DEVOLL - Banorët e fshatit Dobranj dhe Braçanj në zonën e Devollit  protestuan sot përpara Gjykatës së Korçës duke kërkuar lirimin e shoferit të zetorit, nga përmbysja e të cilit gjetën vdekjen dy gra. Gjykata e liroi pak minuta më parë me masën "arrest shtëpie" për zetoristin, gjë që u prit me duartrokitje nga bashkëfshatarët.

Ata kanë dalë në mëngjes para Gjykatës së Korçës ku u zhvillua seanca e nisur në orën 9 e 30 për masën e sigurisë ndaj Gëzim Zyfit, shoferit të zetorit i cili duke kaluar mes për mes lumin e Devollit, (për të transportuar 20 fshatarët nga njëra anë e lumit në tjetrën) u përmbys dhe gjetën vdekjen 2 gra.

Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura pa praninë e mediave. Korrespondentja e Korçës Dafina Ismaili informon se banorët kërkuan lirimin e babait të dy fëmijëve duke ngarkuar me faj Komunën, që nuk kanë vendosur një urë.

Kjo i ka detyruar ata, që shpesh të ta kalojnë lumin me zetor apo mjete të tjera të rënda si ekskavator si e vetmja zgjidhje. Ata kanë nënshkruar një peticion ku kërkojnë pafajësinë e bashkëfshatarit të tyre, dhe kanë shtuar në peticion edhe firmat e familjeve të viktimave. Banorët kanë thënë se kanë qenë vetë ata që i kishin kërkuar ndihmë për të kaluar lumin.

Dy gratë Mirela dhe Elena Zylfi 35 dhe 29 vjeç humbën jetën teksa kalonin lumin me zetor pasi u përmbys rimorkio.

Banorët kërkuan lirimin e tij dhe nëse kjo nuk do të realizohej paralajmëruan të tjera protesta për lirimin e 38-vjeçarit Gëzim Zyfi, babai dy fëmijëve.

Ai u arrestua një ditë më vonë pas ngjarjes tragjike me datë 7 prill pasi nuk dispononte leje drejtimi për zetorin, me akuzën për shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor.

banoret ne proteste devoll me logo

(Foto: Banorët protestojnë sot para Gjykatës Korçë)

SI U MBYTEN DY GRATE NE DEVOLL

Ngjarja ka ndodhur në mesditën e 6 prillit teksa 20 banorë të fshatit kalonin lumin me zetor për të shkuar në një ceremoni mortore nga fshati Braçanj në Dobranj. Fati ka qenë tragjik për dy gratë anëtare, të së njëjtës familje Mirela dhe Elena Zyfli të cilat nuk i shpëtuan dot vdekjes pas përmbytjes së rimorkios se zetorit.

Zetori ka qenë i tejmbushur prandaj është përmbysur shtuar këtu edhe motin e keq dhe prurjet e dendura të lumit. Ura ka qenë e prishur, që prej dhjetorit 2012 dhe Komuna ka pritur fonde për rindërtimin e saj.

Ndërsa gjatë kësaj kohe kjo ka qenë zgjidhja e vetme, që banorët kanë gjetur për të kaluar lumin Devoll.

zetori devoll

(Përmbysja e rimorkios së zetorit ku humbën jetën dy gratë)

Redaksia Online
(ad.ti/s.g/shqiptarja.com)