Janari është një muaj i gjatë, i lodhshëm dhe i mërzitshëm disa herë. Nuk kuptohet pse je i mbështjellë nga një ndjenjë kotësie dhe asgjëje. Janë ditët e shumta të pushimeve, ndoshta, që ti nuk ke dëshirë t’i kalosh pse të fusin edhe më shumë në boshllëk. Ndërsa, në këta dy vjet, është shtuar edhe kovidi dhe pyetjet e shpeshta, hë e kaluat, ju zuri kjo e fundit , kanë zëvendësuar shkëmbimet e dikurshme të mesazheve - ato për gjelin e detit apo natën e Vitit të Ri, për orët e gjata apo programin që ndoqëm dhe në fund snobizmi që tregojmë me përdëllim për dirigjentin e Koncertit të Vienës.
Është një muaj që i shkon shumë për shtat atmosferës që të krijon vepra e Kadaresë aq sa ke përshtypjen që Kadare nuk mund të kishte lindur në asnjë muaj tjetër, por vetëm në janar, në një ditë të ftohtë, të lodhshme, me dëborë dhe me mjegull, në një muaj të pasigurtë dhe me shenjën e një pandemie në sfond. Ashtu besoj do të ketë qenë data 28 janar, 86 vjet më parë, dita kur lindi shkrimtari dhe personaliteti më i madh kulturor i të gjitha kohërave, Ismail Kadare.
Akademia e Shkencave të Shqipërisë e kujtoi ditëlindjen e Kadaresë me një veprimtari jubilare dhe shfrytëzoi këtë rast që ta shpallë vitin 2022 si Vitin e Akademizmit, pse sivjet bëhen 50 vjet nga krijimii i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Veprimtaria shkencore që u organizua me këtë rast u quajt « Ismail Kadare : një disidencë letrare », marrë prej titullit të veprës së profesorit dhe studiuesit francez Zhan pol Shamse (Jean- Paul Chapmpseix ISMAIL KADARE : NJË DISIDENCË LETRARE, botim i shtëpisë botuese FAN NOLI, Tiranë, 2021), përkthyer në shqip nga Bashkim Shehu dhe Irena Rambi dhe redaktuar nga prof. Ilia Lëngu.
Kjo është një nga veprat më serioze të botuara në shqip për Kadarenë dhe figurën e tij. Më parë, edhe studiuesi australian Peter Morgan kishte botuar librin « Ismail Kadare – shkrimtari dhe diktatura 1957-1990 », Tiranë, 2009. Edhe aty, ai, përmes analizës së veprës së Kadaresë është përpjekur të tregojë marrëdhënien e vështirë të Kadaresë me regjimin përmes veprës së tij. Përfundimi i Morganit është se vepra e Kadaresë, në tërësinë e saj, është një subversion ndaj diktaturës, gjithë duke qenë e shenjuar edhe prej shtypjes së saj. Ndërsa libri i Zhan-Polit është një studim shterues dhe përfundimi i tij se vepra e Kadaresë është një disidencë letrare ndaj regjimit përkon me qëndrimin që ka pjesa më e madhe e studiuesve të huaj jo vetëm në Francë, por edhe më gjerë.
Në promovimin që iu bë kësaj vepre, Zhan-Poli tregoi në fillim se aty nga vitet ’80, studiuesit në Francë po interesoheshin për vlerësimin e veprës letrare nga vështrimi i lexuesit. Ç’ndryshim ka mes lexuesit të Balzakut në shekullin XIX dhe atij sot, fjala vjen. Pikërisht në këtë atmosferë rashë në kontakt me veprën e Kadaresë dhe pastaj një rastësi fatlume bëri që të vij në Shqipëri si pedagog i letërsisë frënge nga viti 1982 deri më 1988, - tha ai. Këtë përvojë ai e ka paraqitur në dy libra që ka botuar bashkë me bashkëshorten e tij Elisabeth Champseix : « Bulevardi Stalin nr. 57 » dhe «Shqipëria ose logjika e dëshpërimit ».
Vepra e Zhan – Pol Shamsesë është një analizë e gjerë, e hollësishme dhe gjithëpërfshirëse për jetën artistike dhe përmbajtjen e krijimtarisë së Kadaresë. E ndërtuar me konceptet dhe metodën e shkollës perëndimore të narrativës letrare që u formulua nga Zhënet (Gérard Genet), analiza e tij qëmton topikën e korpusit të gjerë kadarean dhe nxjerr që aty gjithë realitetin fiksional, atë që diku ai e quan « Kadareada » ose bota kadareane ashtu siç do të thoshim bota homerike, brenda së cilës ka vazhdimisht mjegull dhe bie një shi i pandërprerë, ka shumë trishtim dhe pak patos, lëvizin personazhe mitologjikë por edhe hije njerëzish që duken si të ardhur nga një botë tjetër. Në hyrje të veprës së tij ai shkruan : « … krijimtaria e Kadaresë është paradoksale ngaqë është një përpjekje për të ekzistuar në një kontekst tepër të pafavorshëm. Veçoria e saj e parë, e cila, në një masë të madhe, përbën interesin për të, qëndron në atë se ajo është ndërtuar dhe përhapur mu në gjirin e diktaturës. Asnjëherë nuk ka marrë pamjen e një veprimtarie të nëndheshme apo klandestine. Gjithashtu, është produkt i një njeriu që nuk mund të mbështetej në asnjë grup presioni dhe në kurrfarë disidenceje, ngase asgjë e tillë nuk ekzistonte. Pra, kjo krijimtari ka mundur të zhvillohet vetëm në sajë të evoluimit vetjak të shkrimtarit. … Gjatë jetës sime në shoqërinë e ashpër tiranike shqiptare, botimi i « Pashallëqeve të mëdha » nga Fayard më 1984 më bindi përfundimisht se autori bënte një luftë letrare reale dhe origjinale kundër regjimit. …Si mund të dilnin vepra të tilla në një shoqëri si kjo ? Vallë, shtëpitë botuese nuk shihnin gjë ose lejonin të kalonin tekste subversive duke marrë mbi vete rreziqe të mëdha ? Vallë, s’kishte rëndësi letërsia në këtë vend rural, ku ende nuk qe zhdukur analfabetizmi ? Apo mos vallë Kadareja përfitonte nga mbështetje të rëndësishme ? Dhe nuk mund të mos shtrohej pyetja e pashmangshme : çfarë marrëdhënieje kishte Enver Hoxha me këtë krijimtari që luftonte gjithnjë e më shumë regjimin e tij ? Paradoksi është goxha i madh : kjo krijimtari u tolerua në atë sistem stalinian që nuk toleronte asgjë, e, megjithatë, është padiskutim subersive… » (f.XVI).
Më tej, në veprimtarinë kushtuar « disidencës letrare të Kadaresë » e mori fjalën nga Palermo, akademiku arbëresh Mateo Mandala, i cili, duke analizuar këtë anë të krijimtarisë së shkrimtarit të madh, u ndal, sidomos, te struktura rrëfimtare e romanit « Dimri i madh ». Përmes teorisë së Umberto Ekos për narrativën dhe kohët e rrëfimit ai evidentoi një herë si parim krijues të organizmit të ligjërimit « boshësinë » dhe ndërprerjet diegjetike të shpeshta, pastaj, duke parë veprimin e personazheve aty, e rindërtoi arkitekturën e romanit me tri botë : parajsa ose toka, purgatori dhe ferri në analogji edhe me hapësirën reale të veprimit të personazheve : ata që ishin jashtë në kohën reale, të tjerë që gjenden të dyzuar mes jetës reale dhe ankthit ekzistencial dhe ata që gjenden në katin përdhes në bodrum si plaka Nurihan fjala vjen, në ferr, më saktë.
Bashkim Shehu është një nga shkrimtarët e njohur në letërsinë shqiptare jo vetëm për krijimtarinë e tij, por edhe për fatin tragjik të familjes dhe të atij vetë. Lidhja e tij me Kadarenë është e njohur nga të gjithë, por këtu ai ka meritën e dyfishtë se e nxiti këtë botim dhe mori pjesë si përkthyes nga frëngjishtja i asaj vepre. Në kumtesën e tij ai foli për leximet franko-shqiptare të veprës së Kadaresë duke e përqasur atë korpus gjigand me disa nga shkrimtarët më të mëdhenj të botës. Kjo përqasje, herë ka qenën në formën e frymëzimit, herë në formën e lidhjeve të brendshme dhe disa herë në formën e jehonës.
Në mënyrë që vepra në shqip të ishte tërësisht e vështruar si një punë e mirëfilltë letrare e shkencore, redaktimi i saj i ishte besuar profesorit të njohur Ilia Lëngu. Ai, në fjalën e tij, në këtë veprimtari, tregoi jo vetëm punën e jashtëzakonshme të përkthyesve Irena Rambi dhe Bashkim Shehu, por, gjithashtu, edhe thellësinë e madhe të ideve dhe gjerësinë e analizës së Zhan- Polit, duke arritur në përfundimin se është hera e parë që vepra e Kadaresë rrëfehet në mënyrë kaq të plotë dhe gjen vendin e vet në vlerësimin e kritikës dhe historisë së letërsisë botërore.
Irana Rambi, pedagoagia shqiptare në Paris foli për përkthimn dhe u ndal sidomos te figura e Jusuf Vrionit. Ajo rrëfeu edhe një anë tjetër të krijimtarisë së tij : vendin e përkthyesit në krijimtarinë e Kadaresë që nis qysh me figurën e terxhumanit dhe vjen deri te figura e Besnikut.
Autori i këtyre radhëve foli për poemën « Në mesditë Byroja Politike u mblodh » dhe vuri në dukje se aty Kadareja kishte blasfemuar jo pse kishte përmendur gjakun dhe themelet e mbytyra në krim, por sepse kishte shkallmuar sekretin shtetëror, e kishte paraqitur atë krim si një kronikë perëndimore dhe nuk kishte respektuar komunikatën politike si formë të paraqitjes që u bënte Enver hoxha mbledhjeve ku ai dërgonte në varr bashkëpunëtorët e tij.
Saverina Pasho, Ylljet Aliçkaj dhe Pëllumb Xhufi që moderuan këtë veprimtari treguan jo vetëm profesionalizëm, por u bënë edhe interpretë disa herë të atyre çështjeve që duheshin sqaruar për publikun.
Natyrisht të gjithë do të donim që të jetonim në një botë ku arti dhe letërsia, kultura dhe dija të ishin format e komunikimit thelbësor në ambientet publike. Do të dëshironim që kur ta hapnim tv-të apo radiot apo kur të kridheshim në rrjetet sociale të gjenim mundësi të tilla që të shihnim, dëgjonim dhe lexonim për gjërat e vërteta, të bukura dhe të thella që ka jeta e njeriut. Jo për fajin tonë, në shumë raste mediat ziejnë nga lajmet për luftëra e kriza, për vjedhje e vrasje, për krime gjithëfarëlloji. Mirëpo, edhe në këtë pikë ne, shqiptarët, jemi një rast unikal, sepse narrativa jonë është një kronikë e pamabarim idiotësh që tregojnë vetëm dy a tre personazhe të cilët kanë tridhjetë vjet që kanë zënë skenën e teatrit tonë karikaturor dhe gjithë ne të tjerët kemi mbetur si spektatorë të pashpresë dhe pa ngjyrë. Disa herë më ka shkuar në mendje novela e famshme e Kadaresë « Kamarja e turpit » dhe nisja e procesit të shkombëtarizimit me anë të reformës « kra-kra ». Kadare flet për kohën kur otomanët e pushtuan tërësisht Arbërinë dhe me ironinë më të thellë dhe sarkazmën më të mprehtë ndërtoi një realitet që sot të bën të reflektosh thellë dhe të shkatërrohesh gazit. Mirëpo nëse atëhere fshatarëve u ishte dhënë urdhër të hiqnin veshjet e tyre me ngjyra të ndezura, ndaloheshin xhepat dhe mëngët, nuk lejohej të zgjateshin flokët, ndalohej hipja në kalë, e kështu vendi humbet emrin dhe shndërrohet në numër, largësitë nuk maten më dhe, me qenë se shifrat janë zhdukur nga kujtesa, duhet të mbash guralecë për të matur sasitë. Mbas një farë kohe zhduket edhe kujtesa… Kjo është narrativa e romanit dhe analogjia me kohën fikitive të shkombëtarrizimit otoman apo me revolucionin kulturor kinez apo edhe me paranojën e njeritu të ri. Kadareja është gjeni sepse vepra e tij, ashtu siç e tha në fillim edhe Zhan-Poli, vështruar nga perspektiva e lexuesit sot, të paktën « Kamarja e turpit » mund të lexohet ndryshe. Edhe sot po ndodh procesi i shndërrimit, edhe sot kujtesa kulturore dhe ajo historike po humbet me shpejtësi, sot gjuha shqipe nuk po humbet vetëm nyjat siç parodizonte Kadareja, por po kthehet në një rrip të mërzitshëm meshini mbi të cilin shqiptarët hedhin e transportojnë dhjetë ose 100 fjalë për të komunikuar mes tyre përmes medies sepse aq fjalë janë në përdoirm : krim, vjedhje, vrasje, përputhje e big brother. Viktimë e kësaj shkërmoqjeje të kujtesës ra edhe shkrimtari ynë i madh nga RTSH-ja publik. Po çfarë ndodhi ? Bashkë me Zhan-Polin po ndiqnin lajmet e orës 16 për të parë se si do ta parqitnin ngjarjen e Akademisë televizionet. Zgjodhëm RTSH-në sepse Zhan-Poli ngulmoi, por edhe unë u binda sepse ai stacion është zëri zyrtar të paktën formalisht. Nisën lajmet dhe pasi kaluan blloqet e politikës (Berisha primaret, Meta Gjykata Kushtetuese, Rama në Unversitetin Bujqësor), u erdhi radha krimeve dhe vrasjeve, pastaj përsëri lajme dhe ja në pesë minutat e fundit doli sigla : Kultura. Por… lajmi i parë një veprimtari për Uran Kostrecin në Elbasan. Gentjana Sulaj drejtoresha e dosjeve tregonte se Urani kishte mësuar dy gjuhë të huaja në burgune Burrelit, një vajzë e vogë që kërcen në një skenë, një intervistë tjetër. Lajmi i dytë në kronikën për kulturën : Ismail Kadare dhe një mishmash fjalësh që nuk e merrte vesh askush çfarë kishte ndodhur. Zhan –Poli më sheh mua dhe thotë : çfarë ka ndodhur ? I kanë bërë ndonjë gjë Kadaresë ? Kush është ky zotëria tjetër ? I tregoj për të gjorin Uran Kostreci dhe i them se ka qenë në burg politik, atje ka lëvruar dhe sonetin. Kur ka dalë që andej ka botuar disa vëllime me poezi. Ishte një zotni i vërtetë. Unë e kam marrë në shtëpi, i thashë, diku nga fundi i viteve ’80 në Elbasan kur ishte i përndjekur. Por edhe ai po të ishte gjallë nuk do ta pranonte që në faqosjen e lajmeve të RTSH-së të vendosej para Kadaresë. Zhan-Poli nuk foli më. Ndërsa unë u kujtova për shfytyrimin total dhe shkatërrimin mendor që na ka përfshirë të gjithëve. « Kra-kraja » Kadaresë, mesa duket, këtë radhë, iu kthye në bumerang edhe vetë gjeniut të letrave shqipe. Ai nuk e kishte menduar se do të vinte një ditë që në gjallje, emri i tij dhe hierarkia e vlerave në këtë vend të përmbyseshin për shkak se kujtesa historike dhe vlerat kanë humbur dhe janë zhdukur jo për faj të perandorisë otomane por për shkak të lirisë dhe shthurjes totale që kemi përjetuar si komb.