Në ceremoninë e mbajtur mbrëmjen e djeshme nga FIFA në Paris, argjentinasi Lionel Messi u shpall lojtari më i mirë për vitin 2022. Ai u shpreh se për të kishte qenë një vit fantastik dhe falenderoi të gjithë personat që e ndihmuan të arrinte këtë sukses.
“Është një kënaqësi e jashtëzakonshme të jem këtu, përkrah Benzemas dhe Mbappes, të cilët patën një vit të mrekullueshëm. Ishte një vit i mrekullueshëm dhe unë realizova një ëndërr që e kisha pritur për kaq shumë kohë”. Dua të bëj nderime për të gjithë bashkëlojtarët dhe trajnerin tim, pa ta nuk do të isha këtu”, ka shtuar më tej Messi.
Lojtari 35-vjeçar mposhti bashkëlojtarin e tij te PSG dhe sulmuesin e Real Madridit për të rrëmbyer çmimin The Best nga FIFA, duke barazuar kështu rekordin e Cristiano Ronaldos që e ka fituar këtë çmim dy herë.
Me marrjen e çmimit ‘The Best’, argjentinasit i hapet rruga për topin e tetë të artë duke vendosur një mbretërim absolut në futboll.