Një ngajrje e rëndë është regjistruar këtë të mërkurë në lumin Mat. Një 22-vjeçar është mbytur në vendin e quajtur ‘Ura e Zogut’ në lumin Mat teksa ishte duke peshkuar.
Gazetari i Report Tv, Elvis Hila ka bërë me dije se viktima quhej Valentin Nikolli 22-vjeç nga Miloti. Mësohet se i riu kishte shkuar në lumë për të peshkuar me miqtë e tij dhe në një moment ishte futur për t’u larë por fatkeqësisht e mori rrjedha e ujit.
Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe skuadra e palombarëve e Repartit Special RENEA. Ata i kanë nisur kërkimet që prej 3 orësh për trupin e viktimës.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po pyesin në cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes, shokët e tij që kanë qenë bashkë me të, me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes.