Ministria e Drejtësisë ka përfunduar procesin e kolaudimit të byzylykëve të mbikëqyrjes elektronike duke i marrë në dorëzim, ndërsa ka gjetur edhe dy përgjegjës për skandalin që përfshiu institucionin.
 
Në përfundim të hetimit administrativ, Ministri i Drejtësisë ka kërkuar shkarkimin nga detyra të sekretares së institucionit, Juliana Hoxha duke e akuzuar si person përgjegjës për situatën, ndërsa do të paraqesë kallëzim penal në prokurori për shpërdorim detyre, pas padisë ndaj firmës.
 
Gjithashtu Ministri i Drejtësisë ka urdhëruar edhe shkarkimin nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit të Provës, Ilir Qafa.
 
Ai akuzohet se i ka dhënë në administrim kompanisë private byzylykët në pronësi të Ministrisë së Drejtësisë.
 
Ministria e Drejtësisë deklaron se ka marrë aprovimin nga kompania për instalimin e serverit qendror të sistemit elektronik pranë Ministrisë së Drejtësisë.
 
Ministria: Morëm në dorëzim byzylykët
Ministria e Drejtësisë deklaron se ka marrë në posedim 72 byzylykë të pa përdorur më parë dhe 63 byzylykë të përdorur por në gjendje pune, gjithsej (135 cope).
 
Ndërkohë, 86 byzylykë janë aktualisht në përdorim nga të dënuarit nën mbikëqyrje elektronike, të cilat do të merren në posedim nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, rast pas rasti, pas përfundimit të periudhës së mbikëqyrjes.
 
Pjesa e mbetur nga sasia prej 300 byzylykë të blerë nga Ministria e Drejtësisë, 79 copë, të cilët rezultojnë të dëmtuara për shkak të përdorimit apo fabrikimit, nuk janë marrë në posedim nga Ministria e Drejtësisë dhe i janë kthyer kompanisë private, me qëllim ekzaminimit e tyre, dhe sipas rastit, rregullimin apo zëvendësimin e pajisjeve.
 
Serveri i mbikëqyrjes instalohet në Ministrinë e Drejtësisë
Pas kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë, kompania ka rënë dakord që të instalojë pranë Sallës Operative të Mbikëqyrjes Elektronike, edhe serverin qendror të sistemit elektronik, i cili do të jenë nën posedimin e Ministrisë së Drejtësisë dhe do të administrohet dhe mirëmbahet nga kompania private, sipas termave të kontratës.

Report Tv investigim mbi tenderin 1.5 mln Euro të byzylykëve
Tenderi për këtë shërbim dhe 300 byzylykët u bë në fillim të vitit 2017 ku në një vlerë prej afro 1.5 milion euro u shpallën fitues tre operatorë ekonomik.
 
Shqiptarja.com dhe ReportTv kanë hedhur dritë mbi këtë tender ku rezulton se janë shkelur një sërë procedurash dhe është favorizuar bashkimi i operatorëve fitues.
 
Byzylykët, MD gjen pretekstin për të favorizuar ftuesin
Ministria e Drejtësisë, si autoritet kontraktor, ka mbështetur fort bashkimin e kompanive Ratech shpk, Fastech shpk dhe Soft & Solutions, për të fituar tenderin e byzylykëve elektronikë, me vlerë 1.5 milionë euro, për mbikëqyrjen e të dënuarve.
 
Ministria ka mbrojtur vendosjen e afateve të shkurtra kohore dhe specifikimet teknike, të përshtatshme vetëm me byzylykët e markës Track Group, me qëllim që tenderin ta fitonin tre kompanitë në fjalë. Shqiptarja.com sjell përgjigjen e dokumentuar, me anë të shkresës nr. 62/2 datë 10.01.2017, që Ministria e Drejtësisë i ka kthyer kompanisë “B.360” sh.p.k., pjesëmarrëse në garë.
 
Drejtori i Hipotekës i dha katër tendera firmës afër tij
Në kohën kur Ermal Beqiri ka qenë drejtor informatik i Zyrës së Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme (ZRPP), shoqëria Soft & Solutions, e lidhur me të, ka fituar mjaft tendera nga vetë ZRPP. Kjo është si të thuash se Ermal Beqiri ishte drejtues i një zyre, që i jepte punë publike një ndërmarrjeje të lidhur me të.
 
Skandali i 300 byzylykëve elektronikë, të blerë nga ministria e Drejtësisë në mars 2017 nga një konsorcium prej tre shoqërish, ndërmjet të cilave ishte Soft & Solutions dhe mbi të cilin po heton Prokuroria e Përgjithshme, tani zgjerohet duke përfshirë tendera të tjerë.
 
Prej një investigimi të bërë nga Shqiptarja.com, në fakt u zbulua se shoqëria Soft & Solutions, zyrtarisht në pronësi të Arjola Koromanit, në të vërtetë është e lidhur drejtpërsëdrejti me Ermal Beqirin, ekspert informaticien, ish-profesor pranë Universitetit Kristal, që ka arritur suksesin profesional në sajë të lidhjeve me politikën dhe që, pas zgjedhjeve të vitit 2013, u emërua drejtor informatik i ZRPP-së.
 
Deklarata e plotë SOT e Ministrisë së Drejtësisë për raportin e byzylykëve
Ministria e Drejtësisë merr në posedim byzylykët, si dhe  merr aprovimin nga kompania për instalimin e serverit qëndror të sistemit elektronik pranë Ministrisë së Drejtësisë
 
Ministri i Drejtësisë kërkon nga Departamenti i Administratës Publike shkarkimin nga detyra të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë si person përgjegjës për situatën, si dhe do të paraqesë kallëzim penal në prokurori për shpërdorim detyre
 
Ministri i Drejtësisë urdhëron nisjen e menjëhershme të procedurës së shkarkimit nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit të Provës

Në përfundim të një diskutimi të gjatë dhe me synim garantimin e sigurisë publike, Ministria e Drejtësisë ka arritur më datë 11.08.2017, të kryejë kolaudimin e byzylykëve të mbikëqyrjes elektronike, nëpërmjet metodës së kampionimit rastërorë të tyre, si dhe ka marrë në posedim këto pajisje. Konkretisht, janë marrë në posedim 72 byzylykë të pa përdorur më parë dhe 63 byzylykë të përdorur por në gjendje pune. Ndërkohë, 86 byzylykë janë aktualualisht në përdorim nga subjektet nën mbikëqyrje elektronike, të cilat do të merren në posedim nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, rast pas rasti, pas përfundimit të periudhës së mbikëqyrjes për subjektin që e përdor.
 
Pjesa e mbetur nga sasia prej 300 byzylykë të blerë nga Ministria e Drejtësisë, të cilët rezultojnë të dëmtuara për shkak të përdorimit apo fabrikimit, nuk janë marrë në posedim nga Ministria e Drejtësisë dhe i janë kthyer kompanisë private, me qëllim ekzaminimit e tyre, dhe sipas rastit, rregullimin apo zëvendësimin e pajisjeve.
 
Gjithashtu, pas kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë, kompania ka rënë dakord që të instalojë pranë Sallës Operative të Mbikëqyrjes Elektronike, edhe serverin qëndror të sistemit elektronik, i cili do të jenë nën posedimin e Ministrisë së Drejtësisë dhe do të administrohet dhe mirëmbahet nga kompania private, sipas termave të kontratës.
 
Të gjitha masat e mësipërme, janë garanci shtesë për funksionimin e plotë dhe të rregullt të Sistemit të Mbikëqyrjes Elektronike, me qëllim garantimin e sigurisë publike.
 
Ministri i Drejtësisë z. Gazment Bardhi, në përfundim të hetimit administrativ mbi këtë çështje, informon opinionin publik se:
 
Nga verifikimi i procedurës dhe situatës së krijuar, konstatohet shkelje e ligjit dhe përgjegjësi disiplinore për Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë znj. Juliana Hoxha (pezulluar nga detyra me vendim të Komisionit Kombëtar të Përzgjedhjes pranë DAP), për shkak të mos ndjekjes së procedurës së nevojshme ligjore për këtë proces të rëndësishëm për sigurinë publike pas nënshkrimit të kontratës dhe lëvrimit të fondeve financiare përkatëse nga Buxheti i Shtetit.
 
Për këtë qëllim, Ministri i Drejtësisë do të kërkojë shkarkimin nga detyra dhe lirimin nga shërbimi civil për Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë.
 
Gjithashtu, për shkak të këtyre shkeljeve është vlerësuar se në këtë rast ka edhe përgjegjësi penale, dhe Ministria e Drejtësisë do të paraqesë kallëzim penal në prokurori.
 
Nga ana tjetër, hetimi administrativ ka evidentuar përgjegjësi disiplinore edhe për Drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimit të Provës z. Ilir Qafa, për shkak të lejimit të dhënies në administrim të kompanisë private të pajisjeve në pronësi të Ministrisë së Drejtësisë.
 
Për këtë arsye, Ministri i Drejtësisë ka urdhëruar nisjen e menjëhershme të procedurës për shkarkimin nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit të Provës dhe lirimin e tij nga shërbimi civil.
 
Në përfundim të hetimit administrativ është vlerësuar e nevojshme edhe hartimi e miratimi i akteve të nevojshme administrative, për përmbushjen me korrektësi dhe sipas ligjit të detyrimeve reciproke kontraktuale që rregullojnë procesin e mbikëqyrjes elektronike, për të shmangur cdo problematikë, si dhe për të qartësuar të gjithë proceset e nevojshme të punës.
 
Ministri i Drejtësisë z. Bardhi falenderon grupin e punës së Ministrisë së Drejtësisë, stafin e mbikëqyrjes elektronike, si dhe të gjitha institucionet që bashkëpunuan në këtë proces, për përmbushjen me korrektësi të detyrimit ligjor, si dhe siguron qytetarët për vendosmërinë në zbatimin e ligjit.

 


dy.b/shqiptarja.com