Me Xhevahir Spahiun 
në 70-vjetorin e lindjes

Me Xhevahir Spahiun <br />në 70-vjetorin e lindjes
TIRANE- Dola për ta takuar aty në Kafe “Europa” Xhevahir Spahiun. Ishte dhe iku para gjysëm ore,-më thanë. U ula të prisja dhe aty në vetminë time e përfytyroja duke ecur trotuarëve të kryeqytetit. I gjatë e i drejtë; me flokë të hapërndara e me një buzëqeshje drite; krenar, shumë krenar dhe i heshtur ecën ai burrë ndoshta duke mallkuar atë pjesë të kujtesës që  la atë shkretë. Isha ulur në një kafe aty pranë me B.L. dhe F.S. kur erdhi dhe na gjeti. I kishin thënë që  e kisha kërkuar.

U ul në karrigen përballë dhe këndoi me një buzëqeshje rrezëllitëse: „More bilbiloooo...“ Jepi, -i thashë, -këndo!. Eh, -ia bëri me një shprehje keqardhjeje në fytyrën e qeshur,-kaq mund....Nxorra stilolapsin nga xhepi dhe ia zgjata. Shkruaj, -i thashë, -mos u përkëdhel, shkruaj! I heshtur mori stilolapüsin dhe shkroi në letërmbulesën e tavolinës. Shkroi një vjershë të shkurtër:

Tehut të shpatës kemi ecur rrufe.
Pastaj shpata ka ecur mbi ne.

Isha kundrejt tij dhe i lexova jo pa vështirësi ato dy vargje të shkruara nga një dorë  e lodhur poeti. Natyrisht nuk mund të mos  i dija kur ishin shkruar e botuar aty dy vargje që gjithnjë më kanë habitur e  më habisin ende me densitetin e furishëm të mendimit që mbartin, ritmin e vetëtimës  që kanë fjalët vendosur ashtu në dy vargje dhe metaforat që shndrrojnë befasisht krenarinë në trishtim të egër…

Hileqar,-i thashë, -plak hileqar. Nuk kërkova të rishkruash diçka, tu luta të më shkruash diçka!. Më pa dhe heshti. Pastaj ajo shprehja shfajësuese mbi buzëqeshjen e tij dhe disa hije keqardhje për gjëndjen e vet. Nuk mundem,-tha.-nuk mundem! Dhe tregoi një vend diku në kokë.

Nuk di pse më shkoi mendja tek sundimtarët tanë. Tek ata sundimtarët që kishim dhe tek këta sundimatrët që kemi. A kanë ata ndonjë përgjegjësi për gjendjen e Njeriut dhe Poetit Xhevahir Spahiu?, -pyeta veten. Kurrë dhe asnjëherë nuk e kanë dashur Poetin Xhevahir Spahiu! E kanë torturuar dhe masakruar shumë herë Njeriun Xhevahir Spahiu!
                    
                         * * *
 
Xhevahir Spahiu është në kërkim të kujtesës së tij. Mund ta shikoni rrugëve të Tiranës, teksa ecën ngadalë dhe vështron herë andej herë këndej pa e hepuar trupin. Po të jesh me të e të bisedosh duke pirë çaj në kafe Europa, në vështirësi për të të sqaruar, ai nxjerr nga xhepi një copë letër dhe një laps e shkruan gërmën e parë të emrit që kërkon stoik përballë një cope terri që i ka pushtuar dhunshëm një nerv ku kish rregjistruar atë çka shihte e atë çka ndjente.

Kam në dorë librin e tij botuar këto ditë. VETËTIMË. Në stilin e tij:VETËTIMË!
Më shënoi mbi fletën e bardhë pas kapakut kushtimin. Rrjedhshëm, me shkrimin e tij të pangatërrueshëm e me hijeshinë e zbukurimeve arabe të xhamive.
Unë hap librin e rastësisht e para poemë që më zë syri është: Kujtesa e humbur! E lexoj atë me kërshëri dhe hesht i menduar.

Xhevahiri diçka më thotë për një skicë në faqen përballë poemës. Pa e patur aty mendjen, vështroj skicimin që ka bërë dikur Dhimitër Shuteriqi. Nuk e dalloj datën, por dalloj qarte flokët e zinj kokorrodhe te Xhevos, profilin e tij të zgjatur në kërkim të diçkaje përballë, buzën e varur si i çgënjyer nga çka gjen dhe sytë e picërruar, të hapur e të pambyllur që thonë: Pse?...Pse?...Pse?...

Ndjej se më grryejnë vargjet që sa lexova:
     Shqiponja më në fund
     ia nguli sqepin zemrës,
     bora dhe Zambaku i Tomorrit,
     një kujtim dhe aq.

Mundohem të largoj mendjen nga ato copra frazash që më vijnë vetiu. Tani dua të kuptoj, jo thjesht domethënien. Dua të kuptoj shtysën. Merremi shumë me domethënien dhe futemi në debate pa krye edhe pse e dimë mirë që gjithkush është unik për nga kuptimi dhe është i lirë për të krijuar e për të mbajtur ato çka i pranon rradakja e tij. Analizojmë poemën e nuk merremi me shtysën, megjithëse e pranojmë se aty gjendet virgjëria e krijimit, e përbashkëta e poetëvë dhe natyrisht, veçantitë e tyre.

Është hedhur ne treg e qarkullon thuajse e pacënuar teza për mungesën e pasardhësve të Migjenit në poezinë shqipe. E pa mbështetur, qesharake dhe që buron nga një vështrim naiv e i ceket, gati formal, i poezise shqipe! Shtysa dhe domethenia migjeniane kanë për shtrat epokën e lodhëshme të lëvizjes së shqiptarëve drejt jetës moderne, zigzaket e saj, vuajtjet që mbart dhe tragjeditë që shkakton.

Ky shtrat, aq pak i ndryshuar dhe aq shumë i ndryshuar nga jeta e Migjenit në jetën e Xhevahir Spahiut, përmban pa dyshim tharmin ku është mbrujtur poezia e te dyve me të përbashkëtat dhe veçoritë që shoqërojnë vetë krijimet.

E ndërsa rilexoj dy vargjet e fundit të poemës:
     Lisi fattheënës i Dodonës
     Në shtratin e Prokrustit.

Më vjen ndërmend ngjashmëria e çuditshme e titujve të librave të dy shqiptarëve të artit që nuk u takuan kurrë me njeri tjetrin.
Bekim Fehmiu e titullon librin e tij me kujtime: „E shkëlqyeshmja dhe e tmerrshmja“!
Xhevahir Spahiu e titullon librin e tij poetik te vitit 1994: „Ferrparajsa“!

Pranë dhe larg këto dy titullime për jetën njerëzore!
Kuptohet që Bekim Fehmiu flet për jëtën e vet dhe përdor tone intime dhe fjalor te ndjeshmërisë individuale.
Kuptohet gjithashtu që Xhevua është një instriment njerëzor i magjishëm ku shtërngatat që përfshijnë popullin e tij përshkojnë edhe atë vetë dhe ndiesitë personale marrin përmasa biblike.

E pyes Xhevahir Spahiun aty i ulur në një tavolinë te kafe Europa:
-Përse „Ferrparajsa“!

Ai më vëshrtron disi me çudi. “Po ky jam unë!,-thotë, -Është libri im!” Dhe qesh.
     Unë i lexoj Xhevos poemën e tij Kujtesa e humbur. Pastaj e pyes për kur e ka shkruar. S`e di, -më përgjigjet duke mbledhur supet.
Eshtë çudi më vete kjo aftësi poetike që përshkon kohrat dhe të ve përpara parashikime kaq dramatike!

Unë qesh me kotësinë e pyetjes time.
Në fakt kjo poemë u shkrua këtë çast, këtë çast kur unë po e lexoj.
U shkrua këtu në kafe Europa tek kjo tavolina e cepit këtë çast që une po e lexoj, ose po shkruhet këtë çast edhe në vende të tjerë aty ku ka shkuar libri më i ri i Xhevahir Spahiut. Po shkruhet njëherësh në disa vende këtë çast dhe do të shkruhet edhe në të ardhmen në disa vende njëherësh… siç ndodh jo rrallë me poemat e mira …

Sepse poezia e vërtete shkruhet nga autori, por shkruhet edhe nga lexuesi në çastin që lexohet, ja ashtu duke u lexuar!
 
KUJTESA E HUMBUR
Rriten ndërtesat,
kapin qiellin me dorë
a ndonjë re të grisur si flamur disfatash.

Rriten përditë
si pirg babëzie,
ndrydhet kundërmimi i dafinave,
limonave,
nën dhunë betoni;
malet zvogëlohen,
fusha e humbi kuptimin e parë.

Shqiponja më në fund
ia nguli sqepin zemres,
bora dhe zambaku i Tomorrit¹,
një kujtim edhe aq.

Rriten ndërtesat,
syri në mjerim.

Lisi fatthënës i Dodonës
në shtratin e Prokrustit.

Humbi pesha e malit,
mundësia e shkëmbimit të dy fjalëve me zotin.
Bota këtu poshtë,
një spital me të verbër,
vetëtima e fundit
s’ka paksa që u shua në sytë e saj.

Udhën për në maja e përpiu mjegulla,
nën dhe,si në Had,
rënkojnë yjet dhe qielli pa skaj.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 1 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Tragjedi në futbollin gjerman, mbytet në liqen futbollisti 16-vjeçar i Fortuna Dusseldorf

Tragjedi në futbollin gjerman, mbytet në liqen futbollisti 16-vjeçar i Fortuna Dusseldorf