Mbyllni sytë... dhe dëgjoni zemrën

Mbyllni sytë... dhe dëgjoni zemrën

Jemi polarizuar aq shumë pas 1990, sa njerëzit, në vend që t’i dallojmë përmes karakteristikave të tyre njerëzore, disa prej nesh, i kalojnë në skanerin e ndjenjave duke dalluar në fillim ngjyrën e përkatësisë apo thjeshtë simpatisë partiake. Dhe vetëm fakti se e mendojnë ndryshe, etiketohen si “armiq”. Ndodh edhe më keq, nëse njerëzit përballë apo përreth, qëllojnë që janë të një simpatie apo përkatësie të kundërt me tonën, nuk kanë më asnjë karakteristikë njerëzore: ata janë vrasës, hajdutë, komunistë apo antikomunistë,  sipas siglës që “guxuan” të shprehin hapur. Eshtë demonizuar fillimisht politika, duke e zhvleftësuar këtë mjet të vetëm rregullator të jetës demokratike të një vendi duke e përdorur, nga disa, për qëllime e përfitime të dukshme në sy të të gjithëve.

Këto zgjedhje të 25 prillit duhet të ishin një lumë alternativash, emrash të rinj, ambicje për një Shqipëri më të bukur dhe gjithnjë e më të mirë. Disa kanë guxuar, por të tjerë ende shohin me frikë dhe mosbesim të angazhohen në rrugën e vetme të shpikur deri më tani nga njerëzimi për të kontribuuar në një Shtet. Kush përballon agresivitetin e ngritur në artin e të keqes në gjithë këto 30 vite, guxon, përpiqet dhe meriton respektin për këtë hap të vështirë. Nuk është e lehtë të futesh në vorbullën e urrejtjes që ka lëvizur rreth politikës në Shqipëri. E megjithatë, me 25 prill duhet të votojmë. Po si?

Mbyllim sytë... dhe dëgjojmë zemrën. Kalojmë në skanerin e mendjes gjithë Shqipërinë, qytetet një nga një: Tamarën, Tropojën, Kukësin, Pukën, Shirokën, Lezhën, Shijakun, Durrësin, Elbasanin, Tiranën, Beratin, Belshin, Gramshin, Librazhdin, Korçën, Pogradecin, Ersekën, Kolonjën, Lushnjën, Divjakën, Vlorën, Beratin, Përmetin, Gjirokastrën, Tepelënën, Saranëdën, Konispolin e të tjerë e të tjerë. Mendojmë si kanë ndryshuar. Mendojmë se para pak vitesh nuk mund të shkonim dhe nuk kishim pse të shkonim. Nuk kishte asnjë arsye të përballeshim me trishtimin dhe braktisjen që i kishte gërryer godinat, ashtu si dhe zemrat e njerëzve. Mbyllim sytë dhe mendojmë: A ka nisur ndryshimi? A ka një arsye që ne, shqiptarët e torturuar nga ndjenjat ekstreme të dashurisë dhe urrejtjes, të njohim vetveten përmes vlerave të jashtëzakonshme që ruajnë krahinat tona nga Malësia në Labëri? Nëse në këtë vëzhgim të brendshëm dalloni se gjërat janë përmirësuar, atëherë dini se për kë do të votoni. Nuk mund të zbresë ende mendimi ynë tek xhepat e secilit, është ende herët të masim votën me sa kemi sot në xhep. Vetëm puna e ngritur pas shërimit të plagëve dhe të rrënojave në trupin e Shqipërisë, mund të sjellë dhe të mirat ekonimike nëpër familje dhe shtëpi.Pas bukurisë, punës, qetësisë dhe harmonisë, vjen dhe mirëqënia.

Pastaj vini në peshore kush flet për të ndërtuar dhe kush flet për të shkatërruar, pa harruar të fokusoni mirë se kush shkatërroi e kush ndërtoi në këto 30 vite. Mendoni ngjarjet e forta dhe të dhimbshme që kanë ndodhur. Mos besoni ata që kërkojnë që ju të harroni duke ju thonë: epo është e kaluara. E ndjeni se janë hipokritë, pasi kërkojnë të harroni atë që ndodhi vetëm pak vite më parë: 21 janarin, Gërdecin, Kosta Trebickën, Piramidat, Përndjekjen dhe shkatërrimin e drejtësisë, trafikun e karburanteve në afera me Millosheviçin, Remzi Hoxhën, Ali Ukajn dhe të merreni me Enver Hoxhën, me të cilin nuk u morën asnjëherë personalisht. Mund t’i dalloni se papritur këta hipokritë, pas 30 vitesh që u morën me biznese nga më të përgjakshmet, u gdhinë antikomunistë.

Fjalët dhe punët do të bëjnë diferencën. Duke dëgjuar zemrën dhe jo mërinë, ajo dhe vetëm ajo mund të na tregojë të vërtetën. Kush bëri punë dhe kush vetëm foli, na ndau, shpifi dhe mbolli urrejtjen e grindjet mes nesh. Mos dëgjoni ata që ju dekurajojnë të votoni. Nuk janë të drejtë, nuk janë njerëz të mirë që duan që të ushtrojmë të drejtën e vetme që njeh një demokraci: Votën! Të votosh është detyrë qytetare dhe patriotike. E të votosh duke dëgjuar zemrën, është veprimi që na ndihmon të përmirësohemi. Të gjithë! Nuk ka rrugë tjetër, nuk ka rrugë të dytë.

a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • O tej: 18/04/2021 17:51

    Bravo moj goce!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!