Më shumë të ardhura sesa shpenzime! Suficiti për 11-mujorin arrin në 72 miliardë lekë

Më shumë të ardhura sesa shpenzime! Suficiti për 11-mujorin arrin në 72 miliardë lekë

Foto ilustruese

Rreth 647 miliardë lekë ka mbledhur arka e buxhetit të shtetit deri në fund të muajit Nëntor. 

Ministria e Financave thotë se të ardhurat janë rritur me 60.5 miliardë lekë, krahasuar me vitin 2023 për të njëjtën periudhë.

“Të ardhurat e arkëtuara nga Tatimet dhe Doganat, pa kontributet, për periudhën Janar-Nëntor 2024, janë në shumën 416.4 miliardë lekë ose 943 milionë lekë. Krahasuar me 11-mujorin 2023, janë mbledhur 31.6 miliardë lekë ose 8.2% më shumë”, thuhet në njoftim. 

Përgjatë 11 muajve rritjen më të madhe e kanë pasur të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, duke reflektuar rritjen e konsumit por edhe çmimet e larta të mallrave. 

“Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto), u realizua në masën 54.7 miliardë lekë, 11.7 miliardë lekë ose 27% më shumë se 11-mujori 2023, si dhe 3 miliardë lek ose 5.7% më shumë se plani i TVSH për t’u arkëtuar në 11-mujorin 2024. Rimbursimet për periudhën 11-mujore 2024 janë 20.4 miliardë lekë, 1.5 miliardë lekë ose 7.9% më shumë se 11-mujori 2023”, thotë Ministria e Financave.

Më pas rritje të konsiderueshme kanë ardhur edhe të ardhurat nga Tatimi mbi të Ardhurat Personale, që lidhen kryesisht me tatimin mbi pagat. Ministria e Financave raporton se nga ky zë janë arkëtuar 60.1 miliardë lekë, rreth 7.2 miliardë lekë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. 

“Të ardhurat tatimore të mbledhura nga administrata tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionalet), për 11-mujorin 2024 u realizuan në masën 207.5 miliardë lekë, 20.2 miliardë lekë ose 10.8% më shumë se 11-mujori  i vitit të kaluar. Krahasuar me planin 11 mujor, të ardhurat e mbledhura janë 3.4 miliardë lekë ose 1.7% më shumë”, vijon më tej njoftimi. 

Në rritje gjatë këtij 11 mujori kanë qenë edhe të ardhurat doganore që mblidhen nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare. Në total nga doganat janë mbledhur 209 miliardë lekë ose rreth 11.5 miliardë lekë më shumë se 11-mujori 2023. 

Nga ana tjetër janë shpenzuar më pak para sesa janë mbledhur. Në total nga janari deri në nëntor janë shpenzuar rreth 575.3 miliardë lekë ose rreth 27 miliardë lekë më shumë. 

“Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 11 mujorin e vitit 2024 u realizuan në masën 78% të planit vjetor sipas buxhetit fillestar dhe 74.6% të planit vjetor sipas Aktit Normativ nr. 3 datë 28.08.2024”, thotë ministria.

Pra, institucionet kanë shpenzuar vetëm 74% të totalit të shpenzimeve që duhet të shpenzojnë. Në këtë periudhë 11-mujore suficiti (të ardhura më shumë se shpenzime) ka arritur në 72 miliardë lekë.

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Fest 63/ Zgjidhen 15 këngët finaliste!  Parashqevi Simaku përshëndet nga SHBA festivalin e konkurentët: Do të doja të isha aty

Fest 63/ Zgjidhen 15 këngët finaliste! Parashqevi Simaku përshëndet nga SHBA festivalin e konkurentët: Do të doja të isha aty