Sulmet amerikane ndaj Iranit mund të rifillojnë me një valë të re bombardimesh “të shkurtër dhe të fuqishme”, në përpjekje për të zhbllokuar negociatat. Sipas raportimit të Axios, Centcom ka përgatitur një plan të ri ushtarak, të mbështetur në burime të brendshme. Megjithatë, Donald Trump ka theksuar se, për momentin, bllokada e Ngushticës së Hormuzit mbetet mjeti më efektiv, madje më shumë sesa rifillimi i bombardimeve.

Në të njëjtën kohë, kostoja e luftës për Shtetet e Bashkuara rezulton shumë më e lartë sesa shifrat zyrtare. Sipas CNN, vlerësimi prej 25 miliardë dollarësh i dhënë nga një zyrtar i Pentagoni nuk përfshin dëmet e mëdha të pësuara nga bazat amerikane në rajon. Burime të informuara bëjnë të ditur se kostoja reale arrin në 40–50 miliardë dollarë, duke përfshirë rindërtimin e instalimeve ushtarake dhe zëvendësimin e infrastrukturës së shkatërruar.

Gjatë ditëve të para të konfliktit, sulmet iraniane në Gjirin Persik kanë dëmtuar rëndë të paktën nëntë baza ushtarake amerikane brenda 48 orësh, duke goditur objekte në Bahrein, Kuvajt, Irak, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katar. Mes pajisjeve të shkatërruara përfshihen sisteme radarike kritike, përfshirë një sistem të baterisë raketore THAAD në Jordani, si dhe struktura të ngjashme në Emiratet e Bashkuara Arabe. Po ashtu, një avion zbulues E-3 Sentry i forcave ajrore amerikane është shkatërruar në një sulm ndaj një baze në Arabinë Saudite.

Nga ana tjetër, operacionet amerikane kanë goditur rëndë edhe ekonominë iraniane. Sipas një deklarate të admiralit Brad Cooper, në krye të Centcom, janë bllokuar gjithsej 42 anije tregtare që përpiqeshin të kalonin Ngushticën e Hormuzit. Aktualisht, 41 cisterna me rreth 69 milionë fuçi naftë nuk mund të shiten nga Irani, duke i shkaktuar regjimit një humbje të vlerësuar mbi 6 miliardë dollarë.

Ndërkohë, tensionet e luftës në Lindjen e Mesme po ndikojnë edhe në ekonominë globale. Federal Reserve ka vendosur të mbajë të pandryshuara normat e interesit për të tretën herë radhazi, duke i lënë ato në intervalin 3.50%–3.75%. Sipas bankës qendrore amerikane, inflacioni mbetet i lartë, pjesërisht për shkak të rritjes së fundit të çmimeve globale të energjisë.

Vendimi nuk ka qenë unanim: katër nga dymbëdhjetë anëtarët me të drejtë vote kundërshtuan, ndërsa tre të tjerë mbështetën pezullimin pa sinjalizuar ulje të mundshme të normave në të ardhmen. Mbledhja konsiderohet gjithashtu si një nga të fundit nën drejtimin e Jerome Powell.

lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:22
Irani paralajmëron Perëndimin: Kontrollojmë 20% të naftës, Gjiri Persik u përket iranianëve

“Gjiri Persik u përket iranianëve.” Ky është mesazhi që erdhi nga  Mohammad Mokhber, këshilltar dhe ndihmës i figurës kyçe të Iranit, Mojtaba Khamenei, përmes një postimi në rrjetin social X, të cituar më pas nga mediat iraniane. Mokhber theksoi se Irani ka një rol vendimtar në energjinë globale dhe paralajmëroi për pasojat e çdo presioni ndërkombëtar.

“Kur ne kontrollojmë 20 për qind të naftës botërore dhe mbi 18 mijë miliardë metra kub gaz, një rrethim detar ndaj Iranit nuk do ta kthejë vendin në epokën e gurit,” deklaroi ai. Më tej, ai shtoi me tone kërcënuese se një veprim i tillë “do ta fusë sistemin e dominimit në epokën e ngrirjes”.