TIRANË – Në prag të largimit të saj nga Shqipëria, ambasadorja britanike Fiona Mcllwham është pritur nga Kryeministri Berisha.
Sipas njoftimit të zyrës së shtypit, kreu i qeverisë ka vlerësuar ambasadoren britanike për të gjitha përpjekjet që ajo ka bërë gjatë kësaj periudhe, për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe midis Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë, të cilat kanë njohur një intensitet rritjeje të lartë gjatë kësaj periudhe.
Nga ana e saj diplomatia britanike ka shprehur urimet për anëtarësimin sa më parë të vendit tonë në Bashkimin Europian.
“I uroj Shqipërisë suksese të reja në rrugën e integrimit evropian dhe marrjen sa më shpejtë të statusit të kandidatit, si akti kurorëzues i përpjekjeve që janë bërë gjatë gjithë kësaj periudhe”, tha Ambasadorja Fjona McIlwham.
Në takim u vlerësuan gjithashtu arritjet e rëndësishme në një sërë fushash bashkëpunimi të frytshëm midis të dy vendeve, si ato që kanë të bëjnë me shtetin ligjor, luftën kundër krimit etj., si dhe u shpreh optimizmi dhe angazhimi i plotë i të dy vendeve për të thelluar edhe më tej këtë bashkëpunim të frytshëm, në fusha me interes të ndërsjellë si ajo e investimeve, turizmit, etj.
Pas takimit, Kryeministri Berisha shtroi një drekë për nder të Ambasadores Fjona McIlwham, ku merrnin pjesë edhe shumë ambasadorë dhe anëtarë të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, e cila kaloi në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore.

(aq/shqiptarja.com)