"Provokim ndaj Greqisë në Kuvendin e Shqipërisë". Kështu e cilëson media greke 'Protothema' aktivitetin që u mbajt këtë të hënë në Kuvend për "Ditën e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë".

Në artikullin e medias greke shkruhet: "Pasditen e së hënës u zhvillua një aktivitet kushtuar viktimave të “gjenocidit” të Tsamurias nga grekët. Aktiviteti u organizua nga partia ekstremiste dhe antigreke PDIU, e cila pretendon se përfaqëson qytetarët shqiptarë me origjinë çame, e cila promovon sistematikisht axhendën e Ankarasë në vend. Bashkëorganizatorë ishin fondacioni “Çamëria” Hasan Tahsini dhe shoqata çlirimtare 'Çamëria'".

Më pas vijon, "ngjarja provokuese ndodhi me tolerancën e kryesisë së parlamentit dhe qeverisë Rama, e cila herë pas here 'përkëdhel' veshët e nacionalistëve për arsye votimi".

“Në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë thuhet në mënyrë provokative: Sot, 78-vjetori i gjenocidit të shqiptarëve të Çamërisë nga grekët, 27 qershori u njoh nga parlamenti në vitin 1994 si ditë gjenocidi dhe kujtimi, në prani të çamëve, patriotë, veprimtarë e të tjerë, me një demonstratë në parlament ku u theksua zgjidhja e çështjes së Çamëve. Përpara një pankarte ku shkruhej ‘78 vjet gjenocid’, fëmijë të vegjël dhe të rinj recituan poezi çlirimtare për atdheun e ‘skllavëruar’. Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga Athina, për atë që në mënyrë provokative mori pjesë në Kuvendin e Shqipërisë”, përfundon shkrimi në median greke.

Kujtojmë se të hënën, deputetët e grupit parlamentar “Demokraci dhe Integrim” dhe Kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi, organizuan një akvitet në sallën e seancave plenare në Kuvendin e Shqipërisë me temë “Mos harro Çamërinë”.

Fjalën e parë në parlament e ka mbajtur kreu i fondacionit “Hasan Tasini”, Alket Veliu, i cili ftoi edhe të ftuarit në sallë të mbanin fjalën e tyre në nisje të Javës Çame, ku do të kulmoi më 27 Qershor, në varrezat monumentale në Kllogjer, Sarandë, në nderim dhe kujtim të jetëve të humbura nga Gjenocidi Grek mbi popullsinë e pafajshme të Çamërisë, 77 vjet më parë. Kreu i Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi tha sot është rasti që njerëzit të shohin dhe kujtojnë përmasat.

Nga masakrat dhe gjenocidi grek masiv ndaj popullsisë çame në vitet 1944-1945 mbetën të vdekur mijëra shqiptarë të Çamërisë dhe mijëra të tjerë u shpërngulen nga tokat e tyre për në Shqipëri, Turqi dhe vende të tjera. 

Kujtojmë se Kuvendi i Shqipërisë në vitin 1994 ka miratuar ligjin për shpalljen e 27 qershorit në kalendarin kombëtar si "Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë".