Pajisja elektronike, e cila është planifikuar për të shmagur manipulimin me kartat e identitetit, duket se nuk do t'i japë zgjidhje manipulimit të zgjedhjeve me karata identiteti.
Gjithë problematika qëndon në faktin se, nëse një votues voton dy herë më kartë identiteti, vota e tij do të numërohet, ndërkohë që pajisja elektronike nuk e jep rezultatin në çast, por vetëm pas dy ditësh.
Pavarësisht se sipas përfaqësueve të KQZ-së, nëse një person voton dy herë, sistemi dixhital e identifikon pas 48 orësh, duke e çuar menjëherë personin abuzues për ndjekje penale. Në provën e djeshme, nga 44 persona që stimuluan votimin, aparatura nuk njohu kartat e identitetit të 5 prej tyre, duke e çuar në dështim të plotë tërë testimin.
Zgjidhja e dhënë në këtë rast nga komisioni, për regjistrimin e numrit personal të dokumenteve në mënyrë manuale dhe lejimin e përdoruesve të tyre të votojnë normalisht, la jo shumë të kënaqur përfaqësuesit e partive politike.
Sipas tyre, zgjedhësi mund të shkojë në qendrën e votimit me dokument të falsifikuar, që nuk njihet nga aparaturat, të cilat kanë kushtuar miliona euro, dhe sërish të votojë.
Përfaqësuesit e KQZ saktësojnë se, përsa i përket kartave të falsifikuara, sistemi nuk i njeh dhe nuk do të pranohen të votojnë, gjë që është kundërshtuar nga përfaqësuesit e partive politike.
Ata shtruan shumë pyetje, ku një ndër kryesoret ishte korruptimi i të dhënave në kompjuterat qe ndodhen në qendrat e votimit në gjithë Tiranën. Sakaq pritet së shpejti që këta eskpertë të hartojnë një raport, të cilin më pas do ia paraqesin KQZ-së për vendimmarrje.
SIGURIA E TË DHËNAVE
Përfaqësuesit e opozitës të pranishëm gjatë testimit, gjithashtu kanë ngritur shqetësimin nëse, mund ndërhyhet në sistem, si është votuar dhe cila eshtë siguria për hedhjen e të dhënave.
Problematikë tjetër e parë edhe gjatë testimit është karta e identitetit e dëmtuar, qoftë edhe kur janë fshirë disa të dhëna në të. Vendimin, nëse këta zgjedhës që aparatura nuk i verifikon do të votojnë apo jo, iu takon komisionerëve për ta dhënë.
Identifikimi elektronik ngriti edhe pikëpyetjen nëse do të vijojë apo jo votimi në një qendër, së cilës i ndërpritet energjia elektrike dhe që në zgjedhjet e mëparshme nuk ka munguar as ky fenomen.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 09.06.2013
Redaksia online
(b.m/shqiptarja.com)