TIRANE - Çështja e ish-ministrit të jashtëm peruan, Augusto Blacker Miller, i kërkuar nga SHBA nën akuzën për grusht shteti në vendin e tij, vazhdon tët jetë në qendër të vëmendjes së mediave vendase.

“La republica” një gazetë në Lima shkruan sot se Miller ka hyrë në Shqipëri nga SHBA-ja me një pasaportë diplomatike, që rezulton të jetë e pavlefshme prej disa kohësh. Sipas kësaj gazete numri i pasaportës është 4698977-PE.

Këtë lajm për mediat e ka konfirmuar Ministria e Brendshme në Peru, sipas së cilës ose pasaporta kishte humbur vlefshmërinë e saj ose është e falsifikuar, ndërsa sipas Interpolit në Shqipëri ish-ministri Miller ka hyrë në vendin tonë me një pasaportë të lëshuar në 9 shkurt të 2012.

Ndërkaq mediat zbulojnë se nga Amerika Miller ka dalë më 15 nëntor të viti 2002, duke përdorur një tjetër pasaportë që mban numrin 0.926.767.

Edhe sot ministri i brendshme në Peru, Wilfredo Pedraza ka bërë thirrje qeverisë shqiptare për dëbimin e Miller.

Miller akuzohet nga vendi i tij për grusht shteti, por nuk mundi të dënohet në Peru, pasi u arratis për t’i shpëtuar drejtësisë në vitin 2005. Më 2009 u kap në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ishte duke u përballur ende me një proces ekstradimi. Prokurori peruan antikorrupsion Julio Arbizu, i cili bëri të ditur në mediat peruane lajmin e se Miller u arrestua në Tiranë, tha se ish-ministri mund të ekstradohet nga Shqipëria për në SHBA, për shkelje të ndalimit të largimit nga vendi, që kishte vendosur shteti amerikan.

SHQIPTARJA.com ZBULOI BIZNESIN E MILLER NE SHQIPERI

Ish-ministri i Perusë i kërkuar nga SHBA nën akuzën për grusht shteti në vendin e tij gjen oaz dhe zhvillon biznes në Shqipëri. Faktet e mbledhur në QKR tregojnë se Manuel Augusto Blacker Miller, është i regjistruar si aksioner në firmën “Apollonia Investments” me 80 % të aksioneve, kompani të përpunimit të mbetjeve dhe prodhimit të energjisë. Ortak në shoqërinë e ish-ministrit janë 2 italianë, me 10 % të aksioneve është Alberto Paladini dhe me 10 % shoqëria “IBS ITALIANA BUSINES SPORT". Në këtë shoqëri MIller është ortak nga shtatori 2012.

Synimet e shoqërisë ku ish-ministri është aksioner janë “prodhim energjie termike dhe elektrike nga procesi i përpunimit të mbeturinave dhe substancave të tjera nëpërmjet ngritjes së infrastrukturës për këtë qëllim. Marrja me konçension e ndërtimit dhe operimit të objekteve të ndryshme. Ndërtim dhe zotërim të impianteve hidro-elektrike të prodhimit të energjisë elektrike, të tilla si hidrocentrale dhe termocentrale të të gjitha llojeve. Marrja në koncesion, ndërtimi dhe operimi i objekteve të mësipërme”.

Përmes një deklarate për mediat Kompania "Apollonia Investments" e cila përfaqësohet nga ish-ministri i Jashtëm peruan Augusto Blacker Miller ka sqaruar biznesin që kjo kompani kryen në Shqipëri por në asnjë rresht nuk shkruhet asgjë në lidhje me arrestimin apo jo të ish-ministrit peruan.

PERUJA: U ARESTUA NE TIRANE, POLICIA SHQIPTARE S'E PRANON
Edhe pse prokurori peruan antikorrupsion Julio Arbizu deklaron se Miller akuzohet për grusht shteti, Shqipëria nuk e arreston me pretendimin se s’kemi marrëveshje me Interpolin. Përmes një njoftimi për mediat, Policia e Shtetit ka deklaruar se nga strukturat policore të Policisë së Shtetit nuk është arrestuar ndonjë shtetas peruan me emrin Augusto Blacker Miller. Gjithashtu Policia e Shtetit ka bërë me dije se shtetasi Augusto Blacker Miller nuk rezulton si person i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Redaksia Online
(Gre.M/jd/Shqiptajra.com)