetëm në rrugët ligjore, por në çdo rrugë që mendoni se është efektive”, tha ai.