Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar sërish për negociatat me Iranin, duke deklaruar se çdo marrëveshje e mundshme duhet të jetë “e shkëlqyer dhe kuptimplote”, përndryshe nuk do të ketë asnjë dakordësi.

Në një postim në rrjetin social Truth Social, Trump theksoi se marrëveshja e re nuk do të ketë asnjë ngjashmëri me JCPOA-në e vitit 2015, të cilën ai e konsideron një rrugë të hapur për Iranin drejt armëve bërthamore.

"Marrëveshja me Iranin ose do të jetë madhështore dhe domethënëse, ose nuk do të ketë fare marrëveshje. Do të jetë krejt e kundërta e katastrofës së JCPOA-s të negociuar nga administrata e dështuar e Obamës, e cila ishte një rrugë e drejtpërdrejtë dhe e hapur drejt një arme bërthamore për Iranin. Jo, unë nuk bëj marrëveshje të tilla."

Presidenti iranian Masoud Pezeshkian tha se Teherani nuk do të dorëzohet para presionit apo asaj që ai e quajti kërkesa të tepërta në bisedimet me Shtetet e Bashkuara.

"Republika Islamike nuk do të dorëzohet në asnjë rrethanë para presionit dhe kërkesave të tepërta", tha presidenti iranian.

Pavarësisht diplomacisë indirekte përmes ndërmjetësve pakistanezë, Irani vazhdon të ushqejë një mosbesim të thellë ndaj Shteteve të Bashkuara, thotë një burim i medias Tasnim që është e lidhur me Gardën Revolucionare. Burimi ka deklaruar se Republika Islamike nuk ushqen “asnjë optimizëm” ndaj Uashingtonit dhe i ka përshkruar shkëmbimet aktuale të mesazheve me SHBA-të si të zhvilluara me një pesimizëm të thellë ndaj qeverisë amerikane.

Ende nuk është arritur një marrëveshje përfundimtare dhe mbeten mospajtime mbi disa dispozita që janë në diskutim.

Ndërkohë udhëheqësi suprem Mojtaba Khamenei është i fshehur në një vend sekret, me pak akses ndaj botës së jashtme dhe i arritshëm vetëm përmes një rrjeti korrierësh të krijuar për ta mbajtur të sigurt. Sipas burimeve të inteligjencës, zyrtarët iranianë të ngarkuar për të negociuar me administratën Trump po hasin vështirësi komunikimi, duke e bërë procesin negociues më të ngadaltë.

Çdo marrëveshje që do të përcaktohet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit “do t’i garantojë Izraelit të drejtën për t’u mbrojtur”, deklaroi sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio.

Rubio përsëriti deklaratat e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu: “Izraeli ka gjithmonë të drejtën të mbrohet. Çdo vend në botë e ka këtë të drejtë. Prandaj, nëse Hezbollahu po përgatitet të lëshojë raketa ose lëshon raketa kundër Izraelit, Izraeli ka të drejtë të reagojë”, tha ai nga Nju Delhi, ku ndodhet aktualisht për vizitë.

Më tej, tha se “ndoshta ekziston mundësia që në orët e ardhshme bota të marrë lajme të mira”, duke shtuar se janë bërë përparime të rëndësishme me negociatat. Sipas Rubios, “faza e parë” do të jetë rihapja e plotë e Ngushticës. “E dyta është që Irani duhet të nisë negociata serioze mbi tre pika: angazhimin e tij për të mos zotëruar kurrë armë bërthamore, kufizime afatgjata mbi kapacitetet e tij të pasurimit dhe çfarë duhet bërë me uraniumin e pasuruar në nivel të lartë.”

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:02
Sulmet në Gaza, Izraeli: Ekzekutuam Abu Mallouh, një figurë kyçe e Hamasit në prodhimin e armëve

1779743057_ikphgxhh.JPG

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë njoftuar se kanë eliminuar Mohammad Abu Mallouh, një figurë kyçe në prodhimin e armëve të Hamasit, në Gaza.

"Para sulmit, u morën masa për të minimizuar dëmin ndaj civilëve, duke përfshirë përdorimin e municioneve precize dhe mbikëqyrjen ajrore", thuhej më tej në një deklaratë të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit.

Ora 22:37
Iranianët 87 ditë pa internet, mediat: Teherani po shqyrton rivendosjen e aksesit në në këtë shërbim

1779741578_dgioo.JPG

Presidenti iranian Masoud Pezeshkian ka lëshuar një urdhër për të rivendosur aksesin ndërkombëtar në internet, raportuan mediat shtetërore iraniane.

Mediat në Teheran, për këtë informacion cituan kreun e marrëdhënieve me publikun në Ministrinë iraniane të Komunikimeve.

Sipas organit mbikëqyrës të internetit NetBlocks, shumica e iranianëve nuk kanë pasur mundësi të hyjnë në internet për 87 ditë, me vetëm disa qytetarë që kanë akses në VPN të shtrenjta dhe të përparuara, të afta të anashkalojnë kufizimet.

Ora 21:18
Trump: 13 ushtarë amerikanë vdiqën duke u përpjekur të parandalonin Teheranin të kishte një armë bërthamore

1779087975_donaldtrump.jpg

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka deklaruar ditën e sotme se 13 ushtarë amerikanë humbën jetën gjatë konfliktit me Iranin, për të parandaluar sipas tij, që Teherani të kishte një armë bërthamore.

"Në dy luftërat e fundit, kemi humbur gjithsej 13 anëtarë të shërbimit. Në Venezuelë, e cila ishte një fitore e plotë dhe totale, ne e pushtuam atë vend në një ditë të vetme, pa humbur asnjë person të vetëm. Në Operacionin Epic Fury, humbëm 13 shpirtra të bukur, njerëz të veçantë. Këta burra dhe gra të pabesueshëm dhanë jetën e tyre për të siguruar që Irani të mos ketë kurrë armë bërthamore. Oh, dhe ata nuk do ta kenë. Ata nuk do ta kenë atë armë bërthamore. Jam i sigurt që e dini këtë", deklaroi Trump.

Kjo u tha nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump në një fragment nga fjalimi i tij i Ditës së Përkujtimit në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit.

Ora 21:14
Netanyahu: Po i intensifikojmë sulmet kundër Hezbollahut, kemi eliminuar mbi 600 terroristë

1777309145_benjaminnetanyahu.webp

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se Tel Avivi po intensifikon sulmet kundër Hezbollahut në Liban.

Netanyahu deklaroi gjithashtu se deri më tani Izraeli ka eliminuar mbi 600 terroristë të organizatës.

"Jemi në luftë me Hezbollahun. Mbi 600 terroristë janë eliminuar. Nuk do ta ulim vigjilencën tonë. Do t'i sulmojmë. Ata po përdorin dronë; kemi një ekip të posaçëm që merret me këtë dhe do ta zgjidhim edhe këtë problem. Kjo është ajo që na detyron të intensifikojmë sulmet tona dhe t'i godasim ballë për ballë", deklaroi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu në një video të shpërndarë në rrjetet sociale.

Ora 19:00
Mediat: Teherani i gatshëm të largojë uraniumin e pasuruar drejt Kinës

1778143015_teheran.jpg

Burime të nivelit të lartë i thanë Al Arabiya dhe Al Hadath se "Irani është gati të largojë uraniumin e pasuruar nga territori i tij dhe po kërkon që ai të transferohet në Kinë".

"Teherani po kërkon garanci nga Kina përpara se të vazhdojë me marrëveshjen me Shtetet e Bashkuara", thanë burimet në fjalë.

Ndërkohë, Presidenti kinez Xi Jinping zhvilliu një takim me kryeministrin pakistanez Shehbaz Sharif në Pekin. Pakistani është një nga vendet ndërmjetëse në negociatat midis SHBA-së dhe Iranit.

Ora 17:05
CNN: Marrëveshja me Iranin, mund të jetë ‘goditje’ më e madhe për Presidentin Trump, sesa vetë lufta

1779382792_fyiooo.JPG

Kushtet e reja të marrëveshjes me Iranin janë përtej "aftësisë së Donald Trump për t'i shndërruar ato në një triumf", deklaron CNN, teksa shpreh skepticizëm në lidhje me marrëveshjen, e cila mund të jetë "më përçarëse se vetë lufta".

Marrëveshja e re është larg "dorëzimit të plotë" që Trump kishte kërkuar fillimisht me Iranin, duke zbuluar një President që po përballet me vështirësi mes rritjes së çmimeve të gazit, rënies në sondazhe dhe kritikave republikane.

Një nga pyetjet me të cilat përballet Trump është nëse marrëveshja e tij është më e rreptë se ajo e Barack Obamës dhe, më e rëndësishmja, nëse tërheqja nga ajo marrëveshje i ka vendosur Shtetet e Bashkuara në një pozicion më të mirë kundër Iranit.

"Fakti që kjo është një pyetje", thekson CNN, "shpjegon dilemën e Trump: rifillimi i luftës mund të ketë pasoja serioze ekonomike dhe politike. Përfundimi i saj me kushtet më të mira të mundshme mund të jetë po aq jopopullor".

Ora 15:41
Ministria e Shëndetësisë e Iranit: Mojtaba Khamenei pësoi vetëm lëndime sipërfaqësore, gjatë sulmeve të 28 shkurtit nga SHBA dhe Izraeli

1779716639_gcxijllfcc.JPG

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Hossein Kermanpour, ka deklaruar se lideri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, ka pësuar vetëm plagë sipërfaqësore në fytyrë, kokë dhe këmbë, gjatë sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit, ku u vra i ati i tij, Ali Khamenei dhe anëtarë të tjerë të familjes.

"Udhëheqësi Mojtaba Khamenei pësoi vetëm plagë sipërfaqësore në fytyrë, kokë dhe këmbë, pa amputime ose lëndime të tjera të rënda, pasi u plagos gjatë sulmit izraelito-amerikan më 28 shkurt, i cili vrau babanë e tij, udhëheqësin e atëhershëm Ali Khamenei", ka deklaruar zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Hossein Kermanpour, për agjencinë iraniane të lajmeve ILNA.

Duke dhënë detaje mbi incidentin, Kermanpour shtoi se Mojtaba Khamenei u dërgua në spital, së bashku me persona të tjerë të plagosur, rreth orës 13:00 dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Ai nuk pësoi lëndime serioze dhe këmbënguli të vazhdonte agjërimin e tij, pasi ishte muaji i Ramazanit, deri në Iftar (koha kur agjërimi prishet në mbrëmje). "Kjo tregon se ai ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Udhëheqësi u largua nga spitali më 1 mars në orën 2:00 të mëngjesit", përfundoi ai.

Ora 13:59
Presidenti iranian: Nuk do t'i nënshtrohemi kërkesave të tepërta të SHBA-së

1779615891_masoudpezeshkian.jpg

Foto: Masoud Pezeshkian

Presidenti iranian Masoud Pezeshkian tha se Teherani nuk do të dorëzohet para presionit apo asaj që ai e quajti kërkesa të tepërta në bisedimet me Shtetet e Bashkuara.

"Republika Islamike nuk do të dorëzohet në asnjë rrethanë para presionit dhe kërkesave të tepërta", tha presidenti iranian.

Ora 13:36
Trump: Marrëveshja me Iranin ose do të jetë e shkëlqyer, ose nuk do të ketë fare

1779087975_donaldtrump.jpg

Foto: Donald Trump

"Marrëveshja me Iranin ose do të jetë madhështore dhe domethënëse, ose nuk do të ketë fare marrëveshje. Do të jetë krejt e kundërta e katastrofës së JCPOA-s të negociuar nga administrata e dështuar e Obamës, e cila ishte një rrugë e drejtpërdrejtë dhe e hapur drejt një arme bërthamore për Iranin. Jo, unë nuk bëj marrëveshje të tilla."

Deklaratat e Trump vijnë mes kritikave të forta nga ligjvënës amerikanë, të cilët kanë shprehur shqetësim për raportimet se marrëveshja e propozuar me Iranin mund të përfshijë lëshime të mëdha nga Uashingtoni.

"Qesh me të gjithë ata "Dumokratë", RINO-të dhe budallenjtë që nuk dinë asgjë për marrëveshjen e mundshme që po bëj me Iranin, gjëra që as nuk janë negociuar ende, njerëz të dobët dhe joefektivë si senatori i dështuar Thom Tillis (që së shpejti do të largohet nga detyra!), Bill Cassidy, i cili sapo pësoi një humbje dërrmuese në zgjedhjet paraprake, përfaqësuesin e tmerrshëm Thomas Massie, një horr total që humbi me një dërrmim të madh ndaj një patrioti të madh amerikan (të mbështetur nga "TRUMP") pasi tregoi pabesi kolosale ndaj partisë së tij (dhe vendit të tij!), dhe pothuajse të gjithë "Dumokratët", njerëz që kanë humbur plotësisht rrugën e tyre, duke mbështetur vazhdimisht politika të këqija dhe kandidatë edhe më të këqij, por duke kritikuar vazhdimisht çdo një nga fitoret e mia fantastike. Këta njerëz duhet të shkojnë në shtëpi dhe të pushojnë, ata nuk bëjnë gjë tjetër veçse krijojnë përçarje dhe humbje. Me fjalë të tjera, ata janë humbës", shkroi Trump në Truth.

Ora 08:36
Trump: Mos u ngutni të bëni marrëveshje me Iranin

Presidenti Donald Trump tha se i ka udhëzuar negociatorët “të mos nxitojnë drejt një marrëveshjeje” me Iranin.

Në një postim në rrjetet sociale, Trump tha se bisedimet “konstruktive” po vazhdojnë, por “të dyja palët duhet të marrin kohën e tyre dhe ta bëjnë siç duhet”.

Trump deklaroi të shtunën se ishin negociuar kornizat e një marrëveshjeje, e cila raportohet se përfshin një zgjatje 60-ditore të armëpushimit, rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe një plan për negociata të mëtejshme mbi programin bërthamor të Iranit.

Zyrtarët iranianë dhanë sinjale të ngjashme gjatë fundjavës, ndërsa zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmail Baghaei tha se të dyja palët janë njëkohësisht “shumë afër dhe shumë larg” arritjes së një marrëveshjeje.

Sipas mediave amerikane, marrëveshja nuk është një zgjidhje përfundimtare dhe në vend të kësaj lë të hapura disa nga çështjet më të vështira, përfshirë shtrirjen dhe afatin kohor të lehtësimit të sanksioneve ndaj Iranit, lirimin e fondeve iraniane të ngrira dhe kërkesat e Uashingtonit që Irani të kufizojë ambiciet e tij bërthamore.

Ora 08:33
Rubio: Izraeli do të ketë gjithmonë të drejtë të mbrojë veten

1778242721_marcorubio.webp

Foto: Marco Rubio

Izraeli do të ketë "gjithmonë" të drejtën për të mbrojtur veten, pavarësisht nga marrëveshja midis Uashingtonit dhe Iranit. Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, e theksoi këtë, duke i bërë jehonë deklaratave të bëra nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.

"Izraeli ka gjithmonë të drejtën për të mbrojtur veten. Çdo vend në botë ka të drejtë. Dhe kështu, nëse Hezbollahu përgatitet të lëshojë raketa ose lëshon raketa kundër tyre, Izraeli ka të drejtë të hakmerret", tha Marco Rubio gazetarëve në Nju Delhi.

Kryeministri izraelit Netanyahu deklaroi dje se Trump, gjatë një bisede telefonike, kishte riafirmuar "të drejtën" e Izraelit për të luftuar në Liban, ku ushtria izraelite po synon Hezbollahun e mbështetur nga Irani.

Ora 07:28
Marrëveshja e mundshme SHBA-Iran, çmimi i naftës zbret në 98 dollarë për fuçi

Çmimet e naftës kanë rënë ndjeshëm për shkak të shpresave për një marrëveshje që mund t’i japë fund luftës SHBA-Izrael me Iranin.

Nafta Brent ka humbur 5,1%, duke zbritur në 98,12 dollarë për fuçi.