Nëse dëshironi të udhëtoni me një kosto të përballueshme dhe të shijoni motin e ngrohtë pranveror, Tirana në Shqipëri është zgjedhja ideale, shkruan Jennifer Pinto në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Express”.
Temperaturat arrijnë deri në 21 gradë Celsius në prill, ndërsa fluturimet direkte nga Britania e Madhe fillojnë nga vetëm 14,99 paund. Shumë turistë zgjedhin plazhet e Shqipërisë, por Tirana po bëhet gjithnjë e më popullore si një destinacion për pushime në qytet me buxhet të ulët.
Në vitin 2025, revista “Time Out” e renditi Tiranën si destinacionin më të mirë evropian me buxhet të ulët, duke lënë pas qytete si Zagrebi, Krakowi dhe Sarajeva.
Në Tiranë, vizitorët mund të eksplorojnë një gamë të gjerë pamjesh, nga xhamitë e epokës osmane dhe bunkerët e epokës komuniste deri te arti shumëngjyrësh i rrugës, tregjet e gjalla, parqet e bukura dhe pamjet malore marramendëse, të gjitha të vendosura brenda një qyteti kompakt dhe të lehtë për t’u shëtitur.
Disa nga pikat kryesore të qytetit përfshijnë Sheshin Skënderbej, lagjen plot ngjyra të Bllokut, Xhaminë e Et’hem Beut, Muzeun Historik Kombëtar, Bunk’Art 1 dhe 2, pamjet e Malit të Dajtit, Parkun e Madh, Piramidën, Pazarin e Ri dhe artin e gjallë të rrugës në kryeqytetit.
Një tjetër avantazh është se ushqimi është i përballueshëm, por edhe i shijshëm si byreku, fërgesa, tava e kosit, mish i pjekur në skarë dhe prodhime deti të freskëta. Një krikëll birrë kushton vetëm 2,2 paund.
Sam Dawson, një blogere udhëtimesh dhe bashkëthemeluese e “Relentless Roaming”, tha se Tirana është “kryeqyteti më i nënvlerësuar i Evropës”.
“Për një pushim vërtet unik dhe frymëzues në qytet, Tirana është zgjedhja e duhur”, shtoi ajo.
“Mos e përjashtoni Tiranën nga lista juaj e udhëtimeve! Mund të bini në dashuri me këtë qytet. Tirana po transformohet vazhdimisht para syve tanë, duke dalë nga e kaluara e saj gri. Ky evolucion është i dukshëm në arkitekturën e saj moderne dhe shpërthimin e ngjyrave te gjalla që janë gjithnjë e më të dukshme në të gjithë hapësirën urbane”, tha një ekspert i “TripAdvisor”.
Ai shtoi se Sheshi Skënderbej, zemra e Tiranës, është një shembull kryesor i këtij ndryshimi. Është vendi ideal, ku përmblidhet në mënyrë të përsosur udhëtimi i qytetit nga e kaluara e tij sfiduese në një të ardhme më shpresëdhënëse./ Express
Komente











