TIRANË- Ministra e Drejtësisë ka parashikuar rregulla të reja sa i përket procedurës së gjykimit të të gjithë të dyshuarve dhe të pandehurve.

Sipas njoftimit të ministrisë, procedurat e reja bëhen me qëllim rritjen e eficencës së gjykimit të të pandehurve dhe luftën kundër korrupsionit.

Ndryshmet konsistojnë në ligjin, nr.7905, datë 21.03.1995, “Kodi i Procedurës Penale”, ndryshime që synojnë garantimin e instrumenteve për garantimin e procedurave dhe kohës së përshtatshme dhe të mjaftueshme që prokurorët dhe policia të kryejë hetimet e duhura, garantimin e barabartë të të gjithë dyshuarve dhe të pandehurve, shkurtimin e kohës së gjykimit, miratimin e rregullave të qarta për kërkimin dhe marrjen e provave, dhënie kompetenca gjyqtarëve të ndëshkojë avokatët në rast shkejle nga ana e tyre të rregullave etj.

NDRYSHIMET SYNOJNË

-Garantimin e instrumenteve proceduralë dhe kohës së përshtatshme  e të mjaftueshme që prokurorët dhe punonjësit e policisë të kryejnë hetimet e duhura, përcaktimin e afateve të hetimit paraprak duke u bazuar në parimin e zgjidhjes së çështjes brenda një kohe të arsyeshme;

-Garantimin e trajtimit të barabartë të të gjithë të dyshuarve dhe të pandehurve;

-Standarde të qarta të të provuarit për të gjitha llojet e vendimeve gjatë fazës së hetimit paraprak dhe asaj të gjykimit;

-Pranimin e parimit të lirisë së provave në procedurën penale;

-Miratimin e rregullave të qarta për kërkimin dhe marrjen e provave;

-Garantimin e mjeteve të përshtatshme për të lejuar gjyqtarët të drejtojnë gjykime efikase, të disiplinuara dhe formale;

-Dhënien e kompetencave gjyqtarëve për të ndëshkuar avokatët, për sjellje që çojnë në zvarritjen e procesit gjyqësor;

-Sigurimin e rregullave dhe standardeve të qarta për të gjithë aktorët e sistemit të drejtësisë;

-Përfshirja e alternativave të gjykimit të plotë që reduktojnë praktikisht ngarkesën e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërkohë që mbrohen të drejtat e të pandehurve;

-Rishikimi i dispozitave aktuale për gjykimin e shkurtuar;

-Parashikimi i procedurave të reja për mbajtjen e procesverbaleve gjyqësore dhe transkriptimeve të cilat tashmë realizohen me teknika të reja audio dhe video.

-Risi në Kodin e procedurës penale është dhe përfshirja në të e një kreu “Marrëveshjet mes Prokurorit dhe të Pandehurit” , i cili parashikon rregulla për marrëveshjen e arritur ndërmjet palëve për pranimin e fajësisë dhe për dëshminë e të pandehurit. Kështu, përveç zgjidhjes gjyqësore të çështjes u jepet mundësia palëve të zgjidhin çështjen me marrëveshje në çdo fazë të procedimit penal. Kjo është një risi pasi është një zgjidhje alternative e cila ndihmon në zvogëlimin e çështjeve penale që çohen për gjykim, shpenzimet e hetimit dhe shkurtim afatesh për shqyrtimin e çështjeve.
 
Nëpërmjet këtyre ndryshimeve synohet që të përmirësohet sistemi ekzistues, përcaktimin e qartë të të gjithë roleve të gjithë aktorëve të sistemit të drejtësisë penale siç përcaktohen në Kod.

Redaksia online
(esh/shqiptarja.com)