Klubi i filmit "Mësojmë nga e Kaluara", një nismë e Arkivit Qendror të Filmit dhe Autoritetit të Dosjeve u ndal në Lezhë.
Përmes fakteve dhe dëshmive u prezantua mënyra se si kinemaja e periudhës komuniste iu nënshtrua censurës së regjimit dhe ndikoi në formësimin e kulturës shoqërore, ku pjesë e kësaj goditje ishte edhe familja Syku në Lezhë.
Studiues dhe përfaqësues të Autoritetit të Dosjeve theksuan se filmi "Toka Jonë", i realizuar në vitet ’60, u ndërtua mbi një narrativë të shtrembëruar, me qëllim që familja Syku të paraqitej si përfaqësuese e armiqve të klasës, për t’i bërë ata objekt urrejtjeje dhe izolimi shoqëror.
Përfaqësuesja e Autoritetit të Dosjeve, Rovena Rrozhani, thotë se është shumë e rëndësishme për të mësuar të vërteten e deformuar nga regjimi i asaj kohe.
“Sot në Lezhë ne sjellim filmin ‘Toka jonë’. Flasim për historinë e një familje të persekuetuar. Është e rëndësishme për të krijuar panormën e asaj kohe e cila është shtrembëruar në saj të propagandës së diktaturës me qëllim që ta sjellin historinë sipas tyre”, tha Rovena Rrozhani.
Gjatë diskutimeve, historiani Paulin Zefi u shpreh se rasti i Gjon Nik Sykut është një ndër më të rëndët në nivel kombëtar, teksa filmi ‘Toka jonë’ shërbeu si justifikim propagandistik për goditjen e shtresave pronare, ndërsa pasojat për familjen Syku u shtrinë për dekada, me dënime, shpronësime dhe stigmatizim të thellë shoqëror.
Pas shpërndarjes së filmit dhe propagandës që e shoqëroi, familjes Syku iu sekuestruan mbi 1 mijë hektarë tokë, ndërsa dhjetëra anëtarë u dënuan me burgime të gjata, që në total kapën mbi 100 vite. Përplasja nuk ishte vetëm ekonomike dhe fizike, pasojat prekën edukimin, të drejtën për punë dhe çdo mundësi integrimi shoqëror për breza të tërë.
Komente







