SHKODËR - Një 51-vjeçar humbi jetën mbrëmjen e së martës në ujërat e lumit Buna në Shkodër ku kishte qenë duke peshkuar. Ramiz Kuçi në tentativë për të mbledhur rrjetat e peshkut ne Bunë, nuk ka arritur t’ia dalë dot. Kanë qenë peshkatarët e tjerë dhe banorët e zonës që pasi kanë parë trupin e pajetë të 51-vjeçarit, kanë njoftuar policinë e Shkodrës. Mësohet se Kuçi ka qenë në fshatin Zus duke peshkuar kur ka humbur jetën, por trupi është gjetur në fshatin Darragjat të komunës Dajç, i spostuar nga rrjedha.
 
Pas nxjerrjes nga ujërat e Bunës, viktima është dërguar në morgun e spitalit rajonal të Shkodres, ku i është nënshtruar ekspertizës për të zbardhur shkaqet e plota të vdekjes.
 
Do të jetë akt-ekspertiza që do të tregojë nëse viktima ka humbur jetën si pasojë e ndonjë ataku kardiak, apo kanë reshjet e pasdrekës së të martës në Shkodër që ka krijuar trazimin e ujërave të Bunës duke e bërë të pakontrollueshme situatën për viktimën.
 
Ky është rasti i tretë i mbytjeve të regjistruara në territorin e Shkodrës vetëm brenda pak javësh.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com