Bllokimi i lëvizjes së automjeteve në Urën e Vjetër mbi lumin Mat, për shkak të dëmtimeve që ka pësuar, është bërë objekt diskutimesh edhe në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Lezhës.

Përfaqësuesit e opozitës i kërkuan Bashkisë të ndërhyjë për të gjetur një zgjidhje, me qëllim të shmangies së trafikut dhe kaosit që ka nisur të krijohet, duke ndikuar negativisht në pikun e sezonit turistik.

Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, deklaroi se do të ndërhyhet në mënyrë emergjente në Urën mbi lumin Mat, të paktën për të lejuar aksesin e mjeteve deri në 3.5 ton. Si zgjidhje përfundimtare për shmangien e trafikut, ai përmendi ndërtimin e autostradës Milot–Balldren, një investim që sipas tij do të nisë së shpejti.

Ura e Vjetër mbi lumin Mat u mbyll një javë më parë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, për shkak të dëmtimeve serioze në strukturë dhe themele. Kjo situatë ka rënduar ndjeshëm trafikun përgjatë superstradës Lezhë–Milot, ne pikun e sezonit turistik.