Përfundoi pas 3 orësh mbledhja e sotme e Kryesisë së Partisë Demokratike, e thirrur nga Sali Berisha pasi Partia Socialiste nuk pranoi në Parlament ngritjen e 2 komisioneve hetimore, atë për zgjedhjet e 11 majit dhe atë për çështjen McGonigal.

Mbledhja u zhvillua me dyer të mbyllura, por edhe pas përfundimit, Berisha u tregua hermetik për mediat, duke mos dhënë informacione mbi vendimet e marra nga Kryesia e Partisë Demokratike.

I pyetur mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese në favor të Erion Veliajt, duke e lënë në krye të Bashkisë Tiranë, Berisha e quajti një goditje ndaj kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Bajram Begaj.

“Këtë e komentoj si një vendim të gjyqtarëve që në këtë rast zbatuan ligjin, por e komentoj gjithashtu si një dhuratë që Edi Rama, që nuk njeh asnjë lloj ligji e morali, ia bëri padashje kundërshtarit të tij kryesor brenda në parti, Erion Velisë. E trajtoi në atë mënyrë, siç e tha ai vetë, si “serial killer” bën burg. E trajtoi deri aty sa duhej t’i dilja unë zot për të drejtat e njeriut. E trajtoi në atë mënyrë që shkel Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, Kushtetutën dhe çdo lloj standardi të një qëndrimi ndaj të burgosurve. Dhe me këtë ai i dha Erion Velisë avantazhin de facto. Bajram Begaj dhe Rama janë të palosur të dy me këtë vendim”,- tha Berisha.


Lajmi kryesor:

Vendimi i Kushtetueses për Veliajn, Berisha: U rrëzua haram Begaj e Rama! Pranon dështimin: PD nuk është në gjendje të mirë