Më e zvarritura, më e përsëritura
Deri kur kështu?

Më e zvarritura, më e përsëritura<br />Deri kur kështu?
Gjatë dy dekadave të fundit në vendin tonë, procesi që ka kërkuar më së shumti studim të gjithanshëm dhe përgjithësim të praktikës së zgjedhjeve periodike është pa dyshim reforma elektorale. Dhe, ndërkaq, nëse ka ndonjë ligj më të diskutuar, më të debatuar dhe më të ndryshuar së tepërmi gjatë dy dekadave të fundit në vendin tonë, ai është Kodi Zgjedhor.

Por, kjo reformë në tërësinë e saj, që veç të tjerash ka pasur të nevojshme vullnetin dhe maturinë e forcave politike për zbatimin e disa parimeve, pa të cilat nuk mund të arrihen zgjedhje të standardeve ndërkombëtare, gjithmonë ka mbetur në mes të rrugës. Në mes të një rruge pa krye, duke filluar përsëri e përsëri nga e para. Përsëri e përsëri nga e para dhe me një ngadalësi të pajustifikueshme, ngaqë pothuajse përherë ka çaluar edhe maturia, edhe vullneti politik, ndonëse nuk kanë munguar periodikisht as rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe as analizat e ekspertëve shqiptarë të fushës, ndërmjet të cilëve do të veçoja të palodhurin Niazi Jaho.
Në këtë kuptim, reforma zgjedhore në tërësinë e saj njihet si procesi më i zvarritur, prandaj edhe më i përsëritur.

Deri kur kështu? Kjo pyetje vlen të bëhet edhe tani, tek po mbushen plot 10 muaj që nga zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare të rradhës, të vlerësuara deri tani me notat më pozitive se sa më parë. Dhe, pavarësisht të tillave nota, kjo pyetje vlen të bëhet edhe tani, përderisa përmbajtja e Raportit të fundit të OSBE/ODIHR për procesin e finalizuar me shpalljen e rezultateve të 23 qershorit të vitit të kaluar ende nuk i është nënshtruar ndonjë diskutimi as zyrtar dhe as jo formal. Nuk i është nënshtruar së paku këtyre diskutimeve, megjithëse Raporti në fjalë është publikuar mbi gjashtë muaj më parë, më 10 tetor 2013. Ai vërtet që çmon ditën e votimit të 23 qershorit si përgjithësisht të qetë, votimin në 94 për qind të rasteve si të rregullt dhe të mirorganizuar, si edhe pjesëmarrjen në votime të kënaqshme.

Por, ndërkohë, ai përmban edhe 29 rekomandime të vlefshme, në hyrje të të cilave shprehet ideja se këto rekomandime jepen me qëllim të përmirësimit të zgjedhjeve në Shqipëri, për t’i përshtatur ato në përputhje të plotë me angazhimet e OSBE dhe me standardet e tjera ndërkombëtare. Gjithashtu, vëmendja tërhiqet edhe për shqyrtimin e disa rekomandimeve të tjera të raporteve të mëparshme, por që nuk u janë hedhur sytë sot e kësaj dite.

Si shkak i kësaj indeference aktuale, në mjediset e qarqeve politike përmendet zakonisht veprimtaria për reformën administrative – territoriale, pa përfundimin e së cilës nuk mund të fillohet me riformatimin elektoral. Madje, edhe në këtë plan ndahen këndvështrimet. Opozita, përkatësisht liderët dhe përfaqësues të tjerë të Partisë Demokratike ngrenë pretendimin (apo pretekstin), se reforma territoriale prek edhe hartat zgjedhore. Ndërsa kundërshtohen njëzëri nga mazhoranca, sipas së cilës – në referim të një interviste dhënë në krye të kësaj jave prej Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta – ajo nuk synon të bëjë asnjë hap pa konsensusin e opozitës për përmirësimin e sistemit zgjedhor.

Mirëpo, tashmë është bërë e qartë që opozitës së zbuar prej pushtetit qendror me votën masive të popullit, etjen për rikthim të shpejtë në majat dhe në gjithë spektrin e këtij pushteti nuk mund t’ia shuajë ndërmarrja e asnjë reforme për modernizimin e shtetit dhe zhvillimin e vendit, përveçse mbështetja që mund t’i bëhet pas thirrjeve të veta, për kalimin në politikën e rrugës nga stili i protestat (plotësisht të dështuara) në atë të revoltave.

Megjithatë, sado kërcënuese të tingëllojnë këto thirrje, gjithkush e di fare mirë se aktualisht opozita nuk ka as përkrahje dhe as energji për të shkaktuar destabilizim të vendit, nuk ka as pëlqimin e forcave aleate të Shqipërisë, të cilat gjashtë vjet pas pranimit të saj në Aleancën politiko – ushtarake të Atlantikut të Veriut po dakordsohen plotësisht për t’i hapur edhe këtij vendi të vogël ballkanik horizontet e gjera të një organizmi supranacional, siç është Bashkimi Evropian, çka aq shumë e ka dëshiruar gjithë populli shqiptar përgjatë tërë periudhës tranzitive të zgjatur.

Në këto situata, kur pas një pritmërie të gjatë për pjesëmarrje të opozitës në punimet e komisionit parlamentar mbi reformën administrative – territoriale, me ofrim të kushteve favorizuese deri në mundësinë e përdorimit prej deputetëve të saj të së drejtën së vetos, sot pritet të marrë fund edhe kjo odise në shkulmet e ujërave të politikës sonë: Kuvendi i Shqipërisë do të miratojë ndryshimin e vendimit lidhur me konfigurimin e këtij komisioni. Dhe, qoftë edhe me “vetminë” e mazhorancës, që disponon shumicë të cilësuar votash, ndarja e re e kufijve brenda vendit sigurisht që do të miratohet në shtatorin e ardhshëm.

Por, pavarësisht deklarimeve të ndonjë emisari të krahut të majtë, se kjo ndarje nuk do të ndikojë në rifreskimin e kuadrit elektoral, pa dyshim që reflekset e saj do të pasqyrohen edhe në përmirësimin e atyre dispozitave të Kodit Zgjedhor, ku bëhet fjalë për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore etj, etj. Sidoqoftë, u dashkan kaluar edhe muajt vjeshtorë dhe ata dimërorë (apo dy sesione të tjera parlamentare) për t’i bërë hosanara opozitës që t’i mbushet mendja të japë konsensusin në këtë drejtim?

Ndoshta është ende herët të flitet për rrugën që do të ndjekë opozita pas një viti, në prag të zhvillimit të zgjedhjeve të pjesshme, për organet e qeverisjen vendore. Por, edhe sikur ajo, apo më saktë liderët e saj, të vazhdojnë të vënë interesat e veta të ngushta përpara demokratizimit të mirëfilltë të sistemeve dhe koncepteve elektorale, me plot gjasa humbjen do ta kishin më të sigurt dhe më të thellë, se sa ato që ofruan rezultatet e votimit të 23 qershorit të kaluar. Tek e fundit, nëse liderët e opozitës duan të kthehen shumëfish dhe të mbeten plotësisht në botën e së shkuarës së largët, duke e bashkuar fatin e tyre me atë të majmunëve që presin degët ku rrinë, kjo është e drejta e tyre. Por, kjo e drejtë “natyrore” kurrë sesi nuk mund të pengojë përparimet e një populli të tërë në rrugën e civilizimit.

Pra, në këtë vështrim, nuk ka kuptim të vazhdohet që të neglizhohet apo të zvarritet përmbushja sa më parë edhe e kërkesave për ndryshimet në legjislacionin dhe në strukturat elektorale. Që tani mund të fillohet, së paku nga studimi i Raportit të OSBE/ODIHR dhe të shqyrtoheshin një për një rekomandimet e shprehura në ‘të. Për të vijuar më tej deri në ristrukturimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe komisioneve vendore përkatëse, duke e çliruar përfundimisht përbërjen e tyre nga kthetrat e përfaqësimeve politike, si edhe duke përcaktuar shtrirjen e sistemit ankimor përtej vendimeve të Kolegjit Zgjedhor.

Pa u zgjatur me organet që duhet të merren me shqyrtimin dhe realizimin e këssaj reformë elektorale dhe me mënyrën e funksionimit të tyre, hë për hë është e nevojshme të kuptohet një herë e mirë që dikur duhet të marrë fund rruga e gjatë dhe pa krye në këtë drejtim. Dhe, me fjalën ‘dikur’ mund të nënkuptohet në këtë rast jo infiniti, por e tashmja që nuk pret më.

Shkrimi u publikua sot 24 prill 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale