Përplasja mes SHBA-së dhe Iranit vazhdon të mbetet kryelajm i kësaj të premte, ndërsa media amerikane Wall Street Journal shkruan se presidentit Donald Trump i është sosur durimi me luftën dhe është në "modalitet hakmarrjeje" ndaj Teheranit. Sipas gazetës, Trump beson gjithnjë e më pak se negociatat mund të sjellin një paqe të qëndrueshme dhe është i bindur se Irani kupton vetëm forcën ushtarake. Ai u ka shprehur gjithashtu pakënaqësi këshilltarëve të tij, duke thënë se është e vështirë të kuptohet se kush flet në emër të udhëheqjes iraniane dhe se çdo përparim në bisedime pasohet nga sulme të reja.
Ndërkohë, pranë aeroportit të Erbilit në Kurdistanin irakian, ku ndodhen trupa të koalicionit të udhëhequr nga SHBA, u regjistrua një sulm me dronë. Pasdaranët iranianë pretenduan se "shumë ushtarë amerikanë janë vrarë ose plagosur". Pak më vonë, ushtria amerikane dhe forcat kurde njoftuan se pesë dronë me eksploziv u interceptuan dhe u rrëzuan mbi Erbil, duke theksuar se nuk pati viktima.
Në frontin ushtarak, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) ka përfunduar natën e 13-të radhazi të sulmeve ndaj Iranit. Sipas ushtrisë amerikane, objektiv kanë qenë qendrat e komandës ushtarake, depot e dronëve, rrjetet e komunikimit, pozicionet e vëzhgimit bregdetar dhe kapacitetet detare iraniane, me qëllim uljen e kërcënimit ndaj anijeve që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit. CENTCOM theksoi se, pavarësisht sulmeve të fundit iraniane, Hormuzi mbetet i hapur për lundrim dhe mbi 50 mijë ushtarë amerikanë vazhdojnë të jenë të dislokuar në Lindjen e Mesme.
Nga ana tjetër Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi paralajmëroi se çdo shtet që ofron "çfarëdo ndihme" për SHBA në sulme kundër Iranit do të mbahet përgjegjës. Ai deklaroi se Teherani ruan të drejtën për të marrë "të gjitha masat e nevojshme" në kuadër të vetëmbrojtjes.
Sipas New York Times, dy zyrtarë iranianë kanë deklaruar se Teherani është gati të godasë Tel Avivin nëse Trump zbaton kërcënimet për sulme të reja ndaj Iranit. Ata shtuan se Irani mund t'u kërkojë edhe rebelëve Huthi në Jemen të bllokojnë ngushticën Bab el-Mandab./CorrieredellaSera
Komente








