LEZHE  Tregtarët në qytetin e Lezhës nuk janë mjaftuar vetëm me protesta për të kundërshtar mbylljen e tregut nga Tatimoret dhe Policia e rendit, por gjatë pasdites kanë bllokuar automjetin e drejtoreshës së Përgjithshme të Tatimeve, Briseida Shehaj, e cila kishte mbërritur në këtë qytet pikërisht për të negociuar me ta, pas vendimit për mbylljen e tregut.
 
Tregtarët i kanë bllokuar përreth 30 minuta makinën kreut të Tatimeve,  dhe nuk kanë lejuar të dalë jashtë shoferin, ndërsa Briseida Shehaj ishte futur në Bashki për të takuar një përfaqësi të tregtarëve.  
 
Është dashur ndërhyrja e policisë e cila është përplasur me protestuesit për të normalizuar situatën
 
Policia ka ndalur dy protestues Pashk Haxhia dhe Prend Pepa, ndërsa tregtarët vazhdojnë të jenë në protestë tek tregu ku kanë deklaruar se do të qendrojnë gjatë gjithë natës.
 
Gjithçka nisi pasi Tatimoret dhe policia e rendit në Lezhë u mbyllen dyert dhe nuk i lejuan qe të hynë tregtarët sërish në treg. Për mos pagesë të tatimeve nga ana e tyre.  Gjatë orëve të paradites tregtarët iu drejtuan të irrituar zyrave të Tatim-Taksave në Lezhë dhe hynë forcërisht në to.
 
Policia e rendit nuk ndërhyri, por qëndroi para tyre duke monitoruar situatën që ajo të mos rëndohej më tej. 350 tregtarët e Lezhës bllokuan të dy hyrjet e drejtorisë rajonale të Tatim-Taksave dhe nuk lejuan që të kryhej asnjë veprim nga qytetarët.

Mbyllja e tregut të lirë të qytetit të Lezhës ka sjellë debate të forta në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak në këtë qytet.
 
I ashpër ka qenë në qëndrimin e tij nënkryetari demokrat i Këshillit, Tonin Uldedaj, i cili iu ka tërhequr vëmendjen këshilltarëve të majtë, të cilët nuk po ju përgjigjen kërkesave të këtyre tregtarëve.
 
Pas propozimit të disa këshilltarëve u vendos që në mbledhjen e ardhshme të futet si pikë e parë në rendin e ditës, problematika e tregtarëve të këtij qyteti, me qëllim që të gjendet një zgjidhje në lidhje me kërkesat që ata kanë parashtruar. 


tregtaret lezhe me logo
(Në foto: Tregtarët në Lezhë duke hyrë me forcë ne zyren e tatimeve )

Po kështu mësohet se tregtaret e Lezhës, vijojnë të jenë ende në protestë, në ambientet e tregut dhe kanë vendosur ta kalojnë natën aty. Ata janë vizituar edhe nga deputeti i Partisë Demokratike Mhill Fufi i cili është njohur nga afër dhe me problemet e tregtareve.

Sipas deputetit Fufi, kjo është një situatë e papranueshme, duke cituar se qeveria ka hedhur rreth 400 tregtarë të ndershëm në rrugë. Gjatë fjalës deputeti i PD-së theksoi: Ne jemi gjithmonë në mbështetje të tyre dhe nuk do të ndalim, pasi kjo qeveri duhet larguar sa më parë.


Redaksia Online
(Gre.M/e.c/Shqiptarja.com)