Me ekspozitën time i kthej borxhin që i kam qytetit të Shodrës (FOTO)

Me ekspozitën time i kthej borxhin që i kam qytetit të Shodrës (FOTO)

Është e para herë që shfaqem në Shkodër me një ekspozitë personale, me ftesë të Galerisë së qytetit dhe me mbështetjen e Bashkisë së po këtij qyteti. Drejtori i institucionit të rëndësishëm të kulturës, z.Fatmir Juka, disa muaj më parë bisedoi me mua dhe më ftoi të ekspozohesha, për ta futur ekspozitën në kalendarin vjetor të vitit 2019. Stafi i vogël i galerise, u angazhua profesionalisht  për të ma bërë më lehtë prezantimin, me vënien në dispozicion të të gjitha sallave, me amballazimin e veprës, transportin, ftesat, posterin etj. I përmend këto njëra pas tjetrës, pasi nuk është e zakonëshme për galeritë e rretheve, të të japin këtë mbështetje. Ky përkushtim, më gëzon për faktin se disa galeri arti në rrethe, janë rritur profesionalisht dhe janë bërë më të ndërgjëgjshme për përgjegjësinë përpara artistit dhe publikut.

Për mua është një kënaqësi e veçantë dhe një përgjegjësi e madhe të ekspozoj në Shkoder, pasi Shkodra nuk është thjeshtë një qytet, por në qenien time, e kam të memorizuar si kryeqytet të artit dhe kulturës në shekuj. Është ndoshta toka që ka nxjerrë më shumë personalitete të të gjitha fushave, ndër qytetet e vendit tonë. Jam rritur me legjendën e “Urës së Bunës”, me legjendën e “Rozafës”, të cilat edhe i kam ilustruar në vitet e para të udhëtimit tim si artist. Janë ndër legjendat më të bukura dhe më arketipale të folklorit tonë, ku në thelb qëndron sakrifica. Qysh femijë jam ushqyer me vjershat e Ndre Mjedës, Vaso Pashës, me vargjet e Migjenit, e më pas të Fishtës. Jam rritur me imazhet e Zef Kolombit, Kolë Idromenos, Simon Rrotës dhe fotot e Marubit, qysh në atelietë e Liceut Artistik. Më kumbon ende në vesh muzika e Çesk Zadesë, Tonin Harapit, Kolë Jakovës, Pjetër Gacit. Kam shijuar e shijoj ende me ëndje personazhet e Loro Kovaçit, Marie Logorecit, Ndrek Lucës, Tinka Kurtit, Gjon Karmës, Ndrek Shkjezit, Roza Anagnostit, e Mario Ashikut. Ngazëllehesha nga humori inteligjent e i papërsëritshëm i Shtjefën Palushit. Janë shumë, shumë. Është prush me figura të mëdha e unë nuk kam mundësi t’i përmend të gjithë, por mund të them se fryma e tyre më është përcjellë e më ka rritur gjatë gjithë jetës, ashtu sikurse Naimi, Çajupi, Asdreni etj. U mora borxh frymën, dashurinë për krijimin, mjeshtërinë e realizimit të veprës dhe këtë borxh, dua tjua kthej sadopak me ekspozitën time.

Vendosa të ekspozoja  “ BLACK BOX”, “LUTJA”, “MOLLA”, “NATURA MORTA”, “TOTEMI”. Prezantoj  piktura të viteve të fundit, të organizuara në cikle, pasi Galeria e Shkodrës më ndihmon të ekspozohem  në këtë mënyrë me 5 sallat e saja të mëdha dhe të mbajtura mirë nga përkujdesja e stafit. Çdo sallë, prezanton veprat e një cikli të veçantë. Ato janë të shoqëruara nga teksti kuratorial, ruajtur nga ekspozitat e çelura ndër vite në Tiranë. Dëshiroja që publiku shkodran, të njihnin sadopak  rrugën në të cilën kam kaluar këto vitet e fundit. Shumë nga veprat që formonin ciklin e plotë mungojnë, pasi tashmë janë pjese e koleksioneve të ndryshme.

Perezantohem me 43 vepra në pikturë dhe vizatim. Cikli i vizatimeve “BLACK BOX” dhe cikli “NATURA MORTA” shfaqen pothuajse të plotë, pasi janë koleksion i familjes. Disa vepra nga cikli “TOTEMI”,  janë ende të panjohura për publikun, pasi nuk i kam prezantuar as në Tiranë, në ekspozitat e përvitëshme. Besoj se është një ndër ekspozitat më të mëdha që kam bërë në gjithë jetën time artistike. Shfaqem i plotë përpara publikut të kulturuar shkodran, përpara miqve dhe mbi të gjitha, përpara studentëve të mij shkodranë që kam përcjellë gjatë 30 viteve, në atelietë e Akademisë së Arteve.

Une bëj çdo vit ekspozitë personale në galerinë FAB dhe disa ekspozita në grup në Tiranë, por gjithmonë kam shumë dëshirë të ekspozohem edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, pasi kudo ka njerëz të kulturës dhe njerëz që e duan artin. Është frymëmarje për artistin dhe për vetë qytetin.

B.K./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Lufta/ Netanyahu gati të tërheqë 320 mijë rezervistë! 20 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur në Bejrut

Lufta/ Netanyahu gati të tërheqë 320 mijë rezervistë! 20 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur në Bejrut