Shqipëria, një nga vendet ku italishtja njihet flitet në masë dhe ku për vite gjuha e kultura italiane kanë shërbyer si një dritare drejt botës perëndimore, ka mirëpritur edicionin e parë të Festivalit të Gjuhës Italiane, "Treccani".
Eventi në Shqipëri përmbylli edicionin XXV të Javës së Gjuhës Italiane në Botë, të promovuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Italisë dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar (MAECI), kushtuar këtë vit temës “Italofonia: gjuhë përtej kufijve”.
Drejtuesi i Institutit Italian të Kulturës, Alessandro Ruggera bëri me dije se aktivitetet u çelën më herët me një konferencë nga Fabio Deotto, për t’u përmbyllur me një konferencë gazetarja nga Carmen Laurela.
“Më herët patëm konferencën e parë nga Fabio Deotto. Tani do të dëgjojmë profesor Michele Cortelazzo, që është gjuhëtar, si dhe gazetarin Enkel Demi. Por njëherësh do të kemi mundësi të dëgjojmë Carmen Laurela, një gazetare italiane e cila kthehet sërish në Tiranë pas kaq shumë vitesh, pas përvojës që ka pasur më parë në Shqipëri.”, tha Ruggera.
Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Marco Alberti vërejti se gjuha nuk është thjesht mjet komunikimi, por lipset që "gjuhën ta propozosh, ta përdorësh dhe ta rivlerësosh si mjet transmetimi të traditave, të kulturës, të vlerave, të identitetit."
"Kjo është ideja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë. Ne gjykuam që nëse flasim për italofoninë, që është tema kyç e këtij edicioni, është edicioni i 25-të ky, cili vend tjetër më shumë italofon se Shqipëria do të ishte në këtë rast? E pra kjo është arsyeja pse jemi këtu sot me dëshirën e mirë edhe që të kemi mes nesh fondacionin 'Treccani'.”, tha Alberti.
Sipas ambasadorit, gjuha është një instrument përmes së cilit kalon kultura, një kod i mirëfilltë kulturor, që në këtë rast ndahet me Shqipërinë.
“Kemi gati 68.000 studentë shqiptarë të cilët studiojnë italishten. Unë jam shumë i kënaqur, por ka vend për të qenë edhe më i kënaqur sepse në fakt potenciali është dhe më i madh. Ne këtij vendi duhet t'i jemi mirënjohës, sepse pjesa më e madhe e shqiptarëve flasin italishten, ndërkohë që ne nuk ua kemi mësuar italishten. Ata e kanë mësuar italishten dhe e kanë mësuar këtë gjuhë, pra italishten, duke rrezikuar vite qëndrimi në burg, pasi në atë kohë ishte e ndaluar të mësohej një gjuhë e huaj apo të bëje çfarë kishte lidhje me të. E pra, këta njerëz vendosën ta bënin këtë gjë, zgjodhën të ndërmerrnin riskun për të mësuar gjuhën tonë përmes televizionit italian, si një dritare që u jepte atyre mundësi të njihnin një tjetër botë.”, tha Alberti.
Nga ana e Fondacionit Treccani, ky 100 vjetor themelimi është i rëndësishëm dhe jo më kot është zgjedhur një vend si Shqipëria.
“Në 100 vjet aktivitet, 2025-a është vit shumë i rëndësishëm, themelor, sepse 'Treccani'- Instituti i Enciklopedisë Italiane kremton 100 vitet e para të aktivitetit, të historisë, pa lënë pas dore asnjëherë të rinjtë, që janë pikërisht ruajtësit e gjuhës, që na rrëfejnë e tregojnë gjuhën bashkëkohore, gjuhën e ditëve tona dhe që është shumë e rëndësishme për ne. Kemi përgjegjësinë që të kthehemi te fjala kyçe e festivalit, të dëgjojmë gjuhën e të rinjve dhe është e rëndësishme ta bëjmë këtë edhe në një vend si Shqipëria, që ka një histori gjuhësore për t'u treguar dhe nga ana jonë për ta dëgjuar.”, tha Giuditta Albanese, përfaqësuese e Institutit "Treccani".
Michele Cortelazzo, akademik pranë Accademia della Crusca dhe profesor i njohur i Gjuhësisë Italiane në Universitetin e Padovës mbajti konferencën me titull “Heteroglosia politike: si flasin italisht leader-at e huaj”.
“Në këtë javë të gjuhës italiane në botë, lidhur me mësimin e italishtes përtej kufijve, në përgjithësi kemi një lloj rënieje në këtë drejtim. Është folur për këtë, është folur për një lloj shtyse, që i duhet dhënë mësimit të italishtes. Për shembull, di si është situata në në Gjermani, ku po tkurren katedrat e italishtes, sepse anglishtja njihet si një gjuhë gjithmonë e më e fortë për shkëmbimet ekonomike. Pra është çështje tregu, por pikërisht në librin që nxjerr Accademia della Crusca, siç bën çdo vit, është fakt që italishtja mbetet një gjuhë e kulturës, një gjuhë e cila vlerësohet pikërisht në këtë kuptim. E pra, unë besoj edhe në këtë këndvështrim, në atë të politikanëve jo italianë, të cilët i qasen italishtes dhe shohin tek kultura italiane dhe tek gjuha, diçka me të vërtetë me vlera, përtej gjithë ngjarjeve personale që mund të ndihmojnë apo jo. Ata shohin tek italishtja ende një gjuhë jo të nevojshme ndoshta për ekonominë, por të dobishme dhe pasuruese për kulturën.”, tha Cortelazzo.
Eventi erdhi në partneritet me Rai Cultura dhe Rai Radio 3 dhe kremton gjuhën italiane si një mjet njohjeje dhe përhapjeje dijesh.
Komente











