Më shumë letërsi italiane në gjuhën shqipe. Ky është objektivi i një nisme të ndërmarrë së fundmi nga Instituti Italian i Kulturës në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit në Shqipëri.
Objektiv është krijimi i një fondi të përbashkët, për të mbështetur përkthyesit shqiptarë të letërsisë italiane, ndërkohë që do krijohen edhe hapësira për rezidenca për përkthyesit dhe për promovime. Sipas drejtorit të Institutit Italian të Kulturës, Alessandro Ruggera, historia e përkthimit të letërsisë italiane në shqip është histori e gjatë dhe e pasur.
“Ka pasur shumë përkthime dhe ka ende shumë sot. Fatmirësisht sistemi i botimeve në shqip gjallon dhe ka shumë vëmendje ndaj letërsisë italiane.”, - shprehet Ruggera për “Report TV”, ndërsa rrëfen se shumë prej këtyre përkthimeve janë bërë edhe falë ndihmës së Institutit Italian të Kulturës. Kemi pasur 24 kërkesa për përkthime, të gjitha të realizuara dhe të gjitha të autorëve parësorë bashkëkohorë.”,- shprehet ai për "Report TV".
“Kemi vendosur të iniciojmë bashkë me Qendrën e Librit dhe Leximit, një lloj konkursi për përkthyesit, ku këta të fundit janë të ftuar të prezantojnë një projekt. Po punojmë edhe për rezidenca për përkthyesit, siç është për shembull ajo që mendohet të mbahet në Shtëpinë e Përkthimit në Romë.",- vijon ai, ndërsa shton se autorët që do të fitojnë "do të mund të vijnë për një periudhë të caktuar në Romë për t’u marrë me përkthim.”
“Do t’u japim mundësi gjithë këtyre shqipëruesve, që t’i botojnë këto vepra, por nga ana tjetër do të përpiqemi, që përmes programeve dhe nismave të përbashkëta të bëjmë të mundur përfaqësimin në mënyrë sa më cilësore të përkthimit të letërsisë shqipe në gjuhën italiane, pavarësisht se vitet e fundit ka rritje të hartës së autorëve shqiptarë të botuar në vendin fqinj”, -thotë Alda Bardhyli, drejtuese e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.
Ndërsa vëren se letërsia italiane ka histori shumë të mirë të ardhjes së saj në gjuhën shqipe, duke sjellë emra të shquar të letërsisë italiane, por edhe emra të njohur bashkëkohorë të kësaj letersie në shqip, Bardhyli nënvizon se ka rritje të cilësisë së përkthimit, por është e rëndësishme që këto përkthime të jenë jo thjesht cilësore, por edhe të botuara nga editorë të rëndësishëm dhe që kanë ndikim në tregun italian.
“Sigurisht nisma të tillë shërbejnë për nivel më tëmirë përfaqësimi, nivel më të mirë cilësie dhebashkëpunimi mes dy kulturave, por edhe për t’u dhëbnë mundësi sidomos përmes rezidencave letrare, shqipëruesve shqiptarë, që të shkojnë në vendet e autorëve të cilët përkthejnë, ta njohun më mirë vendin, kulturën, gjuhën, por dhe historinë e autorëve.”, - vijon Bardhyli.
Drejtori i Institutit Italian të Kulturës, Alessandro Ruggera, thotë se së shpejti mund të fillojë puna në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës për të studiuar historinë e përkthimeve nga italishtja në shqip.
“Historia e përkthimeve reflekton dhe historinë kulturore dhe politike mes dy vendeve.”, vëren ai.
Ky vit shënjon dhe 50 vjetorin e ndarjes nga jeta të intelektualit dhe një figure të shquar të kulturës italiane, si Pier Paolo Pasolini.
“Do të pubikojmë në shqip libra, që sipas meje janë më të rëndësishmit e Pasolinit. Do të botojmë ‘Shkrime kusare’, një libër me artikuj, që Pasolini i shkruante për ‘Corriere della Serra’. Shpresoj që gjatë prezantimit të librit të ftojmë kritikë nga Italia për të biseduar së bashku me intelektualë shqiptarë.”,- bën me dije Ruggera.
“Do të kemi disa aktivitete në nder të kujtimit, të kontributit të tij, në kulturën jo vetëm italiane, por edhe botërore. Jo vetëm Pier Pasolini, por edhe emra të tjerë që kanë ardhur në gjuhën shqipe do të jenë pjesë enjë dialogu me lexues shqiptarë, për t’i njohur më mirë këto vepra”., - nënvizon Bardhyli.
Pjesë e aktiviteteve që do të mbahen për Pasolinin do të jenë edhe disa që lidhen me prezantime fotografish dhe filmash, që mbajnë emrin e tij.