Një histori tipike mafioze, me rrëmbim, armë dhe kërcënime me vdekje, ka dalë në dritë nga hetimet e antimafias italiane në Romë. Në qendër të dosjes është Manuel Grillà, një trafikant droge, bashkëpunëtor me bosin shqiptar të drogës Elvis Demce që kërkonte me çdo kusht të rikuperonte rreth 150-200 mijë euro drogë të humbur.
Sipas mediave , ish-ortaku i tij Massimiliano Le Donne dyshohet se kishte zhdukur një sasi të madhe hashashi. Për këtë arsye, grupi vendosi të godiste aty ku dhemb më shumë: te familja. Grupi kriminal i Grillàs rrëmbeu babain e 66-vjeçar të Le Donnes, Alfredo Le Donne, dhe nisi kërcënimet.
“Përgatituni për të qarë”, i shkruante Grillà ish-shokut të tij. Pastaj vinte ultimatumi: “Ktheji lekët. Dua dyfishin. Dua 150 kilogramë hashash. Përndryshe babai yt vdes. Brenda 12 orësh e qëlloj.”
Për ta bërë më bindës kërcënimin, grupi i dërgonte edhe foto me pistoleta të drejtuara në kokën e pengut, në stilin e filmave mafiozë romakë. Hetuesit thonë se Le Donne i njihte mirë metodat e bandës, sepse ata kishin përdorur dhunë edhe më parë. Në dosje përmendet një episod në Spanjë, ku një shqiptar, sipas grupit, u vra me thikë pasi u kishte marrë 200 mijë euro
Në një përgjim, një prej anëtarëve mburret për vrasjen duke thënë: “I futëm pesë thika. Në duar, këmbë, kudo. Pastaj u detyruam të iknim. I doli gjak gjithandej Besoj se ka vdekur.”
Sipas antimafias italiane, hetimet janë mbështetur edhe te dëshmitë e të penduarit Fabrizio Capogna, ish-trafikant droge, i cili ka zbuluar lidhjet mes grupeve kriminale që kontrollojnë trafikun e narkotikëve në Romë. Capogna thotë se Manuel Grillà dhe Giuliano Cappoli, i njohur si “Maverick”, bashkëpunonin me emra të njohur të botës kriminale si Giuseppe Molisso, Leandro Bennato dhe shqiptarin Elvis Demce, të cilit 1 vit më parë, iu vu bombë pak metra larg banesës së familjes.
Sipas tij, këto aleanca ndryshojnë dhe forcohen sipas interesit, por ajo që i mban bashkë është biznesi i drogës. Hetuesit italianë thonë se grupi i “Maverick” kishte jo vetëm aftësi për të siguruar sasi të mëdha droge, por edhe një rrjet të fortë shpërndarjeje.
Megjithatë, në dosje flitet edhe për tensione të forta brenda botës kriminale romake. Sipas përgjimeve, organizata po kalon një periudhë përplasjesh për shkak të konfliktit ende aktiv mes grupit të shqiptarëve të lidhur me Demçen dhe grupit italian Molisso-Bennato. Sipas hetimeve, këto tensione janë thelluar pas vrasjes së Fabrizio Piscitelli, i njohur si “Diabolik”, në vitin 2019.
Dosja tregon gjithashtu se disa prej drejtuesve të grupit vazhdonin aktivitetin kriminal edhe nga burgu i Rebibbias, duke përdorur telefona të koduar.
Në një tjetër përgjim, Grillà dëgjohet të thotë: “Duhet ta vrasim këtë plak.” Më pas shton: “Gjynah të vdesësh 66 vjeç për 150 mijë euro.”
Për prokurorët italianë, këto janë prova të qarta të intimidimit mafioz dhe të metodave brutale që përdoren në luftën për kontrollin e trafikut të drogës në Romë.
Komente









