Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në burg ish-gjyqtaren e Krujës Enkelejda Hoxhën, e cila u arrestua pak muaj më parë pasi u kap në flagrancë gjatë seancës gjyqësore, teksa po lironte një të dënuar për vrasje. Me ndryshime në kodin e procedurës penale kërkesa u shqyrtua nga një gjyqtare e vetme, Nertina Kosova, e cila ka refuzuar kërkesën për liri të ish-gjyqtares Enkeljeda Hoxhës, e cila do të vijojë që të jetë në qeli deri në përfundimin e hetimeve. Burime për gazetarin e Report Tv Arsen Rusta bëjnë me dije se gjyqtarja ka kërkuar lirimin duke theksuar se do të kujdeset për fëmijët e saj.
‘Më lironi të kujdesem për fëmijët’- mësohet të jetë shprehur ajo.
Ish-gjyqtarja Hoxha u arrestua nga SPAK pas një superoperacionit të zhvilluar në Gjykatën e Krujës, gjatë seancës gjyqësore, teksa po lironte një tjetër të dënuar.
Mes të dënuarve janë edhe sekretarja e Gjykatës, Emanuela Mallkuçi, ekspert shëndetësor dhe avokati Aldo Tabaku të cilët në bazë të një skeme të mirëfilltë kriminale bënin lirimin e të dënuarve. Emri i gjyqtares lidhet me lirimin e shumë të dënuarve me burg përjetë, mes tyre edhe Endrit Dokle, Genc Tafilit ai edhe Hekuran Billa, i vrarë disa muaj më parë në Tiranë.
Këshilli i Lartë Gjyqësor shkarkoi nga detyra Enkelejda më 17 mars, e akuzuar se ka shkelur detyrën në lirimin e disa të dënuarve me burgim të përjetshëm, vendim të cilin Hoxha e ka apeluar.