Kamatëvonesat për detyrimet doganore të papaguara në kohë nga bizneset nuk do të rriten pa limit. Ministria e Financave ka hedhur për konsultim publik projektligjin e ri për “Kodin Doganor”, i cili pavarësisht se përafrohet me legjislacionin e BE-së, vjen edhe me lehtësi për bizneset.
Mes ndryshimeve të propozuara synohet vendosja e një limiti për kamatëvonesën për të lehtësuar pagesën e borxhit për debitorët dhe si një nxitje për ta paguar borxhin doganor.
“Shuma maksimale e kamatvonesës që zbatohet nga autoritetet doganore nuk duhet të tejkalojë shumën e detyrimeve të importit ose eksportit mbi të cilat zbatohet kamatvonesa”, shtohet në nenin 107 të ligjit.
Ndërsa në ligjin aktual nuk kishte asnjë kufizim për maksimumin e kamatave, dhe ato rriteshin derisa të shlyhej i plotë detyrimi.
Gjithashtu ka përcaktime të reja edhe për kursin e këmbimit. Në ligjin aktual, për detyrimet doganore përdoret kursi i Bankës së Shqipërisë i ditës së fundit të punës të muajit paraardhës, dhe ai zbatohet nga data 6 deri më 5 të muajit pasardhës.
Me ndryshimin e propozuar, kursi do të merret të mërkurën e parafundit të muajit dhe do të aplikohet për gjithë muajin pasardhës, nga dita 1 deri në fund të muajit.
Ministria e Financave propozon mes ndryshimeve edhe lehtësi për mallrat me vlerë deri 1 mijë euro.
“Autoritetet doganore mund të heqin dorë nga kërkesa për depozitimin e një garancie kur shuma e detyrimeve të importit ose eksportit për mallra, të cilat janë të një natyre tregtare, me kusht që vlera e tyre të mos kalojë vlerën ekuivalente në lekë të shumës 1000 (një mijë) euro vlerë ose 1000 kg në peshë neto, ose janë të një natyre jotregtare”, thuhet në ndryshimet e propozuara në nenin 84 të ligjit.






Komente
Komento