Me thirrjet ‘Do ruajmë pronën me gjak’ dhe ‘Certifikoni pronat tona’, banorët e Bërxullës ishin këtë të enjte para zyrave të Kadastrës së Tiranës dhe kërkuan të takohen me drejtoreshën Dallëndyshe Bici që t’u japë përgjigje në lidhje me certifikimin e pronave.
Pas më shumë se 6 muajve protesta e trokitje në dyer të ndryshme, banorët që kërkojnë shpronësime të drejta thonë se po i soset durimi ndërkohë që kompania Gener 2 ka nisur punën në terren për ndërtimin e autostradës Thumanë-Kashar.
Më shumë se 1 orë qëndruan para dyerve të Kadastrës, ku disa herë u përpoqën të hynin brenda por dyert ishin të mbyllura dhe përballë me ta ishin dhe forcat e policisë që kishin krijuar kordon dhe nuk i lejuan banorët të futeshin brenda. Pas refuzimit për t’iu hapur dera banorët u shprehën të vendosur për të vijuar qendrimin aty derisa dikush do t’i priste në takim.
Pas 3 orë pritje banorëve iu komunikua se ditën e nesërme, institucioni i Kadastrës do të presë një përfaqësi të banorëve për të zhvilluar bisedime.
“Është bërë aplikim që në 2015 për legalizim dhe nuk ia bëjnë legalizimin e banesës. Çfarë duhet të kërkojmë ne? I kujt është faji? Na thoni shkoni bëni edhe një herë aplikime. Këto nuk luajnë dot nga zyrat. Të gjithë dokumentet që vijnë në këtë hipotekë nuk kanë një dosje. Këto punojnë ‘kap ca të kapësh’ dhe pa dhënë ryshfetin nuk të mbarojnë punë. Ne nuk tërhiqemi se letra që thonë këta se nuk certifikohen prona se ka dalë vija e kuqe, e kanë nxjerrë në tetor. T’i japin shpjegim banorëve në terren se s’do kenë hall e derman pa i certifikuar pronat. Çdo ditë po na e sosin durimin me paligjshmërinë që bëjnë. Këto janë sikur nuk kanë parë ndonjëherë diell me sy. Unë të kam sjellë planin. Këtij mileti po i bëhen sorollatje veç që të mos bëjnë punën”, tha njëri prej banorëve.
Ata paralajmërojnë përplasje me forcat e policisë në rast se nuk do të arrijnë të marrin përgjigje përmes dialogut.
“Kanë kërkuar një informacion që na thonë na e sillni listën e gjurmës së rrugës. Thonë na e ka sjellë një firma por s’na përputhet. Dinë gjurmën e rrugës por jo sipërfaqen e tokës. Do hyjmë brenda në hipotekë. Do përplasemi me forcat e policisë. Kur nuk pranojnë dialog e marrëveshje, do përdorim edhe ne metodat tona”, thonë banorët.
Po ashtu kanë ironizuar dhe drejtoreshën e Kadastrës, Dallëndyshe Bicin dhe thonë se nuk po gjejnë më mënyra se si të zgjidhin problemin e pronave të tyre.
"Nuk ka vlerë shpronësimi. Këto atë që është për të bërë të fundit e bëjnë të parën. Ai ka nxjerrë lejen e ndërtimit pa bërë inventarizimin. Sot rruga nuk ka projekt. Se kuptoj që të bëhet rruga pa marrë asnjë masë as për prona, as për banesa apo leje ndërtimi. Ne jemi në qiell të hapur, jemi gati për të dalë me plastmasa. Duhet të bëhemi dhe ne 'Dallëndyshe' si Bici e të fluturojmë e nga një pjesë e tokës, të ikim në një tjetër. Po na ikën truri se s’dimë ku të shkojmë", thanë banorët.
Banorët pretendojnë se nuk kanë marrë asnjë njoftim lidhur me projektin e autostradës Thumanë-Kashar, e as për shpronësimet. Sipas tyre, kompania Gener2 që ka fituar koncesionin, ka nisur punën në terren pa pasur një leje ndërtimi. Protestat në Bërxullë, vijojnë prej më shumë se 6 muajsh, ndërsa vetëm në këtë fshat rrezikohen të shemben 22 banesa dhe të preken 50 hektarë tokë.
Me thirrjet “Certifikoni pronat tona. Do t’i mbrojmë me gjak. Prona është e shenjtë”, banorët e Bërxullës kanë tentuar të hyjnë brenda zyrave të Kadastrës por janë ndalur nga forcat e policisë.
Një prej banorëve u përplas me forcat e policisë duke i thënë: “Hape derën se do ta shkëly. Duam përgjigje duam drejtësi.”
Komente











Prona eshte e shenjte bertasin keta varik…. po vete kane zaptuar toka e kane bere shpia pa leje . Shtepite pa leje ne toke te tjetrit duheshin prishur te GJITHA po ca ti besh ketyre qeveritareve tane shker….. qe per vota ca nuk bejne , keta kane zaptuar e ne paguajme nga taksat ish - pronaret , vetem ne Shqiperi ndodh .
Përgjigju