TIRANË- Rruga pranë shtëpisë së 25-vjeçarit, Klodjan Rasha, do të mbajë emrin e tij.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, zbuloi sot, gjatë vizitës në një shtëpi të rindërtuar në Kashar, një detaj nga vizita që pati në familjen e të riut, gjatë së cilës babai i Klodianit, Qazimi, i ka kërkuar që emri i rrugës pranë shtëpisë të mbajë emrin e djalit të tij.

Veliaj u shpreh se dëshira e të atit do t’i shkojë për propozim Këshillit Bashkiak të Tiranës javën e ardhshme. 

Ngjarja tragjike ndodhi herët në mëngjesin e datës 8 dhjetor në rrugën "Dritan Hoxha" në Tiranë, ku 25 vjeçari Klodjan Rasha është qëlluar për vdekje me armë nga polici Nevaldo Hajdaraj. Kjo ngjarje e rëndë pasoi me reagime të shumta por edhe protesta, të cilat degjeneruar në dhunë dhe shkatërrime në Tiranë dhe qytetet të tjera të vendit.